Nard Ndoka:“Shqipëria dhe shqiptarët mbeten peng i politikave shantazhuese dhe bllokuese”

390
Sigal

INTERVISTA/Nard Ndoka, zv/ministër i Brendshëm: “ KQZ-ja është kthyer në një institucion politik, ku palët  japin urdhra që të  anashkalohet dhe shkelet ligji”

Zv/ministri i Brendshëm, Nard Ndoka, njëkohësisht, Kryetari i PDK-së, në intervistën për “Telegraf” vlerëson punën e deritanishme të Ministrisë së Brendshme në ndihmesën që ka dhënë për hartimin e listave të zgjedhësve, si edhe në masat për garantimin e një infrastrukture të besueshme e transparente. Sipas zotit Ndoka, shqiptarët e Shqipëria mbeten peng i politikave shantazhuese e bllokuese, ndërsa KQZ-ja është kthyer në një institucion politik.

– Zoti Ndoka, sa do të jetë e gatshme Ministria e Brendshme që të luajë rolin e saj në zgjedhjet e 23 qershorit 2013?

– Vitet e fundit në organizimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Pushteti Vendor kanë patur një rol të rëndësishëm dhe pozitiv duke filluar nga hartimi i listave të zgjedhësve, Regjistri Kombëtar, siguria e transportit të materialeve zgjedhore, siguria e qendrave të votimit dhe numërimit etj.. Partitë Politike garuese, në tërësi, kanë qenë vlerësuese mbi rolin e Ministrisë së Brendshme, po ashtu edhe vlerësimet e ndërkombëtarëve nëpërmjet raportit të OSBE-ODIHR-it kanë qenë mjaft të mira. Edhe për zgjedhjet e Qershorit 2013, Ministria e Brendshme dhe të gjitha institucionet që varen prej saj, po marrin të gjitha masat për garantimin e një infrastrukture të besueshme e transparente. Ajo ka marrë të gjithë angazhimin institucional për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore që ka për të siguruar zgjedhje demokratike.

– Kritika e drejtpërdrejtë e ambasadorit amerikan për KQZ-në, a janë objektive?

KQZ-ja, sapo ka filluar punën është paragjykuar nga opozita në mënyrë të qëllimshme për të krijuar dhe ushtruar presion në vazhdimësi. Ne kemi një KQZ me një format politik, ku përfaqësuesit e PS-së kanë pjesën e përgjegjësisë, detyrimeve dhe garancive për procesin zgjedhor.

– Vendimet e deritanishme të KQZ-së  vlerësohen të politizuara,  është  mungesë e vullnetit politik të palëve politike?

KQZ-ja, për fatin e keq, është kthyer në një institucion politik, ku palët japin urdhra, ku anashkalohet dhe shkelet ligji.  Këtë e bëjnë të dyja forcat politike rast pas rasti. Do të ishte mirë që të kishim një KQZ me format kushtetues dhe të pavarur, por Kodi Zgjedhor sanksionoi një KQZ politike, me bekimin edhe të opozitës! Gjithsesi, do të kërkojmë dhe dëshirojmë që KQZ-ja të ketë në përgjegjësinë e duhur për të garantuar një proces të lirë dhe të drejtë duke respektuar vetëm ligjin. Transparenca, bashkëpunimi, konsensusi dhe profesionalizmi duhet të karakterizojnë  KQZ-në.

– Kujt i shërben politikisht kjo klimë dyshimi për KQZ-në? E shikoni si një apel, alarmi për të ndrequr vërtet gjërat?

Askujt nuk i duhet të ngrejë alarme fallco. PS-ja po e bën këtë gjë realisht nëse kemi parasysh vendimin e fundit për më shumë qendra për numërimin e votave. KQZ-ja dhe Gjykata vendosën që të ketë më shumë qendra numërimi, pra më shumë transparencë dhe shpejtësi që  janë  pozitive për procesin. PS-ja merret me alarmin fals dhe jo me realitetin, pra shikon formën dhe jo përmbajtjen. Është e gatshme që të respektohet forma edhe nëse nuk ka fare përmbajtje dhe të kritikojë formën nëse përmbajtja është e rregullt, siç është shprehur edhe vetë.

–  I qëndroni ende idesë të nevojës së rotacionit politik?

Rotacioni politik në çdo vend demokratik është i mirëpritur, sepse sjell zhvillim dhe shëndoshje të institucioneve. Rotacioni nuk realizohet vetëm duke shprehur dëshirën apo vullnetin, por me vota dhe mbështetje. Opozita e sotme, për fatin e keq, është shumë larg këtij misioni politik, nuk ka krijuar frymën, besimin apo sigurinë për të qenë e gatshme të qeverisë vendin.

– Derisa Shqipëria dështoi për herë të tretë në procesin e integrimit, a nuk lind pikërisht që këtu domosdoshmëria për të ndryshuar politikën në tërësi?

Politika duhet të ndërgjegjësohet, por edhe të ndëshkohet. Ky proces bllokues, për të tretin vit radhazi, ka fajtorë, bashkëfajtorë dhe përgjegjës. Qytetarët kanë në dorë votën e tyre, që të mbështesin atë që mendojnë se do të japë një kontribut më shumë në këtë proces të Integrimit Evropian.

–  Palët politike interesohen më shumë për pushtetin, apo për interesat e integrimit të Shqipërisë  dhe shqiptarëve?

Për fatin e keq po! Trishtohesh kur vendi mbetet peng i politikave shantazhuese dhe bllokuese. Opozita nuk kërkon reforma, garanci për to, ligje reformuese, përmirësimin e sistemit gjyqësor, pavarësi të institucioneve, zgjidhjen e problemit të pronave, por kërkon Qarkun e Fierit, kërkon “çudira”, kërkon që vota e qytetarëve, e këshilltarëve lokalë të jetë peng i një dëshire apo sebepi të Partisë Socialiste.

–  Apo keni mendimin se të njëjtët që janë aktorë të dështimit për të tretën herë radhazi mund të realizojnë integrimin e Shqipërisë?

Në çdo vend demokratik, politikat dhe politikanët regresivë ndëshkohen me votë. Për fat të keq, këtu tek ne ka një “mentalitet tifozësh” edhe kur ekipi është në humbje e disfatë. Ende ka qytetarë që bërtasin dhe votojnë për ato ekipe problematike.

-Sa janë të interesuar politikanët në Shqipëri të luftojnë korrupsionin?

Në Shqipëri, politika më shumë përbalt veten sesa e pastron atë dhe vendin nga sëmundja e korrupsionit. Ditët e fundit po dëgjojmë një luftë politike mediatike edhe me emra të përveçëm, një aksion sezonal i opozitës, që nuk po arrin të bëhet bindës dhe institucional, duke akuzuar pa prova dhe fakte, por vetëm me shantazhe politike e mediatike. Në një kohë që mund t’i drejtohesh fare mirë organit të akuzës dhe institucioneve të tjera dhe të kontribuosh që këto institucione të jenë të besueshme dhe efikase në luftën kundër korrupsionit.

Mosdhënia  nga Ministria e Brendshme të informacioneve shtesë që kërkon KQZ-ja për gjendjen e popullsisë, nga shumëkush interpretohet si qëndrim politik. Cili është shpjegimi juaj?

Do të ketë bashkëpunim të gjithanshëm me KQZ-në dhe transparence maksimale për çdo subjekt politik, mediat dhe qytetarët si për numrin e popullsisë, listat e zgjedhësve, aksesin në Regjistrin Kombëtar, ashtu dhe për çdo detaj që ka lidhje me zgjedhjet.

– Faleminderit!