Kërkohet dorëheqja e Bumçit!

565
Sigal

Forumi i Trashëgimisë, protestë përballë Ministrisë së Kulturës për vjedhjen e afreskeve të Onufrit

Dje, Forumi i Trashëgimisë organizoi një protestë përballë Ministrisë së Kulturës, të cilët  kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga institucionet dhe sistem funksional që të parandalojë zhbërjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. “Jemi shumë të shqetësuar edhe nga dorëheqja që ministria bën ndaj mbrojtjes së monumenteve të kulturës. Ky është hapi ynë i parë dhe më vonë në mënyrë vullnetare do shkojmë do bëjmë edhe mbrojtjen e monumenteve”, tha arkitekti Artan Shkreli. Artan Lame nga ana tjetër u bën thirrje personave që kanë vjedhur objekte të tilla që t’i kthejnë ato pasi mungon tregu i shitjes së tyre. “Nuk kanë treg të tilla objekte, kështu që nëse është e mundur më mirë rikthejini atje ku i keni marrë, sepse do t’i sillni vërdallë, do i shkatërroni, do i thyeni duke i çuar nga një vend në tjetrin dhe nuk do t’i shisni dot”, tha Lame, i cili  kërkon të dorëhiqet Ministri i Kulturës dhe drejtorët e institucioneve të trashëgimisë sepse sipas tij janë përgjegjësit kryesorë për mos ruajtjen nga bastisje dhe dëmtimi i pakthyeshëm i afreskeve të rrallë të Onufrit në Kishën e Valshit në nisje të këtij viti, për të cilën hetimet vijojnë. Pak momente pas përfundimit të protestës mbajtur përpara Ministrisë së Kulturës nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike, pas dëmtimit pakthyeshmërisht të afreskeve të Onufrit në Kishën e Valshit në Elbasan, ministri Aldo Bumçi thotë se është e pamundur që monumentet të ruhen me armë 24 orë.

Veprat e artit nuk i shkatërroi as lufta, as viti ‘97 ato u shkatërruan në natën e Vitit të Ri në Malësinë e Shpatit të Elbasanit
“Shën Onufri”, heqja e kokave, kërkesë për heqje identiteti

Veprat e artit nuk i shkatërroi as lufta dhe as viti 1997, por ato janë shkatërruar në natën e Vitit të Ri në Malësinë e Shpatit të Elbasanit. Ato nuk janë dëmtuar për tu shitur, por ka shumë të ngjarë që duke qenë në një zone me histori të madhe autoktone janë dëmtuar qëllimisht. Asnjë specialist nuk mund t’i rekomandojë dikujt që për të transferuar një vepër arti murale të përdoret sqepari. Dhe asnjë tregtar veprash arti nuk kërkon vepra të paplota. Heqja e kokave të tyre është kërkesë për heqje identiteti. Fakti që ato janë dëmtuar natën e Vitit të Ri, ka shumë gjasa që të jetë realizuar nga ndonjë vendas emigrant “mercenar” i instruktuar për t’i bërë gjëmën kulturës sonë kombëtare. Kjo është një e vërtetë e shëmtuar që kërkon ta shëmtojë edhe historiografinë tonë kombëtare duke i rrafshuar majat e saja që radhiten krahas majave të kulturës botërore. Në një telefonatë të bërë me miqtë e mijë që banojnë në këtë fshat, më thanë se shkatërruesit e veprës së Onufrit kishin shkuar nga Tirana në orët e vona të datës 31 dhjetor. Ata kanë hyrë në thellësi të zonës dhe më pas kanë lënë makinën në afërsi të kishës, ku ndodheshin kryeveprat e Onufrit, më pas kanë hyrë brenda. Kisha ka qenë e mbyllur dhe kanë çarë çelësat me mjete të forta. Më pas brenda kanë prishur ikonat me sqepar dhe thika. Në dyshemenë e kishës janë gjetur nga policia thikat që kanë përdorur “vrasësit” e Onufrit. Janë prishur figura shenjtorësh onufrianë dhe një mbishkrim në greqishten e vjetër. Po nuk janë ngopur me kaq. Me sa duket shefat që e kanë iniciuar këtë masakër të përbindshme, nuk do të kenë mbetur të kënaqur nga ploja e bërë mbi to dhe ka gjasa që t’i kenë riorientuar mercenarët e tyre që ta përsërisnin masakrën. Një javë më pas ngjarja është përsëritur. Mjeti i bardhë me traga të Tiranës ka shkuar sërish në vendngjarje në orët e vona të natës dhe akti i dytë i tragjedisë është përsëritur më barbarisht. Atje ku ndodhi ky krim banorët besojnë se është varrosur edhe ikonografi Kostandin Shpataraku.
ARTI I ONUFRIT
Edhe shteti i sistemit socialist është krenuar me penelin e ikonografit të madh, Onufri. Megjithëse kishat, ku kishte lulëzuar ky art, u shkatërruan, për Onufrin u ngrit një muze në Berat dhe u shkruajt gjerë e gjatë nëpër literaturën e kohës, si dhe nëpër simpoziumet shkencore ndërkombëtare. Dhe veprat e tija u ruajtën. Vite më parë, ish-zëvendësministri i Kulturës, shkrimtari Anastas Kondo, në biseda me miqtë e vet tregonte se, ndërsa shoqëronte një kolegun e tij nga një vend i Europës Perëndimore (Austri) në muzeun e Gjergj Kastriotit në Krujë, miku u ndal gjatë në kundrimin e një ikone të Onufrit, që ndodhej e ekspozuar në këtë muze. Më pas ai i tha zëvendës ministrit shqiptar se Shqipëria me tri ikona të tilla mund të përballonte një plan 5-vjeçar të atyre viteve. Ishte një ofertë diplomatike për blerje të tyre. Kur ia relatuan këtë thënie Enver Hoxhës, tregojnë se ai u përgjigj: “Nuk ka ar perëndimi që të blejë artin e Shqipërisë”!