Jonida Maliqi & Juljana Pasha, gjithmonë të kuruara në daljet publike!

536
Sigal

INTERVISTA/ Flet Fotografja e talentuar shqiptare, Fjoralba Maliqi : Ju rrëfej pasionin e një profesioni!

Është padyshim një ndër fotografet më të talentuara shqiptare, e cila adhuron profesionin e saj. Para aparatit të saj kanë pozuar me qindra personazhe të shquar nga bota e modës, politikës, muzikës, biznesit e jo vetëm prej tyre… Me buzëqeshjen e kristaltë, që të bën menjëherë për vete, duket qartë një vajzë me ambicie dhe mjaft e kujdesur në ato që thotë . Por jo shumëkush i di fillesat e Fjorit në artin e magjishëm të fotografisë. Emri i saj është padyshim më i lakuari për sot dhe vërtetë i dashur për publikun shqiptar. Në një intervistë ndryshe & ekskluzive për “Telegraf”, Fjori rrëfen me detaje fillimet e saj në fotografi, personazhet shqiptarë me të cilët ka punuar, vështirësitë që ka hasur dhe shumë gjëra interesante . Ajo rrëfehet natyrshëm, pa emocion por me shumë përgjegjësi. Në bisedë tregohet korrekte duke ruajtur sensin e masës.

 Prej kohësh merreni me artin e fotografisë, më thoni ju lutem si je gjendur në profesionin aktual?

Të jesh duke bërë atë që dëshiron më shumë është gjithmonë e bukur. Fotografia për mua është një Pasion. Të tentosh të hysh në fushën e fotografisë nuk është e thjeshtë, por duhet shumë punë.

 Si e vazhdove këtë rrugë?
Duke lexuar çdo gjë që kishte dhe ka lidhje me fotografinë. Lexoja për jetën e fotografëve më të mirë të botës sigurisht dhe për markat dhe llojet e aparateve fotografikë. Fotografët me zë kanë një jetë shumë interesante që më fusnin dhe më fusin në mendime dhe në zhbirime të tilla jetësore, që më japin dije të mëdha. Aq më tepër që industria e aparateve fotografikë ka marrë një zhvillim të paparë. Sot sheh aparate që të shtangin kur i vëren nga vitrinat.

Cilët kanë qenë disa nga personazhet publikë shqiptarë që Ju keni fotografuar ?
Falë mundësive që më janë dhënë për të qenë presente në shumë Programe apo Evente si Miss & Mister Albania, Kënga Magjike, Festivali i 51 i RTSH-së kam mundur të fotografoj disa personazhe publikë si : Jonida Maliqi, Juljana Pasha, Vedat Ademi, Rozana Radi etj. Gjithashtu kam realizuar dhe shumë sete fotografike me Anila Kalleshin, Renis Gjokën etj..

Cilat kanë qenë punët më të bukura të krijimtarisë tuaj?
Kjo pyetje është paksa e vështirë, pasi kam shumë punë të dashura dhe nuk mund t’i veçoj. Çdo gjë që kam krijuar është një pjesë e jetës time e ngrirë në imazh. Secili set fotografik ka bukurinë e vet, sepse dhe personazhet janë të ndryshëm, por do të veçoja këtu këngëtarin e mirënjohur Renis Gjoka, pasi dhe ai vet ka një stil ndryshe.

Cili është stilisti & fotografi shqiptar më i mirë, sipas jush ?
Më pëlqejnë stilimet e Miranda Dupit, ndërsa Fotograf sigurisht që, Fadil Berisha & Anjeza Dyrmishi.

Thonë që nuk ka industri mode në Shqipëri, Ju si fotografe, çfarë mund të thoni?
Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, Modelë, Fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.

Cilat janë disa nga fjalët (shprehjet) që përdor më së shumti?
Shprehjet janë të shumta, por varet nga situata që ndodhemi. Megjithatë do të veçoj nejse, varja, qartë etj..

Jeni për martesë apo bashkëjetesë ?
Sigurisht, të dyja në kohën e duhur. Mendoj se një bashkëjetesë ka më shumë shanse për një martesë korrekte.

Cila është veshja juaj e preferuar, po veshjet e femrave shqiptare si të duken?
Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nëse është një ditë e mbyllur në zyrë, normalisht e veshur sport & praktike. Nëse programi ditor kërkon diçka më klasike apo moderne, sigurisht që i përshtatem eventit. Nëse flasim për femra që janë imazhe mediatike, them se i kapin tendencat, pasi vajzat e ekranit janë të mirinformuara. Nëse flasim për vajzat e vogla, e teprojnë pak më veshjen e paradites ose në shkollë. Mendoj se është bukur t’i shikosh pa grim. Vitet e fundit tendenca po ndryshon, ama mendoj se, duhet shumë kujdes në kombinimin e veshjes me stilin qe të përket dhe ditës që kemi përpara.

Të prekin thashethemet që dëgjon për veten?
Thashethemet në momentin e parë prekin këdo. Kur pastaj i analizon dhe i mendon me gjakftohtësi, kupton që bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe pa bazë i anashkalon. Njerëz të boshatisur e thashethemexhinj ka gjithandej .Nëse nuk kanë gjë më të mirë për të bërë në jetën e tyre merren dhe  fantazojnë për dikë tjetër, sigurisht që nuk do të mundem unë t’ua ndryshoj mendimin ose rutinën e përditshme.

 Dhurata më e bukur që ke marrë së fundmi?
Unë marr shumë dhurata, por do të veçoja një palë këpucë shumë të bukura “Louboutin”, të cilat mi dhuroi tezja ime e dashur .

Pro apo kundër martesave gay ?
Totalisht Pro. Është viti 2013 ! Tashmë në jetë, në demokraci nuk ka pse të ketë tabu. Jeta shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.

Cili është sekreti juaj i formave të bukura fizike?
Sekreti kryesor për të pasur dhe ruajtur format e bukura fizike krahas faktorit gjenetik është padyshim frekuentimi i palestrës, ushtrimeve të ndryshme për linajt & sigurisht një dietë e rregullt ushqimore e pasur me shume perime dhe fruta .

Cili është personazhi shqiptar i veshur më mirë, Sipas jush?
Jonida Maliqi më pëlqen pafund , e cila është një kameleon i shndërrimeve në look, gjithmonë na surprizon në çdo dalje publike, por dhe Këngëtarja Juljana Pasha, e cila është gjithmonë e kuruar .

Cili është idhulli juaj në botën e televizionit & spektaklit ?
Ardit Gjebrea, pa dyshim, një mashkull i kompletuar!

Cilat janë planet e mëtejshme në lidhje me botën e spektaklit ?
Sigurisht që Fotografia, pasi setet e fotove i adhuroj, ndërsa planet e tjera nuk mund t’i veçoj ende pa i realizuar .

Së fundmi doni të shtoni diçka tjetër?
Ju uroj të gjithëve gëzuar 2013-n dhe qoftë një vit sa më i mbarë. Bëni atë që doni më shumë & diçka të fundit: Fotograf nuk do të thotë të kesh një aparat apo një shkollë përkatëse, mjafton dëshira e talenti.