Luan Rama: Shqipëria të mos bëhet pengesë e vetvetes

523
Sigal

Gazeta Telegraf/ “Shqipëria të mos
bëhet pengesë e vetvetes. Pesë kushtet fillojnë me reformën në drejtësi. Nëse
nuk duam të rrezikojmë të ardhmen, e afërt apo të largët, duke e konceptuar e
vlerësuar këtë proces si ligjvënie në veprim, nuk ka rrugë tjetër përveç
përmbushjes së këtij kushti”. Me këtë apel, deputeti i Lëvizjes Socialiste për
Integrim Luan Rama apeloi dje për votim me konsensus të 6 ligjeve për reformën
në drejtësi.

Në fjalën e tij,
gjatë debateve në kuvend për këto pr/ligje, Z. Rama tha, se reforma në drejtësi
është një sfidë që duhet fituar për të krijuar një sistem funksional që të
jetësojë shtetin e së drejtës dhe që e bën të drejtën të krijojë besim dhe
respekt të qytetarit për shtetin dhe institucionet e tij. Sipas tij, nuk mund
të ketë shtet të së drejtës me drejtësi të korruptuar, qoftë edhe të
paragjykuar në jo pak raste prej perceptimit publik dhe edhe prej keqpërdorimit
politik që në këtë sallë ka tejkaluar çdo limit. Deputeti i LSI-së theksoi, se
reforma në drejtësi nuk mund të jetë sfidë vetëm e qeverisë apo vetëm e
mazhorancës.  “Provokimi i konfliktit,
paragjykimi i reformës dhe paraqitja e saj si kanosje për njërën palë apo për
tjetrën, jo vetëm nuk e ndihmon procesin, por përkundrazi e dëmton atë. Të
gjithë e dinë që kushti i parë mes pesë kushteve të mbetura që përmban
progres-raporti i fundit i BE për Shqipërinë është reforma në drejtësi. Ky
kusht u përsërit fjalë për fjalë në prognozën e muajit mars të këtij viti,
hartuar prej autoriteteve të politikës së zgjerimit të BE”, sqaroi ai. Më tej,
Luan Rama vuri në dukje se në grupin e ekspertëve që kanë punuar për
projektligjin duhej të ishin të pranishëm edhe specialistë të gjuhës shqipe. ”
Sepse ka shumë fjalë të huaja të përdoruara pa vend, ka intolerencë gjuhësore,
në titull është përdorur një term e në brendësi të ligjit një term tjetër e
kështu me radhë. Dikujt mund t’i duken periferike këto vërejtje por respektimi
i normës gjuhësore është respektim i ligjit dhe ligjbërësit nuk mund të
miratojnë një ligj duke mos respektuar një ligj tjetër”, deklaroi Luan Rama.
“Të paktën në aspektin formal të mos lënë asnjë gjurmë injorance e padie që nuk
hezitojnë t’i lënë në dimensionin real. E për ta mbyllur fjalën time’ po sjell
në vëmendjen tuaj një fjalë të Breht-it:
varfërve u duhet të shpresojnë te drejtësia, të pasurit mbarojnë punë me
padrejtësinë”
, përfundoi deputeti i LSI.