Luan Rama: Nuk ka asnjë problem mes PD-së dhe LSI-së…

460
Me një djallëzi, jo dhe aq naive, sa perceptohet prej mënyrës monotone të artikulimit, Lul Basha po rreket t’ua mbushë mendjen të vetëve, që të harrojnë se çfarë i ka ndodhur në orët e natës së vetmisë, pas së cilës i braktisi parimet dhe kredot e opozitës, e t’i bindë “për luftë kundër LSI-së!”. Në këtë mënyrë, ai shpreson të evitojë luftën e te vetëve për tradhtinë që iu bëri, për listat jo përfaqësuese dhe përjashtimin e shumë personaliteteve të PD-së, për faktin që u “peshkua” për disa tender-drejtori e të tjera e të tjera. Po për të qenë i qartë që në fillim, më duhet të them pa asnjë ekuivok, se nuk ka asnjë problem mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, përkatësisht as mes qytetarëve, anëtarë apo simpatizantë të PD-së me ata që janë anëtarë apo simpatizantë të LSI-së. Ndërkaq, ka një luftë parimore, të shpallur publikisht e politikisht të LSI-së dhe të shqiptarëve kundër oligarkisë; kundër monopoleve e klientëve të pushtetit që kane klientelizuar qeverinë për hesap e interes të tyre; kundër karteleve të drogës e klaneve kriminale, që e bënë Shqipërinë vendin e vetëm në historinë e parlamentarizmit botëror, parlamenti i së cilës miratoi një ligj për të dekriminalizuar vetveten.

Shqipëria vërtetë nuk ka një oligarki në kuptimin “ad litteram” të fjalës si pushtet i naftës. Por ka një oligarki, që vjen prej një pushteti tjetër edhe më të rrezikshëm. Është oligarkia e parasë pa mund, e parasë që vjen prej krimit, prej shitjes së pushtetit në formën e privilegjeve, indulgjencave e koncesioneve, e parasë që vjen nga pazaret me kompetencat. Për LSI-në lufta kundër kësaj oligarkie të pushtetit dhe pushtetit të oligarkisë është një çështje e interesit kombëtar dhe si e tillë është e panegociueshme. Prandaj, “konflikti” i PD-së me LSI-në është i stisur dhe ai që e ka kthyer këtë stisje në kalë të betejës elektorale, nuk është i denjë të krahasohet as me Don Kishotin, që luftonte me mullinjtë e erës. Sa i takon përpjekjes së dështuar për demonizimin e LSI-së, le të kujtojmë vetëm pak fakte: ishte LSI që e bëri PD-në forcë qeverisëse dy herë; me 2005-ën dhe me 2009-ën. Ishte po LSI që i shpëtoi asaj fytyrën dhe nderin vetëm në vitin e kaluar e këndej: një herë duke u bërë faktori themelor i pranimit prej saj të reformës në drejtësi dhe votimit konsensual në Kuvend dhe herën e dytë, duke e nxjerrë nga çadra e duke e futur në zgjedhje. Por edhe duke bërë shpeshherë oponencë të vendosur të qeverisjes, LSI përsëri i ka bërë një nder të madh edhe PD-së, sepse i ka dhënë asaj ushqimin e nevojshëm të opozitarizmit edhe kur nuk ka pasur as zë dhe as guxim të fliste, siç ka qenë për shembull lufta kundër kultivimit e trafikimit të drogës, lufta kundër kanabizimit të vendit, për të cilën Luli filloi të fliste vetëm pasi humbi në zgjedhjet për bashkinë e Dibrës. Ai le të vazhdojë e të merret me LSI-në! Për anëtarët e simpatizantët, për votuesit e përkrahësit e shumtë të LSI-së në të gjithë vendin e kudo ku ka shqiptarë sulmet e shpifjet e Lulit janë asgjë! Ai thjesht po bëhet qesharak e po i lë pa mend edhe vetë demokratët, të cilët të mësuar me dimensionet prej lideri të Berishës, nuk gjejnë asnjë motiv për t’u sakrifikuar për të keqpërdorurin e oligarkisë, e cila meqë në makuterinë e vet për të kapur të gjithë shtetin ka pengesë vetëm LSI-në, po përdor edhe kryetarin e PD-së si instrumentin e radhës, siç e përdori për të shuar kauzën e opozitës, duke i dhënë OSHEE-në e disa drejtori të tjera. Demokratët, si të gjithë shqiptarët; edhe si socialistët, edhe si ata që votojnë LSI-në a këdo parti tjetër, por edhe si ata që nuk kanë ndonjë preferencë apo simpati për partitë, nuk kanë nevojë për kantilenat e Lulit, por duan punë, duan taksa më të ulëta e më shumë vende pune të mirapaguara, duan stabilitet e qeveri që ju shërben qytetarëve e jo kryetarëve. Prandaj do të votojnë LSI-në e jo Lulin, sepse natyrshëm një votues demokrat mund të votojë me lehtë për Petrit Vasilin se sa për Edi Ramën.

Por duhet të dish edhe një gjë tjetër, or Lul: LSI nuk e ka forcën tek të punësuarit, sepse as PD-në nuk e mbajtën në pushtet të punësuarit më 2009-ën, ashtu sikundër as LSI-së nuk i dhanë pushtet të punësuarit, që ti me mosmirënjohje i hoqe të gjithë nga puna kur ishe kryetar i bashkisë së Tiranës, të cilën e fitove vetëm falë votës së LSI-së. LSI e ka forcën aty ku ti nuk arrin të prekësh dot; tek rinia dhe puna e përkushtuar e saj, tek mirënjohja, mbajtja e fjalës e gjithëpërfshirja, tek solidariteti dhe humanizmi, vlera me të cilat ti nuk ke asnjë pikë takimi.
Sigal