Luan Rama/ Me një anëtar një votë do të zgjedhim struktura të reja dhe kreun e LSI

432
Sigal

Ilir Meta konfirmon kandidaturën
për garën për kryetar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim që do të
mbahen në 6 nëntor. Kandidaturat u konfirmuan në mbledhjen e djeshme të
Kryesisë së LSI-së. Sekretari i Përgjithshëm Luan Rama tha në një deklaratë për
mediat se pjesë e garës është bërë edhe anëtari i Kryesisë dhe kryetari i
LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj. Luan Rama njoftoi se deri më datë 30 shtator
është afati përfundimtar për regjistrimin e të gjithë atyre personave që
dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj gare zgjedhore në LSI. “Mbledhja rikonfirmoi
edhe një herë vendimin se këto zgjedhje do të mbahen me pjesëmarrjen e të
gjithë anëtarëve të LSI-së në të gjithë vendin duke respektuar me rigorozitet
atë që tashmë është një vlerë e konsoliduar në këtë parti, që ka të bëjë me
respektimin e parimit një anëtar një votë”, tha Rama.Duke e konsideruar këtë
fazë të zhvillimit politik strukturor dhe organizativ të LSI-së një moment të
rëndësishëm për konfirmimin e vlerave që ka krijuar LSI, por më shumë se për
kaq, për ridimensionimin e rolit të saj në përballimin e sfidave politike të së
ardhmes, nga selia qendrore e LSI-së ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët,
mbështetësit e votuesit e kësaj partie të bëhen pjesë e diskutimit, debatit dhe
fushatës së zgjedhjeve, duke ofruar kontributet, alternativat, propozimet,
mendimet dhe vlerësimet e tyre për gjithçka ka të bëjë me mënyrën e
funksionimit dhe organizimit të LSI-së, prej konventës së zhvilluar 4 vite më
parë e deri sot”, deklaroi Rama.

Rrokaj: Partia ka nevojë të hapet
më shumë ndaj bazës

Kandidati për kryetar i LSI-së,
Shezai Rrokaj në një prononcim për mediat pas shpallje së kandidaturës deklaroi
se ka një platformë, e cila sipas tij, do të shërbente për shëndoshjen e
LSI-së. “Mendoj se idetë e mia dhe platforma ime do ta shëndoshë LSI-në dhe në
fund të fundit, alternativat i bëjnë gjithmonë mirë një partie”, tha ai.
Partia, sipas Rrokajt, ka nevojë të hapet më shumë ndaj bazës, ashtu si edhe të
rritë performancën e saj në bazë dhe për këtë, ai shprehu bindjen se idetë e
tij do të dëgjoheshin me vëmëndje nga anëtarësia e partisë. “Anëtarësia do të
vendosë se kush do të jetë fitues”, deklaroi ai. Partitë tona, vijoi Rrokaj,
kanë nevojë të jenë më të hapura ndaj shoqërisë civile dhe të jenë më pak
agresive. “Zbutja e toneve dhe konfliktit do të jetë një nga drejtimet e mia,
ku shpresoj që partia të zbutet nga militantizmi dhe fanatizmi politik dhe të
promovojë me shumë vlerat e intelektualëve, duke dëgjuar edhe më tepër bazën”,
u shpreh Rrokaj.