Luan Rama: 5 Maji, ditë e amanetit të gjakut

508
Sigal

Edhe këtë vit si në çdo 5 Maj, nën tingujt e këngëve partizane, LRI ka zhvilluar homazhe pranë bustit të Qemal Stafës, në ditën e rënies së tij që simbolizon edhe ditën e përkujtimit të dëshmorëve të atdheut.

Bashkë me ta ka qenë edhe Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama Nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho, ish-deputetët Klajda Gjosha, Nora Malaj dhe Floida Kërpaçi, këshilltarët e LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Eltion Halimi dhe Ardit Çela si dhe të rinjtë e forumit rinor të Lëvizjes Rinore për Integrim.


Pas vendosjes së buqetave me lule, në fjalën e rastit, Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama theksoi se:
“Sot jemi në 5 Maj, në ditën e shenjtë të nderimit të dëshmorëve të luftës Antifashiste-Nacional Çlirimtare. Në ditën e nderimit të gjakut të partizanëve të lirisë të cilët duke vënë Shqipërinë mbi gjithçka, flijuan jetën e tyre, ëndrrat e tyre, për Shqipërinë e lirë që ne gëzojmë sot. Natyrisht kjo është bërë një ditë simbolike, një ditë e shenjtë sepse lidhet me aktin heroik të simbolit të të rinjve shqiptar në Luftën Nacional Çlirimtare, siç është Qemal Stafa. Por është dimensionuar në përmasat e një dite nderimi për të gjithë Dëshmorët e Atdheut, për të gjithë Dëshmorët e Kombit. Por është edhe një ditë mesazh, pasi amaneti i gjakut, është amaneti më i shenjtë i një populli. Aq më tepër në kontekstin e zhvillimeve në të cilat gjendet Shqipëria e sotme, përkundër hipokrizisë së një pushteti dhe të një Kryeministri, i cili jargavitet pas kufomave të bashkëpunëtorëve të fashizmit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe pas atyre që për turpin e tyre zgjodhën të bëhen me humbësit e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kjo hipokrizi shfaqet edhe sot duke i rivrarë të rënët në luftë, me nderimin për pinjollët dhe bashkëpunëtorët e fashizmit që prej Mithat Frashërit dhe të gjithë të tjerëve. Prandaj është ditë amaneti, në mënyrë të veçantë për të rinjtë e Shqipërisë të cilët mbi bazën e këtij amaneti që është blatuar në themelet e lirisë së Shqipërisë, ta transmetojnë atë si amanet të shenjtë nga brezi në brez, sepse të gjitha të tjerat shkojnë e vijnë, amaneti i gjakut mbetet i përjetshëm, siç është i përjetshëm nderimi dhe mirënjohja për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për Dëshmorët e Atdheut, për ata që bën të mundur që Shqipëria të jetë kjo që është sot. I përjetshëm kujtimi dhe përjetësisht nderim për sakrificën, gjakun dhe për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”-, tha Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama.