LSI Durrës, Elona Guri: T’i themi ndal shpopullimit, varfërisë dhe korrupsionit të kësaj qeverie

217
Sigal

Ditën e sotme, drejtuesja politike e Qarkut Durrës, Elona Guri i është drejtuar qytetarëve të këtij qarku me një mesazh në kuadër të zgjedhjeve të 25 prilli, ku thotë se pas 8 vitesh keqqeverisje të “Rilindjës”, Durrësi dhe qytetarët e tij duhet t’i japin fund shkeljeve që bëhen nga një grup njerëzish në pushtet.

“Durrësi është i tëri i betonizuar, pa asnjë park, kënde lojrash për fëmijë, pa hapësira publike, dhe i vënë në shërbim të sektit të betonit dhe korrupsionit. Me qindra miliona euro janë vjedhur e shpërdoruar në ngushtime rrugësh, asfalte pa standarde, tendera dhe PPP për oligarkët e qeverisë, ndërkohë që Ju, të nderuar banorë të Durrësit, jeni varfëruar gjithnjë e më shumë dhe e përballoni me vështirësi jetesën, pa shpresë për të ardhmen, pa siguri për punën, shëndetin, dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj.”,- shprehet Guri në mesazhin e saj të shpërndarë në rrjetet sociale.

 

Mesazhi i plotë i Elona Gurit:

Të nderuar banorë të qarkut të Durrësit,
8 vite të keq-qeverisjes së “Rilindjes” kanë shkaktuar një dëm të madh në ekonominë e familjeve Tuaja, dhe një varfëri e papunësi ekstreme për Durrësin e mbarë vendin. Sot pensionistët nuk arrijnë të paguajnë faturat e ujit dhe energjisë, të cilat në Durrës janë më të lartat në vend dhe nuk përballojnë dot kostot për ilaçet dhe shpenzimet ditore të jetesës. Rinia po largohet dita-ditës pasi nuk ka punë, të ardhme dhe shpresë. Sot familjet e Durrësit janë në kushtet e mbijetesës dhe biznesi është në prag falimenti. Duhet NDRYSHIM dhe një qeverisje e re që i shërben banorëve dhe familjeve të thjeshta.
Durrësi është i tëri i betonizuar, pa asnjë park, kënde lojrash për fëmijë, pa hapësira publike, dhe i vënë në shërbim të sektit të betonit dhe korrupsionit. Me qindra miliona euro janë vjedhur e shpërdoruar në ngushtime rrugësh, asfalte pa standarde, tendera dhe PPP për oligarkët e qeverisë, ndërkohë që Ju, të nderuar banorë të Durrësit, jeni varfëruar gjithnjë e më shumë dhe e përballoni me vështirësi jetesën, pa shpresë për të ardhmen, pa siguri për punën, shëndetin, dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj.
“Rilindja” e shpopulloi Durrësin dhe Shqipërinë. 600 mijë shqiptarë, 400 mijë të rinj e të reja u larguan sepse këtu nuk kishin punë, mundësi dhe mirëqenie. Braktisi 8 mijë banorë me shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, i la të kalonin dy dimra të ftohtë në çadra e kontejnerë dhe 900 familjeve DS4 ende nuk u ka dhënë informacionin më minimal se çfarë do bëhet me to. Zhvatën qindra miliona euro për oligarkët dhe nuk siguruan teste dhe vaksina për JU. Me vjedhjet e parave Tuaja ushqejnë veten dhe Durrësin e lenë të përmbytet sa herë që bie shi.
Durrësi meriton më shumë. Banorët e qarkut të Durrësit meritojnë mirëqenie, punësim, arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, mbështetje ekonomike, paga e pensione më të larta, e standarde më të mira jetese.
T’i themi NDAL shpopullimit, varfërisë, betonizimit, korrupsionit dhe një qeverie që shkatërroi ekonominë e familjes Suaj dhe ka braktisur banorët e qarkut të Durrësit në ditët më të vështira.
Është privilegj për mua të kem votën dhe mbështetjen Tuaj, që të jem zëri i këtij qarku të mrekullueshëm, t’Ju shërbej me të gjithë forcën time, dhe të punojmë së bashku për ta bërë Durrësin dhe Shqipërinë shtëpinë tonë.
Me respekt,
Elona Guri
#DurresiShtepiaJuaj
#LSI