Skenari i Ramës, Pandeli Majko në vend të Gramoz Ruçit!

595
Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe Kryetar i PS-së, duket se po përgatitet për goditjen e radhës brenda forcës politike që drejton. Pasi la pa mbështetje një nga mbështetësit e tij kryesorë, Koço Kokëdhimën, i cili humbi mandatin në Kushtetuese, ndërkohë që për të njëjtat arsye kjo nuk ndodhi me disa nga kolegët e tij socialistë, Rama duket se po projekton jo vetëm pasardhësin e tij në krye të PS-së, por edhe bashkëpunëtorët e tij. Një nga shtyllat kryesore të Partisë Socialiste është posti i Sekretarit të Përgjithshëm, i cili sot mbahet nga Gramoz Ruçi, i cilësuar si njeriu i hekurt në këtë parti. Por ajo për të cilën Ruçi duket se nuk është shumë i favorizuar për të vijuar në këtë pozicion edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, janë raportet e “ftohta” që ai ka me ato që quhen si Rilindasit e PS-së. Për shkak të frymës edhe të Rilindjes, sot Partia Socialiste, duket se ka humbur një pjesë jo të vogël të identitetit të saj, gjë që në kohë fushate nuk është aspak pozitive. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një test i rëndësishëm për këtë forcë politike, veçanërisht për kreun e saj Edi Rama, i cili në rast të një disfate politike, do t’i duhet të largohet nga drejtimi i partisë që e morri nga 2005. Por në rast fitoreje, Rama mund të synojë një tjetër post, atë të Presidentit të Republikës, duke hequr dorë nga drejtimi i Partisë, e cila mund të kalojë në duart e Erjon Veliajt, sikundër është përfolur vazhdimisht, dhe Majko për shkak edhe të raporteve të tij me Kryebashkiakun aktual të Tiranës, mund të jetë një mbështetje shumë e mirë për të. Si në rast humbjeje ashtu edhe fitoreje, Kryeministri duket se po projekton njerëzit që do të drejtojnë Partinë Socialiste dhe për këtë duket se loja ka nisur. 

Pozitat e “Njeriut të Hekurt”

Arriti të mbijetojë përballë çdo zhvillimi politik në Partinë Socialiste. Ishte prezent kur shumë nga kolegët e tij, themelues të partisë kryesore qeverisëse në vend, u lanë mënjanë apo u larguan nga çdo forum drejtues, apo edhe nga politika. Por tashmë, lëvizjet që për vite me radhë nxorën jashtë loje emra të njohur të politikës, nga lideri historik i PS-së, Fatos Nano, dhe pastaj me radhë të tjerë emra, duket se po prekin edhe atë që për 25 vite konsiderohej si njeriu i hekurt në PS, Gramoz Ruçin. Ky i fundit ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm në kohën kur Partia Punës së Shqipërisë, e shndërruar më pas në Parti Socialiste, qeveriste vendin. Ndoshta kjo mund të jetë një nga arsyet që Ruçi mund të mënjanohet nga politika, sikundër flitet në radhët e socialistëve, për shkak edhe të dekriminalizimit, ligj që ka nisur të zbatohet prej disa javësh. Në 2005 ishte krahu i djathtë i Edi Ramës, pas tërheqjes së Fatos Nanos nga postet drejtuese të Partisë Socialiste, ndërsa qëndrimi i tij u komentua në atë kohë si një lëvizje që do të mbante të bashkuar socialistët dhe emrat e rinj që më vonë u katapultuan në forumet e kësaj partie, dhe brenda një kohe të shkurtër, arritën të marrin drejtimin e saj, përmes asaj që sot quhet Rilindje. 

Në kongresin e socialistëve, të zhvilluar në atë vit, ndikimi i Ruçit në miratimin e statutit të ri të kësaj partie, nën drejtimin e Edi Ramës, ishte thelbësor, aq sa pa mbështetjen e tij, delegatët socialistë mund të rrëzonin propozimet që vinin nga Rama. Por çfarë po ndodh sot me kreun e Grupit Parlamentar socialist, i cili mban edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie? Nëse do të analizojmë të gjitha zhvillimet politike në PS, por edhe në politikën shqiptare, Gramoz Ruçi është lënë në hije, qoftë në Parlament, ashtu edhe në raportet me opozitën. Madje Kreu i PS-së, Edi Rama, edhe në takimin e zhvilluar me Kreun e PD-së Lulzim Basha, nuk preferoi ta kishte në krah me cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar, megjithëse kreu demokrat në anën tjetër, kishte marrë në takim, kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Në Kuvend, Ruçi gjatë 3 viteve të kësaj legjislature, ndonëse deputeti më i rregullt në pjesëmarrjet parlamentare, në shumë pak seanca flet në emër të Grupit Parlamentar, madje edhe ndërhyrjet e tij në shumicën e rasteve janë një apel për respektimin e Rregullores së Kuvendit gjatë seancave parlamentare. Debatin me opozitën në Kuvend e drejtojnë Edi Rama dhe Taulant Balla, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri apo ndonjë emër tjetër mes radhëve të socialistëve. Në këtë mënyrë, duket se Kryeministri, njëherësh edhe Kryetar i PS-së, po mënjanon në pothuajse çdo hapësirë të debatit politik Gramoz Ruçin, i cili duket se po pranon në heshtje mbylljen e një karriere politike në radhët e Partisë Socialiste të drejtuar nga fryma e Rilindjes. 

Majko si zëvendës i Ruçit

Kryeministri Edi Rama, njëherëz edhe Kryetar i PS-së, duket se ka piketuar edhe zëvendësin e Gramoz Ruçit në PS, për të mbajtur nën kontroll, bazën e Partisë Socialiste, apo ato që konsideron si katalizatori i kësaj partie në kohë të vështira, qoftë edhe fushatat. Pandeli Majko deri dje në hije, në zhvillimet më të fundit politike, duket se po merr një rol të veçantë. Majko është pjesë e Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi, ndoshta edhe për shkak të pjesëmarrjes së tij në Komisionin e Ligjeve. Por jo vetëm kaq, ai u përzgjodh nga Rama për të zhvilluar një takim me kreun demokrat Lulzim Basha, i cili u pasua më pas me tryezën mes Kryeministrit dhe kreut demokrat. Ndoshta eksperienca e tij në radhët e socialistëve, e cila nis nga FRESSH, apo krijimi i një stature të një politikani të matur dhe larg konflikteve, duket se janë cilësitë që Kryeministri Rama ka vendosur t’i shfrytëzojë nga Majko për të mbajtur të lidhur me bazën e kësaj partie. I moderuar në qëndrime, Majko përfshihet ndër politikanët që pavarësisht përplasjeve në PS, ka ditur të jetë i pranueshëm për të gjithë aktorët dhe faktorët. Ndoshta sepse ai nuk është konsideruar asnjëherë si një lojtar i fortë në fushën politike, për ti “kërcënuar” pozitat drejtuese në Partinë Socialiste çdo kryetari apo drejtuesi të kësaj partie. Nano në jo pak raste e ka parë si gomone shpëtimi, madje edhe në 1998, ndoshta periudhën më të ashpër të përplasjeve politike mes demokratëve në opozitë dhe socialistëve në qeverisje. Në atë periudhë ai morri drejtimin e Qeverisë, pas dorëheqjes së Fatos Nanos, dhe u ul në bisedime me opozitën e asaj kohe, duke zhvilluar një takim me ish-Kryetarin e PD-së, Sali Berisha. 

Në vitet që do të pasonin sërish Majko hera herës do të dilte në skenë si “shpëtimtar” momental në përplasjet brenda PS-së deri në vitin 2005, kur drejtimin e PS-së e morri Edi Rama. Ish-Kryeministri pranoi të gjitha zhvillimet në PS, përfshi këtu edhe largimin një nga një të disa prej kolegëve të tij, si Marko Bello, Arben Malaj, Andis Harasani, Elmaz Sherifi, etj. Ai pranoi të qëndronte në hije edhe kur në forumet drejtuese të PS-së u katapultuan drejtuesit e Lëvizjes “Mjaft”, e cila mund të kishte organizuar me dhjetëra e dhjetëra protesta ndaj Qeverisë Nano në vitet 2004-2005, pjesë e së cilës ishte edhe Pandeli Majko. Ky i fundit pranoi të ishte një nga ligjvënësit socialistë pa qenë pjesë e drejtimit të PS-së, Sekretariateve të saj, por në çdo periudhë ka qenë pjesë e Kryesisë së socialistëve, dhe një nga emrat e përfolur gjithmonë si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës. Në zgjedhjet e fundit vendore ai u angazhua në krah të Erjon Veliajt, duke qenë një nga njerëzit më të besuar të tij, të paktën gjatë fushatës, ndërsa nuk mungoi edhe batuta e tij, diku nga mesi i fushatës kur tha: “në kohë fushate kapiten jam unë, pastaj vijmë në pushtet dhe ndërrojnë gjërat. Këta socialistët e mi të vjetër më kuptojnë shumë mirë mua për çfarë e kam fjalën”. Madje, jo vetëm kaq! Majko ka ditur të ruajë një distancë në rivalitetin Veliaj-Tahiri, duke bërë edhe një krahasim mes tij dhe Ilir Metës, gjatë kohës që të dy ishin pjesë e FRESSH-it dhe drejtues të rëndësishëm në Partinë Socialiste. Tashmë duket se Majko do të marrë rolin që ka kryer më së miri për shumë vite në Partinë Socialiste, veçanërisht në kohë krizash. Në 3 vitet e qeverisjes, Rama ka lënë pas shumë nga kontribuesit e kësaj force politike, ndërsa pozicionet më të rëndësishme qofshin në Qeveri, ashtu edhe në drejtimin e PS-së, i janë besuar atyre që nga socialistët e vjetër quhen Rilindas. Ndoshta, Majko është asi nën mëngë i Edi Ramës, për të mbajtur të bashkuar socialistët dhe rilindasit, për të ulur deri diku presionin e bazës së PS-së, apo për të përdorur maturinë dhe eksperiencën e tij, në uljen e tensioneve të brendshme. Në fund të fundit, ish-Kryeministri socialist nuk përbën rrezik për asnjë në Partinë Socialiste, dhe aq më shumë për kreun e saj, Edi Rama. 
Sigal