Loro Stajka: Edhe ne shqiptarët e Amerikës jemi fajtorë për lojën komuniste në Shqipërinë post- demokratike!

1125
Sigal

Stajka: – Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ishte me mendimin që të ndimohej e përzgjidhej elementi i emigracionit, ndërsa State Department zgjodhi me përkrah ish-komunistët e reformuar dhe ua besoi atyre qeverisjen demokratike të Shqipërisë Post- Demokratike…

Nga Dalip Greca, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, New York

Loro Stajka, 89 vjeçar, jeton pleqërinë në Virxhina. Ai është një nga përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar aktiv, që arriti t’i shpëtonte prej kthetrash diktaturës komuniste shqiptare në çastin që po i përgatitej kurthi. Pasi e kishin përzënë nga Gjimnazi si të padenjë për të qenë në një klasë me “bijtë e popullit”, i ati ia kishte arritë, që me miqësitë e vjetra ta emëronte mësues nëpër katundet e Shkodrës, fillimisht në Kushë të Hotit. Ishte i vetëdijshëm se nuk e kishte të gjatë qenien mësues, pasi komunistët e kishin futë në ‘rreth të kuq’ familjen e tij; Vëllai i madh, Ndoci ishte i arratisur, daja Kolë Kiri ishte në burg, nga që kishte përcjellë Patër Anton Harapin me Lef Nosin në Dukagjin dhe shoferi i Patër i Antonit e kishte kallëzu tek sigurimi, vëllau i vogël Nika, si student i teologjisë, ishte burgosë… Pikërisht në vitin shkollor 1948-49, kur jepte mësim në Koplik të Poshtëm, i del përpara një nga emisarët e Partisë Komuniste, A. L, të cilin Loro e cilëson kriminel, dhe i thotë se përse nuk fle në shkollë, por ikën përnatë dhe i jep detyrë që atë natë të flejë në shkollë. Dhe Loro e merr vendimin që, jo në shkollë, por të mos flinte më as në Shqipëri. Arratiset së bashku me prindërit dhe merr me vete edhe priftin e Shirokës, Don Zef Shllakun.

  • Po ç’kalvar ndoqi nga dy tentaivat e arratisjes për në Austri e derisa arriti në vendin e lirisë, SHBA?
  • Si arriti të shkollohej dhe të merrte Master për Edukim?
  • Në ç’rrugë eci përfshirja në jetën politike të Diasporës, ç’kujtime ruan nga takimi i Partive politike të Madridit, si u njoh me Lec Shllakun dhe Isa Elez Ndreun?
  • Si e priti rënien e komunizmit dhe si shkoi për herë të parë në Shqipëri? Zhgënjimi…
  • Si e gjykon ai klasën politike në Shqipërinë post-komuniste?

Ndiqeni intervistën që i morëm për “Diellin”. Përgjigjet e tij kemi lënë në dialektin e gegnishtes.

 

– Dielli: Ku dhe kur u lind Loro Stajka?

Loro Stajka: – Jam lind në fshatin Shirokë të Shkodrës, më 10 gusht 1930. Jetoj në Virginia.

 

– Cila është familja e Loro Stajkës?

Familja ime përbëhet: Prej meje, gruaja Desanka, e lindur në Mal të Zi, malazeze, por shoqe e jetës qysh më 1955-n, asht ba krejt shqiptare. Kena në dorë të Zotit 5 fëmijë, dy djelm dhe tri varza, të gjithë të martuem

– Çfarë kujtoni nga fëmijëria dhe mosha e rinisë suaj?

Kur sillen në kujtime të fëminisë, kujtoj ditët ma të lumta të jetës time. U rrita në familje ku pata dashtuninë e prindërve, vllazënve dhe dajve, axha, hallë e teze, por ai gëzim ndryshoi po sa hyni komunizmi, Nanduer 1944, që unë posa i kishëm mbushun 14 vjetët. Mbas asaj dite ndryshoi gjthçka.

 

– Familja Juaj dhe komunizmi ballë për ballë – Çfarë kujtoni nga ajo përballje dhe pse u bë e pamundur jeta juaj në vendlindje?

Vëllau i madh, Ndoci ishte i arratisun; daja Kolë, Kolë Kiri ishte në burg se kishte përcjellë Patër Anton Harapin dhe Lef Nosin në Dukagjin. Shoferi i Pater Antonit i doli dëshmitar se Kola i kishte marrë mbasi kishin kalue Urën e Mesit mbi Shkodër. Shoferi kishte thanë: Kola e din ku janë. Daja nuk e pranoi, dhe si turturë e kanë pas varë me krye teposht në burgun e Shkodërs e lanë ashtu për ca kohë.. . Vllau Nika si student në teologji u burgos. Këta na kishin cilësue familje reaksionarësh në fshat e për këto arsye nuk na dhanë triskën e frontit, as triskat e ushqimit. Jeta na ishte ba ferr. Edhe pse jetojshim në këto kondita qëndruem fort me motivin se gjithmon ekzistonte nji shpresë shpëtimi, se pa vonue do të çliroheshim një ditë. Me siguri pohoj se jam i pari student që më kanë përjashtue prej gjimnazit. Ishte Fruer 1947. Me miq baba më gjeti punë si arsimtar. Më kishin emnue fillimisht në Kushë të Hotit, përgjatë vitit shkolluer 1947-48.

 

– Kur, me kë dhe në çfarë rrethanash e latë Shkodrën? Mund ta detajoni planin e arratisjes dhe realizimin e tij? Me sa kam lexuar ju keni marrë me vete gjatë arratisjes edhe Don Zef Shllakun, famullitarin e Shirokës. Si u bashkuat me të dhe a nuk rrezikuat duke pasur priftin me vete?

Për vitin shkolluer 1948-49 më kishin emnue si arsimtar në Koplik të Sipërm e ndërsa po shkojshe në shkollë më ndalon Asllan Liçi, nji ndër kriminelat ma të mëdhej në Malci të Madhe e më pyet ku flej, e shton: Unë nuk të kam pam se ti s’flen në shkollë”… Në atë thanje e pash se ai më kontrollon çdo levizje, por kur tha se duhet të flesh në shkollë e pash se çka po më pregatitet dhe vendosa jo me fjetë në shkollë, por as në Shqipni jo. Vendosa të iki, kah Hoti, që njifshem mirë kufinin. Mendimi i parë më erdhi për prindët, nuk mund t’i lija ata në duert e komunistëve. Shkova në shtëpi, me ndihmën e kojshisë gjeta lundrën që nuk ishte e lidhun me zinxhir. Veçse në këtë rast kojshija kërkoj ndere prej mejet. E ndera ishte, që unë duhej me marrë Don Zef Shllakun, që ishte famullitar i Shirokës. Me thanë të drejtën, unë ngurrova në fillim, por nana tha: “Po bir, ta marrim, se në na hetojshin, na i ban shartet e dekës…” Nuk qe e lehtë arratisja. Ishte nji udhëtim shumë i rrezikshëm, veçse rreziku ishte me Don Zef e pa Don Zefin, i njajtë.

-Ku shkuat dhe kush ju priti? Si ju trajtuan në vendin fqinj. Kur dhe si emigruat në SHBA?

Me 25 Shtator 1948 arritëm në Jugosllavi. Trajtimi në fillim kje shumë i keq. Mue dhe Don Zefin na futnë në burg e na kanë mbajt për afër dy vjet, mandej na dërguen herë në nji kamp herë në një tjetër, herë na linin të lirë. Na hidhshin si nji leckë andej e këndej si i përshtatej qeverisë Jugosllave. Me vllan’ vendosme që me ikë për Austri me krejt familjen, por nuk duel si e menduam. Kur po arrinim te vija e kufinit me Austrinë na rrethuen me qen e përsëri na kthyen për në Mal të Zi. Oficeri i U.D.B-së na dha urdhën që mos me kalue rrethin e qytetit të Nikshiqit pa leje. Na vuni në kondita jetese të vështirë. E kuptuam se me familjet do ta kishim shumë të vështirë arratisjen. E për atë arsye me vllaun vendosmë me ikë vetëm na të dy e me lanë familjet në Nikshiq. Ashtu veprum . Në Austri jetuem dy vjet. Erdh dhe familja. Përditë u ndiente tuj folë kundra komunizmit, bile tuj bërtitë me të madhe e me kujtohet fjala kineze që thotë: “Në vend qe me ndej tuj bërtitë kundra territ, asht ma mirë që të merret e të ndezet nji qiri!” Po shtoj ç’ka tha Shën Agustini: “Na duhet ma parë t’i dishmojmë punët e këqija e, atëherë mund thona, se kemi fillue punët e mira”, por këtë nuk e bante asnjeni. Na duhej një flamur, por s’kishim ku e gjenim. Materialin e blemë si grup, gruaja ime e qepi dhe qendisi dhe atë Flamur e ruaj edhe sot në dhomën time të pritjes. Më 28 Fruer 1961 kemi arritë me familje në Amerikë. Në Kenedy aerport më priti nji shok imi që kishte ardhë në Amerikë nja 6 muej para. Ai jetonte në Hackensack N.J. Dalëkadalë u sistemuem. Grueja filloi punën para meje edhe mbas nja dy javësh fillova dhe unë, me fshi e me pastrue në nji fabrikë ku prodhohej plastikë .Mbas dy vjetve gjeta punë në Bronx, si superitendent në nji ndërtese. Aty u njoftova me zotni Lec Shllakun, i cili me foli për zotni Isa Elez Ndreun. Kështu filluem shkëmbim letrash dhe filluem me u njoft. Mbasi i shkruem njani tjetrit do letra e kuptova se kam të baj me nji person që, edhe pse kishte kalue do kohë jasht Atdheut ishte njeri me tradita, kishte besë, nder e burrni. Gjatë jetës në mërgim, takova dhe pashë shumë, por ai ishte i veçantë.

 

 

  • Si ishte fillimi në SHBA? Ju keni lëvizë në në disa shtete të Amerikës së Veriut derisa u vendosët në Virginia. Çfarë sillni në kujtesë në këtë shtegtim nga NY, në Michigan e më pas, në Virginia?

Fillimi kje i vështirë si çdo fillim, por shokët e mirë, edhe të pa njoftun, më ndihmuan. Dishiroj ta përmendi Zotni Vait Çika e zoja e tij Teuta, ishin të mrekullushëm. Kur grueja ime lindi fëminë, zoja Teuta erdhi në shtëpi me i ndihmue nanës teme. Lirisht mund të them, se në këtë jetë kam ndesh shqiptarë shumë të mirë. Kujtoj se në vitin 1966 shkova në Michigan, gjeta pune në nji fabrikë. Punova fort. Mbas do kohe fabrika më pagoi studimet. Edhe pse isha në moshë, unë brenda nji viti mora B.A se më njoftën do kredite prej atyne që kishëm ba kur isha në Jugosllavi. Punova edhe për shkollat Publike të Detroidit, edhe ata më paguen studimet për Master në Education. Fëmijët u rritën. Dy prej tyre erdhën në në Washington D.C edhe unë u barta prej Michiganit në Virginia. Zotni Greca, kam pas fat me ndesh njerëz të mire në këtë jetë, por ndesha edhe asish që si kanë thanë: “Ban mirë e gjej dhunë”, e qe nji shembull; Një person, shkodran, me familje edhe sot jeton në Michigan, e mbajta në shtëpi për tre muej se u smu. I gjeta punën, e ndihmova me u rregullue, por kur mue më caktuen me mbajt fjalimin për 28 Nanduer, ma “shpërbleu”. Ai me njifarë Prek Grudet, që sa kje në Jugosllavi ndej gjithmonë krah për krah me Dushan Mugoshen, kundërshtuan dhe u mundue me organizue gjindjen, që unë mos ta mbaja fjalimin, se sipas tyre, nuk i takonte shirokasit…! Sot na mbahet burr i mir, bile kaihere shof se si zakon asht bam po përdoren edhe do superlativa, fjalë që po hapet e përdoret si faret e hithave…

 

– Po me shoqata, Parti Politike, a jeni marrë gjatë jetës tuaj në SHBA? Si shkuat tek Bashkimi Shqiptar?

Unë nuk shkova te Bashkimi Shqiptar në megrim. Ne Shqipni isha antar i Organizates Bashkimi Demokrat e sa mbrrijta ne Austri tuj pamë dasinat e ngatrresat e partive në mëgrim, mendova që të filloj në botën e lirë me atë ku kishëm marr pjesë në Shqipni, në Bashkimin Demokrat.

 

– Si u arrit bashkimi i tri grupimeve politike: Heroizma Shqiptare, Partia Katundare dhe Bashkimi Shqiptar në Mërgim? Ishte proces i vështirë?

Bashkimi i Tre grupeve nuk kje fort i kollajt, por u arrit. Unë qendrova e nuk leshova. Dy zaje jane ma te fort se nji. Isaja nuk kje person qe thonte: Me takon mua dhe pikë! Ishte i mirëkuptushëm.

– Ndërkohë, ju keni qenë edhe në takimin e Madridit të 30 qershorit 1972. Çfarë kujtoni nga ai takim?

Nga takimi në Madrid kujtoj se ishte një ide e mirë. Kujtoj personat që morën pjesë. Aty m’u dha rasti me u njoft personalisht me zotni Isa Elez Ndreun e aty na u dha mundësin që të ndrrojmë mendimet me njeni tjetrin, për pa pas ndonji ndërmjetës. Njoha edhe zotni Xhafer Devën, që më la nji përshtypje shumë të mirë, njoha Kolonel Hysen Selmamin, ndërsa pjestarët e tjerë i kisha takue edhe përpara. Atje u fol për nji bashkëpunim, por gjithmonë delte uni, oxhaku, bajraku, dikush thoshte se më takon mue se jam shtëpi e madhe, një tjetër: kam luftue ma shumë unë se tjetri etj… Harroshin se shumë prej tyre kishin ikë pa shprazë nji pushkë e ne të rijve na patën lanë në dorë të dreqit, e njata, ishin që i kishte ardhë thika në fyt e ishte e nevojshme me bam nji bashkim, por kur u mblodhnë në Shkodër në ditët e mbrame të Nandorit 1944, disa dolnë në mal e as aty nuk formuen nji front të përbashkët, por gjithecili shikonte se si me dal në krye. Dolne në mal se u përflitet, se nesër mbas nesrit po zbarkojnë Englezët dhe Amerikanët. Vendimet që u mornë në Madrid kjenë të mira, por kan thanë dikur: “Sa thana janë, kokrra nuk bajnë” e ashtu ndodhi. Në Madrid u la që të bahet nji mbledhje e dytë, edhe u ba, por nuk doli kurrgja prej saj se: “Dikush thumit e dikush patkonit…” Këtu dishroj të përmendi nji person që ishte nder në emigracion, e ky kje Prof Rexhep Krasniqi, i mirë, i urtë, i njerzishëm, si kanë than’ dikur: “Burr 400 okësh”. Në atë mbledhje unë e Isaja shpallëm se jemi shkri në nji parti.

 

– Si e pritët rrëzimin e komunizmit për të cilin patët luftuar gjatë?

Me përshkrue si e prita çlirimin e Shqipnisë prej komunizmit e kam shumë të vështirë, por besoj se keni me më besue. Kurrë në jetën time sytë e mij nuk kan lëshue lot as prej idhnimit, as prej gëzimit, por atë ditë u ligshtova e nuk mujta me durue pa lëshue lot, por lot falemnderës Zotit, gëzimit.

 

– Kur dhe si shkuat për të parën herë në Shqipërinë e post-komunizmit?

Dhandrri i jem në atë kohë ishte me detyrë në Wienë e menjiherë shkoj në Shqipni në vizitë zyrtare. Kur u kthye më telefonoi e më spjegoi gjendjen atje. Më bani thirrje që të ndalem në Wienë e prej aty të vazhdojshëm për Shqipni. E ashtu veprova, por mbasi me nji koleg temin Amerikan që kishim punue bashk e studjue bashk e ai si nënpunës në Spitalin e universitetit të Michiganit më mblodhi do ilaçe, 10 bakse, e ai ndërhyni pran kompanisë ajrore Hungareze me më bajt ato falas që edhe ashtu ndodhi. Me 10 Gusht 1991 filloj udhtimin me u kthye në vendin që aq fort e kishëm dishrue. Sa mbrijta në vendin e dishruem, pashë se kishin dalë me na pritë. Nuk isha vetëm. Kishëm me vedi edhe gruen që gjat rrugës kishte ndej tuj me vrejt me kujdes e mos të më zgjoj prej atyne mendimeve se ajo më kuptonte gjendjen shpirtnore temen, se për sa vjet edhe ajo kje pjesë e atyne dishirave. U mundue me më përforcue, se me të vërtetë jemi ka shkojmë në vendin e shumë dishruem. Tuj fluturue mbi aeroportin e Tiranës mu vonue me prit deri sa të ulet aeroplane e me padurim shikova posht. Dritat nuk nepshin atë pamjen që ishem mësue me pam kur udhëtojshëm në botën e lirë. Së fundi u ulme në vendin tem, në Shqipni që sa herë e kishëm pamë në andërr, por andrra u ba zhgjandër.

 

– Demokracia në Shqipëri, edhe sot, rreth 3 dekada pas rrëzimit të komunizmit, rënkon nën drejtimin e bijve të ish-komunistëve. Ju keni qenë kritik i ashpër dhe e keni denoncuar fenomenin e Katovicës shqiptare. Çfarë mendon se nuk u bë mirë në fillimet e demokracisë dhe më pas në rrugëtimin e saj me plot probleme?

Sikurse të kem fat me ndej me ju, do kishëm diçka me ju tregue e premtoftë Zoti e të takohemi. Po ju tham shkurt. Defens Department Amerikan ishte me mendimin që të ndimohej elementi i emigracionit, ndërsa State Department zgjodhi me përkrahë ish- komunistët e reformuar, dhe ua besoj atyre qeverinë demokratike… këtë e dij se jam takue me njerëz, që kishin informacione të sakta… e kasten ju thashë, që te rrijshim bashkë, do ju tregoshe fill e për pe’. (Kjo intervistë u bë në distancë) Thash ma nalt, se cili kje shkaku që nuk shkuen punët mirë, por faj patmë edhe na, na mendoj partitë e emigracionit. Edhe se kishte shkue nji kohë e gjatë në mërgim nuk e kishim kuptue gjendjen që ishte formue në Shqipni prej Partisë Komuniste dhe edukatës së materializmit dialektik që kishte depërtue shumë thellë në shpirtin e disa shqiptarve.

 

– Ju keni qenë shumë kritik edhe për problemet e pronës. Duke qenë vetë me pronë të konfiskuar nga shteti komunist, mendoni se ka zënë vend prona sot, 29 vite pas rrëzimit të Komunizmit?

Përsa i përket pronës. Kalvari që kam kalue e vazhdoj në atë rrugë, për mendimin tem, edhe se kanë kalue 29 vite çështja e pronës, padrejtësitë që po bahen tregojnë, se ata prijsa të atij vendi nuk dijnë çka asht demokracija. Max Stirner pat thënë: “A handful of might is better than a bagful of right.. (Kush ka në dorë pushtetin vendos për të drejtën). Pra ata tuj mos dijt çka asht “right’ sot sundojnë me heandfull of might… Zotni Greca po shkoj pak gjatë, por po citoj edhe Platonin, i cili pat thanë: “If the government ruls without helping and commands without leading how we can persuade the individual to obey” dhe shton: “Ruin comes when the trader, whos heart is lifted up by wealth become ruler” (“Kur pushteti sundon pa e ndihmuar individin dhe urdhëron pa udhëhequr, atëherë nuk mund të presim që nënshtetasi të bindet…“) Më vjen ndër mend edhe një thënie filozofike e Aristotelit, i cili ka thanë: “The habit of lightly changing the laws is an vel”- (“Prirja për të ndryshuar sadopak ligjet është djallëzore“.)…Ata atje po i ndërrojnë ligjet sa herë t’u mbushet mendja e t’ua lypin interesi. Po përsëris fjalët e Virgilit: “Happy the man who has learned the causes of things, and has put under his feet all fears,and inexrorable fate,and the noisy strife of the hell of greed” (“I lumtur është ai që njeh shkakun e ndodhive, dhe ka mposhtur çdo lloj frike, papërkulshmërinë e fatit dhe tronditjet e forta të ferrit të lakmisë.“)

 

– Si ndjehet sot Loro Stajka?

Sot, falem nderës Zotit, ndihem shumë mirë se krejt rrethin familjar e kam të stabilizuem edhe seicili ka familjen e vet. Respekti e dashtnija që ata kanë për prind asht që as unë nuk kam respektue prindët e mij si kujdesohen e na respektojnë ata ne. Vllazën e motra mes njeni tjetrit kalojnë e jetojnë shumë mirë. Jeta e jeme ka pas vështirsitë e saja e ajo asht arsyeja që librit tim i vuna titullin “Stinët e Jetës” – Kje prendverë, lule trandofille, por edhe shi e shterngatë, borë e të ftofët, por me ndihmën e Zotit i kam kalue të gjitha se si i ri qëndrova e nuk u dorëzova. Rrethanat më shtynë që të jem i motivuar. Ju fanderoj shumë se me këtë intervistë ju më keni nderue e ndihem shumë i kënaqun! Ju uroj shndet e të mira ju dhe familjes!

– Dielli: Falenderime që iu përgjigjët kërkesës sonë për këtë intervistë. Shëndet e jetë të gjatë! (Intervistoi: Dalip Greca) New York-Virginia, qershor 2019