Konkretisht 34.5 % e të anketuarve raportuan se ishin kërcënuar fizikisht ndërkohë që 52.5% raportojnë kërcënime verbale për shkak të punës apo gjatë kryerjes së saj.
“Forcimi i Standardeve të Integritetit të Medias në Shqipëri’ është një projekt i mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë dhe zbatuar nga East -Ëest Management Institute në bazë të të cilit është hartuar edhe raporti për lirinë e medias në vend. Barometri i “Lirisë së Medias” që realizohet në Shqipëri nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), me ndihmën e ekspertëve të fushës, për të dytin vit radhazi konfirmon gjendjen jo të mirë të medias dhe lirisë së shprehjes në vend. Situata vijon të mbetet problematike si përsa i përket lirisë së medias ashtu edhe kushteve të punës me të cilat përballen punonjësit e medias në vendin tonë evidenton raporti. Sipas KShH “tërheqja” në parim nga paketa e ashtuquajtur “anti-shpifje”, miratimi agjencisë që centralizon edhe më tej shpërndarjen e informacionit, transmetimi i lajmeve të prodhuara nga forcat politike dhe gjuha e vazhdueshme me nota fyese dhe diskredituese ndaj gazetarëve dhe medias, raportohen si shenja të një situate që nuk reflekton përmirësime. Analiza e të dhënave të grumbulluara nga Barometri konfirmon se pavarësisht të informalitetit në radhët e punonjësve të medias ka pësuar një ulje të vogël në krahasim me një vit më pare. Punëdhënësit në sektor nuk respektojnë kërkesat ligjore të Kodit të Punës, veçanërisht sa i përket raportit midis ditëve të punës dhe atyre të pushimit. Shumica absolute e raportuesve të pyetur me anë të Barometrit e konsiderojnë të domosdoshëm një organizim sindikal të fuqishëm në sektorin e medias, por thuajse po e njëjta përqindje (me një diferencë më të vogël) hezitojnë të anëtarësohen në këtë sindikatë, duke menduar për pasojat që mund të vijnë nga pronarët e medias. Shqetësuese mbeten të dhënat lidhur me kërcënimet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve e punonjësve të medias. Barometri i vitit 2021 evidenton raste të shpeshta të kërcënimit fizik dhe verbal ndaj gazetarëve e punonjësve të medias. I njëjti konstatim është vërejtur edhe në 2020. Të dhënat e mbledhura tregojnë një rritje gjatë vitit 2021, me 1.5% të gazetarëve, që janë përballur me kërcënime fizike apo verbale.
Pjesa më e madhe e të anketuarve apo 68% e tyre (2.5% më shumë se vitin e shkuar) perceptojnë se media në Shqipëri është pak ose aspak e lirë.
Konkretisht 34.5 % e të anketuarve raportuan se ishin kërcënuar fizikisht ndërkohë që 52.5% raportojnë kërcënime verbale për shkak të punës apo gjatë kryerjes së saj. Kërcënuesit gjithashtu mbeten të njëjtë nga vështrimi krahasues për vitet 2020 – 2021, ku konfirmohen punonjësit e policisë, protestuesit, persona të dyshuar për lidhje me botën e krimit apo persona të përfshirë në një ngjarje. Gazetarët raportojnë tentativa që i kanë penguar në ushtrimin e profesionit si ato për dëmtimin e mjeteve të punës, shtyrje, ndalime nga policia, etj. Vijon të mbetet shqetësues fakti se nuk raportohen të dhëna për ndëshkimin e autorëve të dhunës, thuhet në raport. Stresi dhe situata traumatike Punonjësit e medias vijuan të raportonin nivele të larta stresi për shkak të punës. Rreth 68.5% e të anketuarve ose 11% më pak se një vit më parë, raportuan se kishin mbuluar dhe raportuar ngjarje që u kishin shkaktuar tronditje të fortë psikologjike. Megjithatë kërkimi i ndihmës mjekësore për këto situata mbetet thuajse tabu dhe vetëm 6% e punonjësve të pyetur pohuan se kishin kërkuar ndihmë mjekësore apo psikologjike. Sa i takon censurës dhe vetëcensurës, krahasuar me Barometrin e kaluar, ka një përmirësim të lehtë të situatës, pavarësisht se shifrat janë shqetësuese në kuptim të garantimit të lirisë së medias. Nga të dhënat e Barometrit 2021, 45.5% e të anketuarve pohuan se u ishte kërkuar direkt apo përmes redaktorit apo kryeredaktorit të mos publikonin një lajm (5% më pak se vitin e shkuar) dhe po kaq, 45% e tyre pranuan të ishin vetëcensuruar. Arsyet pas censurës mbeten të njëjta dhe lidhen me interesa të punëdhënësit sa i takon ndikimeve të rrethit shoqëror, biznesit dhe në raport me funksionarë publikë. Ndryshe nga qëndrimet sa i përket censurës dhe vetëcensurës, perceptimi për lirinë e medias në tërësi shënon një trend të lehtë përkeqësimi në raport me një vit më parë. Pjesa më e madhe e të anketuarve apo 68% e tyre (2.5% më shumë se vitin e shkuar) perceptojnë se media në Shqipëri është pak ose aspak e lirë. Vetëm 4% e të anketuarve mendojnë se media në vend është e lirë apo plotësisht e lirë. Gjysma e të pyeturve (50%) e shohin situatën e medias në vend në përkeqësim. 83% e të anketuarve perceptojnë se ndërhyrjet e qeverisë apo partive politike konsiderohen si faktori kryesor që cënon lirinë e medias (duke reflektuar një rënie me 7% nga viti i kaluar). – në masën 78.5% (apo 1.5% më pak) renditen interesat e bizneseve të drejtuara nga pronarët e mediave. – bizneset që reklamojnë në media dhe ushtrojnë ndikim negativ ishin të tretët me 35%, ndërkohë që vihet re një rritje me 11.5% duke çuar në zgjedhjen në masën 33%, të faktorit ndikues të përdorimit të medias për t’u pasuruar.