Ligji e detyron qeverinë të anulojë resortin e Olta Xhaçkës; dhe Artan Gaçi duhet ta kthejë tokën në gjendjen e mëparshme

16

Hetuesit e BKH, kanë zbuluar se pjesë e falsifikimit në grabitjen e tokës për resortin e Olta Xhaçkës, që tokën bujqësore e ka hequr nga inventari pa vendim qeverie dhe këtë tokë e ka regjistruar me letra false dhe e ka deklaruar si private, kur ajo është pronë shtetërore…

Sigal

Më 6 tetor 2023, bashkëshorti zyrtar i ish- ministres Olta Xhaçka, ish deputeti socialist Artan Gaçi, u thirr në SPAK, si person i përfshirë në grabitjen me dokumente false, të 5512 m2 tokë shteti në Himarë dhe marrjen e statusit investitor strategjik për resortin “Dreamades Luxury Suites”.

Më 25 tetor, SPAK sekuestroi sipërfaqen e tokës 5512 m2, të grabitur nga çifti Xhaçka- Gaçi dhe bllokoi punimet e resortit, por nuk sekuestroi 5080 m2 tokën tjetër pronë shteti, që kanë marrë nga qeveria, ndërsa faktikisht punimet te resorti po vazhdojnë.

Pas vendimit të SPAK, kryeministri Edi Rama nuk e anuloi lejen e resortit të Olta Xhaçkës, duke e lënë në heshtje, me mendimin se hetimi do pushohej.

Por hetimi nuk u mbyll dhe kaloi në prangosjen e kryetarit të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i cili me provat që ka SPAK e që vlerësoi gjykata, në masën e arrestit, rezulton se është pjesë aktive e grabitjes së tokës me letra false, bashkë me burrin e Olta Xhaçkës.

As pas arrestimit të Jorgo Goros, kryeministri Edi Rama nuk po e anulon lejen për resortin “Dreamades Luxury Suites” të Olta Xhaçkës në Himarë, megjithëse e detyron ligji për Investimet Strategjike, në rastet kur përfituesi ka marrë lejen me abuzime.

Në nenin 19 të Ligji Nr. 55/2015, datë 28 maj 2015, përcaktohet ky detyrim për kryeministrin Edi Rama: – “Në rast se përgjatë përgatitjeve, zhvillimit dhe zbatimit të projektit investues strategjik, konstatohen se ka të dhëna të pavërteta, Komiteti i Investimeve Strategjike revokon vendimin për dhënien e statusit investitor strategjik”.

Në dosjen e resortit të Olta Xhaçkës, janë zbuluar mashtrime e falsifikime hartash dhe akte pronësie, me pasojë vjedhjen e 5512 m2 tokë shtetërore dhe përfitimin e 5080 m2 dhuratë nga shteti si investitor strategjik.

Për këtë krim shkresor, pronësor e zyrtar, është nën hetim burri i  Xhaçkës, është në pranga kryetari i Bashkisë Jorgo Goro, e zyrtarë të tjerë, dhe është sekuestruar toka e grabitur.

Përveç detyrimit për anulimin e lejes së resortit e titullit investitor strategjik; në nenin 20 të ligjit, thuhet se pas heqjes së lejes, Ministri i Turizëm-Mjedisit, detyron investitorin, ta rikthejë sipërfaqen e tokës në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e tij.

Por hetuesit e BKH, kanë zbuluar se pjesë e falsifikimit në grabitjen e tokës për resortin e Olta Xhaçkës, janë dhe ish-Ministri i Bujqësisë, Bledar Çuçi, që tokën bujqësore e ka hequr nga inventari pa vendim qeverie dhe ish-Drejtori i Kadastrës, Artan Lame, që këtë tokë e ka regjistruar me letra false dhe e ka deklaruar si private, kur ajo është pronë shteti./Pamfleti