Ilmi S.Qazimi: Baba Tahir Shahin Çepani dhe “Teqeja e Turballisë” në Selanik- strehë e sigurtë për atdhetarët shqiptarë  

26
Sigal

Në altarin e emrave të individëve me shërbime të shquara fetare dhe atdhetare shqiptare  të shekullit të njëzetë është edhe Baba Tahir Shahin Osmani, lindur në fshatin Çepan dhe varrosur në Stamboll. Ai i përket një plejade jo të vogël klerikësh fetarë bektashianë që punuan, sakrifikuan dhe iu përkushtuan atdheut, gjuhës shqipe dhe mbrothësisë së Shqipërisë.

Disa fjalë për portretin e Baba Tahir Çepanit (Osmani)

“Baba Tahir Osmani ishte burrë i pashëm, njeri me mendje të ndritur, me taç e me mjekër; ai më ka vënë emrin mua në vitin 1929 kur më bëri babai poganikun. Pastaj ai ka shkuar në Greqi e në Stamboll e nuk u kthye më në Çepan” kështu tregonte Rushit I. Basho më 23. 03. 2003 në Çepan.

Ky portretizim për Baba Tahirin, titullar të shquar bektashi, përnjëherësh na ngjall simpatinë për këtë njeri të paepur për të mirën e Shqipërisë, për këtë martir që fenë bektashiane e pati si ombrellë nën të cilën ai predikoi së toku me besimin te perëndia, patriotizmin, mirësinë dhe përpjekjet për gjuhën shqipe, lirinë, vataninatdhetarinë.

Hirësia e Tij Baba Tahir Shahin Osmani ka lindur në Çepan më  1900, i pari fëmijë i Shahinit me gruan e dytë, pas shtatë të tjerëve me gruan e parë. Motra që lindi më pas vdiq nga sëmundja e lijës. Tahirin e përplasën valët e ngjarjeve të kohës për ta fituar jetën, në luftë me armë, në punë të rënda e të rrezikshme, në Shqipëri dhe në cepet e Evropës dhe vende kufi me kontinentin aziatik. Ai thirrej më shpesh si ‘Dervishi nga Skrapari’; herë-herë si mbiemër përdorte edhe emrin e fshatit të lindjes, Çepani.

Në vitin 1920 në krye të disa luftëtarëve të armatosur (diku thuhet sa një batalion ) Tahiri lufton kundër italianëve për çlirimin e qyteteve të Tepelenës e Vlorës. Mbasi iu nënshtrua predikimeve dhe riteve në institucionet e fesë bektashiane ai u bë dervish dhe shërbeu fillimisht në teqenë e Prishtës. Pati mosshkuarje me Baba Kamber Pagrinë, dhe mospërputhje idesh me të. Nuk qëndroi më gjatë aty dhe filloi kryerjen e shërbesave fetare në teqenë që hapi vetë te Lisi i Dakes, në krye të fshatit Çepan. Ky objekt fetar ka qënë  diku afër karakollit në verilindje të shtëpisë së sotme të Gazmir M. Koçumit. Aty duhet të ketë shërbyer afërsisht dy vjet. Ai në atë  objekt kulti bektashian, merrte takim me krerë fetarë dhe luftëtarë patriotë. Bënte sqarime, shkëmbente mendime dhe idera për organizimin e luftës kundër pushtuesve turq, grekë dhe tradhtarëve vendas. Por si objekt fetar  i sajuar prej tij, kjo teqe asnjëherë nuk u  trajtua si e tillë kur vetë Baba Tahiri u largua nga Çepani.

Kishte ideale plotësisht të njëjta me të vëllanë e tij  Myftar Shahin Osmani, i cili  luftoi me armë në dorë kundër andartëve grekë dhe ra dëshmor në vitin 1914. Dervish Tahiri mbante lidhje me Rustem Çepanin dhe Ali Farmaqin dy bashkëfshatarët e tij të mirënjohur si atdhetarë dhe më të mëdhenj në moshë. Për shkak të ideve të tij atdhetare dervish Tahir Osmani shihej me sy të keq dhe kërkohej veç të tjerave edhe pse ishte antizogist dhe fanolist, nga të ngarkuarit me këtë punë të qeverisë së A. Zogut. Kjo e detyroi të largohej nga Çepani në vitin 1925. “Shtëpinë e tij -Teqe ne e lëshuam me qera dhe aty u vendos komuna. Kjo shtëpi u rrëzua shumë shpejt. Kam qënë tok me Shefqet Melckën dhe Esat Dëshnicën kur Esati më tregonte për Baba Tahirin nga Çepani se ishte patriot i madh që bashkëvepronte me Riza Cerovën etj. Më pas morëm vesh se ai kishte qëndruar në Selanik ku kishte ngritur një teqe tjetër në Shën Katerina”.Kështu tregonte Sulo D. Osmani (i nipi i tij 86 vjeçar, oficer i lartë ) më 13. 12. 2003 në Tiranë.

Teqe e Turballisë- strehë e atdhetarëve shqiptarë

E vërteta është se Baba Tahiri në teqenë e Katerinës kryente detyrën si hierark bektashi, por edhe bashkëpunonte me patriotë shqiptarë si Muço Kapinova, Ali Koprëncka, Riza Cerova etj. Kjo teqe dhe ky dervish, më pas kish marrë edhe titullin Baba, ishte pikë takimi dhe nyje lidhëse midis individëve patriotë luftëtarë shqiptarë që lëviznin nga Stambolli në Shqipëri e anasjelltas, po ashtu edhe për ata që qëndronin në emigracion në Selanik.

Në një dokument arkivor që i përket qarkut të Beratit, gjejmë të shkruar si vijon: “Informohemi se të arratisurit politikë, Riza Cerova, Muço Kapinova me kohë ndodhen në Selanik. Atje më datën 9.04.1935 ka vajtur edhe Ali Koprëncka dhe rrinë në Teqenë e Turballisë që administrohet nga një dervish prej Skrapari. Të gjithë janë keq ekonomikisht.

Lutemi të urdhërohet konsulli ynë në Selanik për t’i patur nënkontroll”.

Zv.Prefekti Elmaz Villa d.v.

Nga teqeja e Katerinës u shpërnda për një kohë të gjatë gazeta “Liria Kombëtare”. Me këtë punë merej Baba Tahiri. E dhëna që jep Rushit I. Basho se më 1929 Baba Tahiri ka qënë në Çepan, tregon se ai hynte e delte në atdheun e tij i mbështetur e i mbrojtur nga fshatarët besimtarë e dashamirësit e shumtë të rretheve Përmet, Skrapar e Kolonjë. Një pasqyrë më të plotë për veprimtarinë patriotike të Baba Tahirit në Selanik jep deklarata e Z. Esat Dëshnica e vitit 1982,siç jepet në këtë shkrim. Siç tregon edhe dokumenti i Komitetit të Veteranëve të Luftës të Tiranës, aktiviteti patriotik i Baba Tahirit ka qënë shtrirë në Skrapar, Përmet, Tepelenë, Vlorë, Greqi dhe Stamboll. Më 1939 ai e lë Selanikun dhe vendoset në Stamboll ku jetoi e punoi  pa kursim , në kushte të vështira për atdheun dhe shqiptarët, përreth 15 vjet deri në fund të jetës.

Mbesa, Prof.Arjana Njazi Çepani për Baba Tahir Çepanin

“Gjatë një udhëtimi nga Selaniku në Larisa u interesova të di se ku ka qënë dhe a është akoma teqeja e  Katerinës ku ka punuar Baba Tahiri të cilin babai im e kishte patur xhaxha. Bashkudhëtari grek më tregoi se aty ka qenë një vend shumë i bukur, teqeja ka qënë një kompleks ndërtimesh me sipërfaqe të madhe. Emri i teqesë, para 1920-ës ishte Teqeja e Turballisë dhe pas 1920-ës, Teqeja e Katerinës. Si teqe ka qënë shumë e dëgjuar, por tani aty janë bërë ndërtime të tjera.” Kështu kish hulumtuar e ndjera Prof. Dr. Arjana Njazi Çepani, pedagoge në fakultetin ekonomik në Universitetin e Tiranës njëra nga stërmbesat e tij, e cila u nda nga jeta në moshë shumë të re(16.09.1957-25.10.2007). Por profesoresha Arjana Çepani, nuk e la me aq. Ajo shkoi edhe në Stamboll për të gjetur vëndvarrimin e xhaxhait të babait.“Pas shumë kërkimesh, unë munda të gjej varrin e Baba Tahirit në Stamboll. E kisha dëshirën time, por edhe im atë ma kishte lënë porosi. Varri ishte në një vend të veçuar, së bashku me të tjerë hierarkë bektashi, por i mbuluar në formë sënduqi, me kube dhe i rregulluar më bukur”, tregonte shkencëtarja shqiptare Prof.Arjana Njazi Çepani më 06. 04. 2004.

“Pasi e kishin dëbuar nga Shën Katerina e Selanikut, ai erdhi në Stamboll vetëm me rrobat e trupit dhe një çantë në dorë. Ne e mbajtëm në shtëpi deri sa ai u rregullua disi në punë” kështu i ka pasë treguar zonjës Arjana Nj. Çepani gruaja me origjinë shqiptare (thuhet se ishte me origjinë nga Qeshibesi, fshat i komunës së Çepanit) e martuar me një nëpunës turk që e kishte ndihmuar Baba Tahirin në atë kohë. Duhet të ketë qënë viti 1939-1940. Kjo e dhënë përkon me argumentat e tjera se, ngaqë teqenë e Katerinës Baba Tahiri e kishte kthyer në një çerdhe patriotike për mbrojtjen e shqiptarizmës dhe kundër regjimit të atëhershëm në Shqipëri. Për këto arsye, nga elementë të caktuar e të paguar ai u përndoq me dhunë me synim për ta vrarë. Baba Tahirit i është imponuar ikja e menjëhershme dhe e fshehtë prej Selanikut për t’i shpëtuar vdekjes. Për aktivitetin fetar e atdhetar të teqesë së Katerinit, shkruhet edhe në librin “Rrugëtimi i shpirtit”ose “Dialog në vite me Kryeshënjt Reshat Bardhin.” të autorit Syrja Xhelaj.

Një nga amanetet e Baba Tahir Çepanit

Nuk e dimë të saktë datën e gjeshtisjes (vdekjes) së Baba Tahir Çepanit, por duhet të ketë qenë rreth pranverës së vitit 1956. Kemi edhe informimin se ai nuk hoqi dorë nga shqiptarizma. Po ashtu ai, me aq sa mundte, ndiqte ecurinë e njerëzve të afërm të tij në fshatlindjen e vet dhe në tërësi arritjet e mira në Shqipërinë e asaj kohe, qoftë në fushën e baktashizmit qoftë në sektorët e tjerë të jetës ekonomike e  kulturore të mëmëdheut. Meqë kishte nip kolonel Njazi Çepanin, ish-komandant i Br10S partizane, e më pas kuadër i njohur në ministri, ai i ka pasë shkruar letra si djalë vëllai që e kishte, në Tiranë. Madje kish pasë lënë amanet që unaza e tij, pas vdekjes, t’i dërgohej këtij nipi- por, thuhet, se as letrat e as unaza e Babait bektashi, nuk ranë në dorë të Njaziut, sepse nuk lejoheshin nga shteti i asaj kohe.

Baba Tahir Shahin Osman Çepani, foton origjinale të të cilit po botojmë e mban në kornizë një stërstërnip i tij këtu në Tiranë, mbetet një nga figurat e shquara atdhetare jo vetëm si titullar bektashi, por edhe si patriot për kohën që jetoi, për ditët tona dhe për të ardhmen mbasi ai ia kushtoi tërë jetën e vet mirësisë, mbrothtësisë, atdhetarisë dhe shqiptarizmës.