Letra e SHBA-ve në zyrën e ministrit Tahiri: “Pas Parisit, radhën e ka Tirana”

490
Që prej sulmeve terroriste të një jave më parë në Paris, edhe Policia Shqiptare kishte kaluar në gatishmëri, me shërbime të përforcuara, por dje masat dukeshin më serioze dhe jo formale si disa ditë më parë. Ndonëse jo e thënë zyrtarisht nga asnjë drejtues i lartë Policie, disa informacione të siguruara nga shërbimet e inteligjencës në Tiranë, flisnin për sulme konkrete që mund të ndodhnin në Shqipëri.

Këto informacione u përforcuan edhe më shumë nga një shkresë e Ambasadës Amerikane në adresë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka bërë që niveli i sigurisë në territorin shqiptar të kalonte në atë më të lartë, që në termat policor konsiderohet “alarm i kuq”, nga “i gjelbër” që ishte më parë. Ndonëse selia diplomatike e SHBA në Tiranë, i referohej zyrtarisht vetëm një shkrimi të botuar të mërkurën në një të përditshme ruse në Moskë, ku theksohej me gërma të mëdha, “Radhën e ka Roma dhe Tirana”, informacionet jo zyrtare kishin një referencë më të besueshme se kaq.

Një tjetër arsye për këtë alarm, ka qenë edhe sulmi terrorist i të mërkurës mbrëma në Bosnje, ku dy ushtarë u vranë dhe 5 persona u plagosën në një dyqan bastesh në periferi të Sarajevës. Të gjitha këto, shtynë Tahirin të urdhëronte marrjen e të gjitha masave, me qëllim parandalimin e çdo rasti të dyshuar si akt terrorist. Në urdhrin e tij, Ministri ka specifikuar se në çdo dy punonjës Policie që patrullojnë apo janë të pozicionuar në një vend, njëri detyrimisht duhet të jetë i armatosur me automatik.

MASAT
Që prej mëngjesit të djeshëm, kryesisht në rrugët e Tiranës, janë vënë re masa të shtuara sigurie në rrugë dhe pranë godinave qeveritare. Sipas planit të masave janë përfshirë në gatishmëri të përforcuar rreth 1500 efektivë policie, me uniformë, nga të cilët 250 janë punonjës të Gardës së Republikës, detyra e të cilëve është monitorimi i objekteve të rëndësisë së veçantë, si Kryeministrinë, Presidencën, Ambasadat, rezidencat qeveritare, Ministritë, si dhe objektet e banimit të personaliteteve të lartë. Përveç shërbimeve me uniformë edhe dhjetëra punonjës civilë janë pozicionuar në ambientet publike me prezencë të lartë qytetarësh, pika kalimi kufitarë, në spitale, përreth shkollave, qendra tregtare, etj. Pjesë e planit të masave janë edhe forcat speciale RENEA e FNSH që vazhdimisht patrullojnë territore të caktuara, ku ka dyshime për persona që mund të kenë prirje radikale dhe dhune ekstreme.

MASAT PA AFAT TE PERCAKTUAR
Kalimi i Policisë së Shtetit në gatishmëri të përforcuar, në nivelin më të lartë të sigurisë, ka nisur dje në orët e para të mëngjesit, por nuk dihet se kur mund të mbarojë. Burimet thanë se ky plan masash është pa ndonjë afat të përcaktuar dhe të njëjtat shërbime që pamë dje në Tiranë, do vijojnë të jenë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Sigal