Lefterie Lleshi, pasuesja e bëmave të turpshme të Ristanit

521
Sigal

Kryetarja e KQZ-së mban top-sekret për qëllime abuzive informimin për numërimin dhe votimin  elektronik të zgjedhjeve

1. Kryetarja e KQZ-së shkel qëllimisht afatet kohore të zbatimit të teknologjisë elektronike në zgjedhje

Risia e procesit zgjedhor  të zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013 është futja e teknologjisë elektronike, sikurse numërimi elektronik në Qarkun e Fierit dhe votimi e numërimi elektronik në Tiranë. Disa herë KQZ-ja me deklaratat e saj ka bërë me dije se, një kompani spanjolle ka marrë tenderin e numërimit elektronik në Qarkun e Fierit, ndërsa për votimin elektronik në Tiranë, akoma, edhe pse iku edhe shkurti, gjërat mbeten : “Së shpejti, do të…”. Askush, nuk është në gjendje që të japë ndonjë informim për kompaninë spanjolle që do të zbatojë numërimin elektronik në Fier. Madje, as sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, as përfaqësuesi juridik në KQZ, Genc Gjonçaj nuk dinë asgjë. Ka kaq mister, kaq fshehtësi për çdo informim për t’u njohur me procedurën e numërimit elektronik, thua se e tërë kjo teknologji, që do të zbatohet për herë të parë në vendin tonë, ka të bëjë me vendosjen e prozhektorëve për të ndriçuar fasadat e qendrave të votimit, e mund t’i instalosh edhe ditën e fundit të së shtunës… Edhe pse kanë mbetur më pak se 110 ditë nga 23 Qershori, askush nuk është njohur me teknologjinë e numërimit e votimit elektronik. Pyetja është: A nuk duhet kohë që të trajnohen njerëzit që do të përdorin këtë teknologji? Apo kompania do të importojë edhe njerëzit e saj? Kur ishte kaq e thjeshtë kjo procedurë dhe nuk duhet shumë kohë për ta zbatuar, përse numërimi elektronik,  nuk u zbatua në tërë Shqipërisë, sikurse kërkoi me të madhe PS-ja?  Mirëpo, edhe pse në Kodin Zgjedhor, të miratuar me konsensus,  janë dhënë qartazi afatet për zbatimin e projektit të numërimit dhe votimit elektronik  në Qarkun e Fierit dhe Tiranës, nga Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, po shkelen  qëllimisht, me të dyja këmbët këto afate, pa patur argumentime objektive. Madje, edhe vetë anëtarët e KQZ-së pyesin të shqetësuar Kryetaren e KQZ-së për zvarritjen e përgatitjeve të procesit të futjes të teknologjisë elektronike në zgjedhje dhe, nga ana e Kryetares së KQZ-së, Lefterie Lleshi nuk jepet kurrfarë sqarimi.  Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, u shpreh për “Telegraf” se: “Kam kërkuar dy herë me shkrim informim Kryetares së KQZ-së për shkeljen e afateve të procesit të numërimit e votimit elektronik dhe, deri tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Derisa mungon transparenca, fshihet një qëllim i keq”.   Përse vallë mungon transparenca dhe kujt i shërben kjo zvarritje e paarsyetueshme për çështjet që lidhen me numërimin dhe votimin elektronik në zgjedhjet e 2013-s?

2. Qëllimi i Kryetares së KQZ-së, Lefterie Lleshi është të  abuzojë apo sabotojë?

Vetë sekretari i PS-së për çështjet zgjedhore dhe bashkëhartuesi i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, i pyetur nga “Telegraf” për misterin që mbulon deri tani procesin e numërimit elektronik, pohoi që edhe vetë nuk dinë të shpjegojnë fshehtësinë misterioze që përpiqet të mbjellë Kryetarja e KQZ, dhe tha: “Mungesa e informacionit për numërimin elektronik, shkelja e afateve që kanë të bëjnë me ndërtimin e zbatimin e procesit të numërimit elektronik e votimin elektronik, të bën të dyshosh në vetë transparencën e munguar, por edhe në qëllimin  e dyshimtë, që kanë përgjegjësit kryesorë, siç është Kryetarja e KQZ-së”.

Derisa KQZ-ja shpalli kompaninë fituese, jemi përpjekur pranë KQZ-së,  që të marrim informacion për procesin e numërimit elektronik, që do të zbatohet në Qarkun e Fierit.  Mirëpo, Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi kategorikisht, mohon të japë çdo lloj informimi, thua se zbardhja e procesit të numërimit elektronik, edhe pse, tashmë është shpallur fituesi, është sekret shtetëror. Për çfarë arsye Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi nuk pranon të zbardhë procedurën e numërimit elektronik? Sekreti për mosinformim, ka të bëjë me (mos)besueshmërinë e  kompanisë fituese të numërimit elektronik? Apo, në prapaskenë, hartohen të tjera skenarë? Mos vallë Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, duke mbajtur top sekret informimin për numërimin dhe votimin elektronik, edhe pse janë shkelur të gjitha afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor, fshihen, vallë qëllime abuzive?  Mos vallë misteri që mbulon procedurën e numërimit elektronik ka qëllim dështimin? Me dashje, qëllimisht, Kryetarja e KQZ-së, deri tani, në pak muaj të punës, provon përditë, që bëhet pasuesja e bëmave të turpshme të Ristanit. Nëse nuk kemi të drejtë, le të shpjegohet vetë Kryetarja e KQZ-së dhe jo të fshihet në heshtjen hermetike që e karakterizon, të paktën, deri tani.