Rama i premton Metës postin e Kryeministrit

634
Sigal

Ndarja e pushtetit, kyçi i aleancës paszgjedhore PD-PS. Flasin Bashkim Fino, Besnik Baraj, Shezai Rrokaj, Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi

Sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq edhe rriten përpjekjet e PS-së dhe PD-së që të sigurojnë paraprakisht një marrëveshje me LSI-në, qoftë parazgjedhor, qoftë edhe paszgjedhor. Kyçi i vetëm i aleancës së mundshme për LSI-në, që të vendosë se me kë nga palët politike do të bashkohet, është vetëm përqindja e pushteti që i afrojnë. Deri tani, Berisha e ka provuar që i ka dhënë Ilir Metës atë pushtet që i ka premtuar. Mirëpo, Edi Rama, që e pësoi dhe qëndroi në opozitë 2 herë, 8 vjet radhazi,  për shkak të qëndrimit të tij stoik deri në kapriçoz ndaj Metës, kërkon të bëje relans, duke i premtuar Ilir Metës, përqindje më shumë pushteti nga sa i ka dhënë deri tani Sali Berisha. Është kjo mëdyshje që Ilir Meta akoma nuk deklaron aleancë parazgjedhore. Përkundrazi, Ilir Meta përpiqet që të përforcojë pozitat e tij zgjedhore, duke rritur edhe më shumë  me parti sikurse PBDNJ dhe FRD, të ashtuquajturën poli i tretë, në mënyrë të atillë, që sa më shumë përqindje zgjedhore të përfitojë, kaq më shumë përqindje pushteti do të pretendojë.

Prandaj, tashmë,LSI-ja po luan në favorin e saj, duke dalë edhe jashtë kontureve të qeverisë Berisha, ku ajo është pjesë. Ministri i Jashtëm Panariti dhe kryetari iLSI-së Meta kanë nisur të luajnë një lojë “kungulleshash” në kurriz të maxhorancës aktuale. Teksa ministri- vartës i kryeministrit Berisha deklaron se nuk ka asnjë memo zyrtare nga amerikanët, kreu iLSI-së krejt ftohtë deklaron se “ambasada në Tiranë përfaqëson SHBA-në”. Burime pranë PS-së, na thanë se  në këto qëndrime  asgjë nuk është e rastësishme. Kohët e fundit, Rama dhe Meta u gjendën së bashku në Internacionalen Socialiste dhe Rama i ka premtuar Metës, në qoftë se arrijnë në marrëveshje para dhe  paszgjedhore, më shumë se 20% . nga  ai ka aktualisht në kabinetin Berisha. Rama, për ta joshur Ilir Metën, më shumë i ka premtuar edhe ndarje mandati 4 vjeçar të Kryeministrit në mënyrë të barabartë: 2 vite Rama dhe 2 vite Meta, me synimin e qartë të mbajtjes së pushtetit të paktën 8 vjet. Dhe nuk është aspak një rastësi, që me kthimin e tyre në Tiranë, nga Ministria e Jashtme “avulloi” një dokument shumë i rëndësishëm amerikan, i cili u tentua të mbahej i fshehtë me çdo kusht, sidomos nga Kryeministri Berisha. Ky është hapi i parë i një krisjeje të rëndësishme në qeverinë aktuale, e cila nëse do të pasohet nga veprime të pritshme të kryeministrit Berisha, mund të çojë në rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të menaxhojë dhe zgjedhjet e 23 Qershorit. Është ky edhe kompromisi që kanë arritur Rama- Meta jashtë Shqipërisë, kompromis i cili synon të nxjerrë jashtë loje kryeministrin aktual dhe të favorizojë të majtën  PS-LSI, për t’iu afruar pushtetit. Nuk është e qartë nëse Berisha do “ta gëlltisë” karremin që i ka hedhur Meta me ministrin e tij të jashtëm,  për t’i lënë atij shkakun e prishjes së marrëveshjes PD-LSI, por ajo çfarë pranohet haptas, është se marrëdhëniet në koalicion janë shumë të vështira për t’u menaxhuar pa probleme deri më 23 Qershor.

 

Flasin për “Telegraf”

Shezai Rrokaj, Kryetari i LSI-së për “Tiranën” Janë të gjitha mundësitë e hapura qëLSI-ja të krijojë aleancë me këdo forcë politike. Por kriteret që do të përcaktojnë përLSI-në se me kë do të bashkëpunojë do të varet nga programi politik, besueshmëria e ndërsjellë dhe nga historiku i marrëdhënieve të deritanishme. Por, kryesorja do të jetë qëLSI-ja do të ndërrojë marrëveshjen e saj me atë forcë politike që do të ketë prioritet të saj qeverisës integrimin e vendit dhe punësimin. Me PS-në mund të ndërtojmë marrëveshjen, nëse kërkon ndjesë për 2007-n, për Kodin Zgjedhor, që zgjodhi vetëm e vetëm që të eliminojë LSI-në. Por, duhet që PS-ja të shtrojë platformë të qartë edhe për të ardhmen e PS-së dhe LSI-së, si dy forca të majta”.

Bashkim Fino, deputeti i PS-së: “Nuk mund të shprehem unë për këtë çështje. Por, do të jetë kryesia e PS-së, që do të shprehë qëndrimin politik të PS-së, në raport me aleancat dhe aleatët e mundshëm”.

Besnik Baraj, deputeti i PS-së: “Unë për këtë argument jam shprehur edhe herë të tjera dhe ju jeni njohur me mendimin tim publik. Por aktualisht, nuk dëshiroj të shprehem dhe do të shikojmë opsionet që do të krijohen, kur të vijë koha e përshtatshme”.

Nard Ndoka, Kryetari i PDK-së: “LSI-së nuk i ka mbetur shumë nga morali dhe programi, që të ketë arsye që të kërkojë të largohet nga koalicioni që ka deri tani.LSI-ja e ka të vështirë që të largohet nga pushteti.

Dashamir Shehi, Kryetari i LZHK-së: “Është vështirë të thuash diçka që endeLSI-ja nuk pranon ta  pohojë vetë. Normale është që aleancat politike të shpallen para zgjedhjeve. Sepse pas zgjedhjeve, pastaj, aleancat bëhen për të marrë pushtet dhe nuk respekton votëbesimin e votuesve e të elektoratit”.