Lefter Maliqi: Ilir Meta, i vetmi shtetar, që për 24 orë i bën kriminelët dhe trafikanët e votave mos gjejnë vrimë ku të futen

357
Sigal

Lefter Maliqi, deputet i Opozitës

Kryeministri Rama, kur i mbylli kazinotë në 2015,  deklaroi se ky është fundi i marrëzisë. Me këtë projektligj të ri që po risjell Rama, unë deklaroj që ky është fillimi i fundit të marrëzisë, që përfundon më 25 prill 2021

 

Deputeti Lefter Maliqi, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet  se  në 25 prill 2021 do të jetë fundi i marrëzisë të kryeministrit Rama. Deputeti Maliqi jep alarmin, që Rama vepron si kupolë mafia, prandaj ka dërguar drejtues politikë në qarqe, ministrat më të përfolur për korrupsion. Deputeti Maliqi shpjegon se Presidenti Meta deri tani ka qenë garanti i Kushtetutës, përballë të keqes së Demokracisë që ka emrin “Edi Rama” dhe, nëse vërtet Ilir Meta do të vihet në krye të qeverisë së re, do të jetë një shpresë e shqiptarëve, se Shqipëria bëhet.

25 prilli i  2021-s është fundi i marrëzisë së kryeministrit Rama

Zoti Maliqi, kryeministri Rama, në fillimin e fushatës elektorale, çon me urgjencë projektligjin për hapjen e kumarit, kur para 4 viteve, ato i mbylli me forcë, duke shkatërruar mijra biznese, la të papunë dhjetëra mijra shqiptarë, burgosi ata që e kundërshtuan atë operacion policor. Sipas jush, cilat janë arsyet politike që kryeministri Rama “Rilind” kumarin?

  Kryeministri Rama, kur i mbylli kazinotë në 2015,  deklaroi se ky është fundi i marrëzisë. Me këtë projektligj të ri që po risjell Rama, unë deklaroj që ky është fillimi i fundit të marrëzisë, që përfundon më 25 prill 2021. Nuk ka zgjidhje tjetër me ata ka nisur e vjedhur zgjedhjet, me ata do t’i vazhdojë dhe me ata do largohet dhe është mirë që populli t’i fshijë me votë, sikurse dhe Ramiz Alia kështu e mbylli me ministrat e Enverit. Më 25 prill do bëhet largimi politik, pastaj do bëhet ndëshkimi.  Mirë do ishte të ishte bërë ndëshkimi, po ka mungesë drejtësie, e cila është  kapur nga kryeministri Rama me të ashtuquajturën pseudoreformë në drejtësi.

– Paralelisht, në fillimin e qeverisjes në mandatin e qeverisjes së parë kryeministri Rama ndërmori operacionin policor të luftës kundër hashashit, që u kurorëzua me rënien e Lazaratit. Mirëpo, këtë vit hashashizimi i Shqipërisë ka marrë përmasa të mëdha. Rastësisht, kjo, në vitin elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021?

Kultivimi masiv i hashashit në prag të vitit elektoral të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, bëhet me qëllim që të sigurohen fonde të mëdha parash, të cilat  do të përdoren në fushatën zgjedhore për të blerë komisionerë, votues, pse jo, edhe ndonjë vëzhgues të huaj, që do të jetë në fushatën zgjedhore. Rama në çdo zgjedhje, pas 2009-s,  ka përdour paratë për të blerë votat. Në 2013 u mbështet  tek personat me rekorde kriminale, që bënë “të fortin” e lagjes, të fshatit, të qytetit, të krahinës, të Qarkut dhe ushtruan terror e forcë për të detyruar votuesit të votojnë “Rilindjen”. Tani, pas 8 vjetëve qeverisje, pasi ka siguruar fonde parash nga mijëra koncesione dhe tendera që ka dhënë, nga hashashizimi i Shqipërisë, Rama ka fuqinë financiare që të blejë vota, komisionerë, por edhe deputetë, nëse do t’i nevojiten. Prandaj, ështe e gabuar ajo eufori që kanë në  PD, se kësaj here Rama ka rënë nga pushteti.

–  Një kryeministër që ka qeverisur 2 mandate rresht, i akuzuar për korrupsion, për inkriminim, për kapje të pushteteve, për përpjekjet e tij të të instaluarit të një shteti monist, çuditërisht emëron drejtues politik në qarqe për fushatën elektorale, ministra dhe ish ministra të cilët janë akuzuar për korrupsion. Pse kryeministri zbaton këtë strategji elektorale?

– “Rilindja” e Ramës vepron si një kupolë mafia. Këta ministra të Ramës kanë zbatuar qorrazi porositë e kryeministrit për tenderat, koncesionet dhe fajtori i vetëm i korrupsionit është vetë Rama. Ministrat e tij janë kurbanët e tij. Prandaj, edhe tani, ministrat që Rama cakton në drejtimin politik të qarqeve, janë anëtarët e kupolës së mafies, që ngarkohen me detyrë të vjedhin, të blejnë votat,  kanë urdhër nga kreu i kupolës së mafies së Rilindjes të veprojnë njësoj  me kode mafioze në fushatën elektorale, siç veprojnë në aksione edhe anëtarët e kupolës së mafies, që zbatojnë verbazi çdo urdhër të kreut të kupolës.

– Shkojmë në zgjedhjet parlamentare pa u dënuar krimi elektoral i dosjeve 339 dhe 184, fakte të dokumentuara nga Prokuroria të shitblerjes dhe  manipulimit të votave, tjetërsim i rezultatit zgjedhor nga ministra, kryebashkiakë e deputetë socialistë. A mendoni se  në zgjedhjet e 25 prillit 2021 vota do të jetë e garantuar se nuk do të blihet masivisht, nuk do të manipulohet?

– Është iluzion dhe verbësi, të besosh se me Ramën kryeministër se do ketë zgjedhje të lira, tani, që ka të gjitha pushtetet, qeverinë, bashkitë, prokurorinë, gjykatat, nuk ka Gjykatë Kushtetuese.  Premtimet  elektorale  që Rama ka dhënë çdo fushatë zgjedhore për legalizime e shëndetësi falas, rend për 100 ditë, rritje pagash e pensionesh ,investime,  u dëshmuan në qeverisjen 8 vjeçare të Ramës, se ishin mashtrim.  Krimi i organizuar, droga dhe trafiqet, mbështetja e oligarkëve, rritja e taksave, zgjedhjet lokale moniste të 30 qershorit 2019, kapja e institucioneve, lenia e vendit Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, varfëri,çpopullimi I Shqipërisë, ku janë larguar nga vendi në 8 vitet e qeverisjes së Ramës më shumë se 500.000 shqiptarë, trefishini i borxhit publik, 160 milion euro detyrime nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar për vendimet kapriçio të Ramës, tradhëtia për marrëveshjen e detit dhe kufijve të Kosovës në bashkëpunim me Vuçiç, KÇK-ja, PPP-të, antishpifja, janë 1001 arsye që shqiptarët tani e urrejnë “Rilindjen” e Ramës.  Pastaj Rama është politikani, që të gjithë bashkëpunëtorët i përdor si limoni, kur i “shtrydh” i shet shokët, siç shiti Tahirin, Xhafaj,  Bushatin,  Çukon, Dakon, dhe së fundi edhe Sandër Llesh kimikun.

–  Zoti Maliqi, një lajm  u përhap dje, se Presidenti Meta mund të marrë postin e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Cili është mendimi juaj?

 E keni dëgjuar shpeshherë Ramën që thotë, se veç meje, nuk ka tjetër udhëheqës? Shumë shqiptarë mendojnë se opozita nuk ka lider, prandaj thonë, që mund të votojnë një të keqe më të vogël. Mos harroni. Presidenti Meta, gjatë kësaj kohe, me qëndrimet e tij, u dha të kuptojnë shqiptarëve që është i vetmi garant i mbrojtjes të rendit  kushtetues në Shqipëri, kur Rama u përpoq që të kapte, të merrte peng të gjitha institucionet. Prandaj, mendoj, që nëse Ilir Meta ka qëllim të vihet në krye të administratës së re shtetërore, do të ishte një shpresë e vërtetë e shqiptarëve, që të votojnë në 25 prill 2021 kundër Ramës dhe kupolës së tij mafioze. Ilir Meta, e ka përvojën politike, që në krye të administratës së re shtetërore të risjellë tek shqiptarët shpresën se Shqipëria do bëhet!

– 7. A mendoni se Presidenti i Republikës Ilir Meta është personaliteti mbi palët politike, që mund të jetë një garanci për një ndryshim të situatës së vështirë politike?

Ilir Meta mbron dhe lufton për të mbrojtur Kushtetutën dhe në këtë kuptim është mbi palët politike, por ai lufton dhe të keqen e madhe që ka ardhur nga “Rilindja” dhe Edi Rama. Kjo disave u duket sikur nuk është mbi palët politike. E rëndësishme është që deri në 25 prill,  Ilir Meta do luftojë për të mbrojtur Kushtetutën, për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe fitoren mbi të keqen e Shqipërisë, që ka emrin Edi Rama.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA

Mos harroni. Presidenti Meta, gjatë kësaj kohe, me qëndrimet e tij, u dha të kuptojnë shqiptarëve që është i vetmi garant i mbrojtjes të rendit  kushtetues në Shqipëri, kur Rama u përpoq që të kapte, të merrte peng të gjitha institucionet