Kuvendi nis diskutimin për ndryshimin e buxhetit 2017, rriten fondet për rrugët

584
Ministri i Financave është thirrur sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të shpjeguar ndryshimet më buxhetin 2017 nëpërmjet një akti normativ i cili rialokon disa zëra në të ardhura dhe shpenzimet buxhetore. Ndryshimet thelbësore përfshijnë rritjen e planit te të ardhurave për sigurimet shoqërore dhe nga krahu i shpenzimeve rriten fondet për rrugët.
Të ardhurat, rritet plani i sigurimeve
Ministria e Financave ka shpjeguar se janë ruajtur parametrat kryesorë të buxhetit të miratuar në fillim të vitit. Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar, ndërkohë që të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit ndryshojnë në total, përkatësisht:
– Rritet me 3.5 miliardë lekë kontributi nga taksat vendore. Kjo për arsye se të ardhurat nga taksat dhe tarifat e pushtetit vendor gjatë këtij viti janë rritur dukshëm në krahasim me parashikimin. Këto të ardhura janë rritur nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja.
Gjatë vitit 2016 dhe në vitin 2017, ish-Ministria e Zhvillimit Urban dhe donatorë të huaj që punojnë me pushtetin vendor kanë kontribuar në hartimin dhe miratimin e planeve të përgjithshme vendore në një numër të konsiderueshëm të njësive të vetëqeverisjes vendore. Këto plane kanë bërë që investitorët vendas dhe të huaj të fillojnë investimet e tyre në bashkitë e vendit.
Një nga treguesit e këtyre planeve është edhe fluksi i madh i lejeve të ndërtimit gjatë këtij viti të cilat kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja.
– Rritet me 1.8 miliardë lekë kontributi nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si rrjedhojë e performancës së lartë në mbledhjen e tyre gjatë periudhës janar-shtator 2017. Kjo rritje shkon tërësisht për bonusin e pensionistëve, me një efekt neutral për buxhetin e shtetit.
Shpenzimet, rriten fondet për rrugët
Rialokimin e shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri të ngadaltë tek ato me ecuri të lartë, në rreth 2.4 miliardë lekë në total (rreth 1.5 miliardë lekë nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve), ku rreth 600 milionë lekë rialokohen në zërin “shpronësime”;
Rritjen me 352 milionë lekë të fondit për kompesimin e ish-të përndjekurëve politikë, me qëllim akomodimin e shlyerjes 100% të këstit të tetë dhe të fundit të kategorisë parësore të përfituesve të gjallë, deri në fund të vitit 2017.
Rritjen me 200 milionë lekë të shpenzimeve dedikuar kompensimit të lindjes së fëmijëve, me qëllim likuidimin e detyrimeve të krijuara në këtë zë;
-Rritjen me 200 milionë lekë të zërit “Mirëmbajtje rrugore”, me qëllim financimin e detyrimeve ekzistuese të kontratave të mirëmbajtjes së akseve kombëtare;
-Rritjen me 150 milionë lekë të buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë për rikonstruksionin e godinës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
-Rritjen me 127 milionë lekë të shpenzimeve korrente për të përballuar faturat e përfaqësimit të Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të gjykatave ndërkombëtare, me qëllim evitimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura;
-Rritjen me 120 milionë lekë të shpenzimeve të AKSHO-së, me qëllim akomodimin e këstit të radhës së Microsoft-it;
-Rritjen me 100 milionë lekë të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, për përmbushjen e një sërë detyrimeve në kuadër të përfaqësimit në NATO;
-Rritjen me 100 milionë lekë të transfertës buxhetore për Radiotelevizionin Shqiptar, për mbulimin e shpenzimeve të implementimit të platformës së digjitalizimit;
-Reduktimin me 400 milionë lekë të fondit rezervë për institucionet e Vetting-ut, duke bërë efektiv fillimin e financimit që në buxhetin 2017 të tri institucioneve të reja të tij, përkatësisht Komisionit të Rivlerësimit Kalimtar të Magjistratit; Komisionit të Apelimit të Rivlerësimit Kalimtar dhe Komisionerëve Publikë;
-Reduktimin me 200 milionë lekë të rezervës për rritjen e pagave, si rrjedhojë e kursimeve pas akomodimit të të gjitha kërkesave të institucioneve buxhetore; Mbështetur në detyrimin ligjor për monitorimin e funksioneve të transferuara vendore për një periudhë 3-vjeçare, janë evidentuar disa problematika në financim të cilat janë të domosdoshme për t’u rregulluar përmes këtij akti normativ.
Në vijim të monitorimit të kryer nga ministritë e linjës për këto funksione është konstatuar nga Ministria e Brendshme një diferencë financimi prej 10.9 milionë lekësh, për funksionin e mbrojtjes nga zjarri, e cila përmes këtij akti normativ shtohet për të ushtruar normalisht këtë funksion.
Gjithashtu, për funksionin e arsimit është konstatuar një diferencë financimi prej 15.1 milionë lekësh. Kjo shumë shkon për financimin e shpenzimeve të personelit në arsimin parashkollor dhe në arsimin parauniversitar./monitor/
Sigal