Gjermeni uron 7-Marsin nga Lushnja

527
Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni ishte sot pranë mësuesve të gjimnazit “18 tetori” në Lushnje për t’i uruar 7 Marsin. Që prej shkurtit të vitit 2015, kjo shkollë është në patronazhin e Ministres Gjermeni pjesë e nismës “Një ministër, një shkollë në patronazh”.
Në takimin me stafin pedagogjik, Ministrja Gjermeni, dikur nxënëse në gjimnazin “18 tetori”, vlerësoi përkushtimin e mësuesve për edukimin e brezit të ri. 
“Ne kemi besuar tek ju fëmijët tanë, të ardhmen e Shqipërisë. Mundohemi që në familje të edukojmë brezin e ri, por një përgjegjësi të madhe ka shkolla, keni ju. Brezat e arsimuar në Lushnje për vite me rradhë, jo vetëm nga gjimnazi “18 tetori” që është një ndër 10 më të mirët në vend, por nga të gjitha shkollat në Lushnje kanë dalë me rezultate shumë të larta, duke nderuar dhe vlerësuar punën dhe përkushtimin tuaj brenda dhe jashtë vendit. Mësimdhënia është art dhe unë nuk do ta ndërroja me asnjë profesion tjetër”, tha mes të tjerash Ministrja Gjermeni. 
Godina ekzistuese e shkollës, që prej tetorit të vitit të kaluar po rikonstruktohet nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në fushën e arsimit, me vlerë investimi 57 milion Lekë. Punimet në godinë kanë nisur në tetor të vitit 2015 dhe pritet të përfundojnë përpara fillimit të vitit të ri shkollor 2016 – 2017. 
46 mësuesit dhe 720 nxënësit e gjimnazit po e vijojnë përkohësisht mësimin në shkollën e mesme të përgjithshme “Vath Korreshi”. Me nismën e Ministres Gjermeni, në kuadër të programit “Shkolla një qendër komunitare” në këtë gjimnaz janë realizuar një sërë aktivitetesh. E tillë ishte dita olimpike, apo ekspozita e çelur në muajin Maj 2015, “Lushnja që do të doja”, ku u paraqitën 20 punime të nxënësve të kësaj shkolle.
Sigal