Ilir Meta: Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve për të garantuar paprekshmërinë e votës së shqiptarëve

458
Pas takimit të shumëpërfolur Rama- Meta i cili do të vendoste për fatin e koalicionit “Shqipëria Evropiane”, Kryetari i Kuvendit në një prononcim për mediat bëri të ditur se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë.
Meta gjithashtu e konsideroi të ardhmen e koalicionit si çështjen jo më të rëndësishme tani dhe ftoi Bashën për dialog. Gjithashtu Kreu i LSI tha se kërkohet angazhimi zyrtar i një përfaqësuesi zyrtar të Partisë Popullore Evropiane. Meta e konsideroi këtë si rrugën më të mirë për të filluar dialogun dhe për të zhbllokuar situatën sa më shpejt. 

Fjala e plotë
Dëshiroj të theksoj se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve tona për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë, si themeli i bashkëjetesës në një shtet dhe një shoqëri evropiane, që ka qenë një angazhim i kohës kur ne kemi qenë në opozitë dhe një angazhim kryesor i marrëveshjes së 22 prillit të vitit 2013 midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me këtë rast vullneti për të nisur një dialog pa kushte që tani me opozitën dhe drejtuesit e saj legjitim. 
Së dyti, kemi vendosur të vazhdojmë procedurat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri, por pa paraqitur asnjë emër apo pa mbështetur asnjë kandidaturë, për të dialoguar dhe për të bërë përpjekje për konsensusin edhe me opozitën për çështjen e Presidentit, edhe pse kjo mazhorancë ka gati 90 vota në Parlament. 
Së treti, duke e kuptuar vështirësinë e opozitës për të pasur besim, sepse çështja e mosbesimit është evidente dhe kjo është arsyeja pse dialogu ende nuk ka nisur, kemi vendosur që t’i drejtohemi zyrtarisht Partive Popullore Evropiane, ku dhe Partia Demokratike është anëtare, që të asistojë sa më shpejt të jetë e mundur në këtë dialog në mënyrë që ky ngërç të marrë fund sa më shpejt dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira, të qeta, demokratike dhe të ndershme.
Po kështu edhe procesi i integrimit evropian dhe i gjithë reformave të vijojë të jetë i suksesshëm në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Dua të theksoj rolin shumë të rëndësishëm që Partia Popullore Evropiane ka luajtur përgjatë gjithë kësaj periudhe në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë pavarësisht, se cilat forcat politike kanë qenë në pushtet apo në opozitë në vendin tonë.
Shpresojmë, dhe që sot do t’i drejtohemi Presidentit të Partive Popullore Evropiane, z. Daul, e njëkohësisht do të njoftojmë edhe Komisionerin për Zgjerimin në KE, z. Hahn, i cili ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ne gjatë kohëve të fundit duke u interesuar për zhbllokimin e kësaj situate, në mënyrë që procesi i dialogut të nisë sa më shpejt dhe të kemi një klimë krejtësisht tjetër nga kjo e sotmja, që nuk është e nevojshme.
Me këtë rast edhe një herë dua t’u kujtoj të gjithëve sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe toleranca dhe natyrisht në këto kushte toleranca është vendimtare për të garantuar edhe zgjedhjet e lira dhe bashkëjetesën evropiane të vendit. 
A do të rinovohet koalicioni me Partinë Socialiste sërish z. Meta?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është ajo që thashë më parë dhe le të punojmë të gjithë sa më parë për këtë dialog. A ka mundësi ta zgjidhim këtë çështje që tani.
Po në raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të shkoni pa një kandidaturë?
Ne do të vazhdojmë procedurat kushtetuese, sepse jemi të detyruar për këtë çështje. Nuk do të paraqesim kandidaturë, sepse duam që vendi të ketë një President konsensual ose sa më konsensual të jetë e mundshme.
Sepse, pavarësisht se ne kemi gati 90 vota si mazhorancë, mendojmë që Presidenti duhet të jetë një figurë konsensuale ose sa më konsensuale dhe natyrisht për këtë mendojmë që është i domosdoshëm dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën.
Z. Meta, a mendoni se mund të garantohet paprekshmëria e votës pa një qeveri teknike?
Nuk dua të hyj në çështje të tilla, besoj se këto ishin tre konkluzionet e këtij takimi. 
A do zhvilloni një takim me z. Basha?
Z. Basha, në çdo kohë që ai do të dëshironte një takim, unë jam i hapur, por kam përshtypjen që z. Basha është në një situatë mosbesimi, ndaj mendoj që një angazhim zyrtar i një përfaqësuesi zyrtar të Partisë Popullore Evropiane do të ishte rruga më e mirë për të filluar sa më shpejt dialogun dhe për të zhbllokuar situatën sa më shpejt.
Sigal