Gjermani: Asnjë asistencë e re financiare për azilkërkuesit shqiptarë

    549
    Ambasada gjermane hodhi poshtë deklarimet e “Dojçe Vele”-s, të cilave iu referuan edhe mediat shqiptare lidhur me asistencën financiare për azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar. “Ndryshe nga ç’raportojnë mediat shqiptare, azilkërkuesit me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare apo asistencën financiare për kthim. Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës: kërkesat për azil nga shtetasit/et shqiptarë/e – sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe refuzohen praktikisht në çdo rast. Azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen në Shqipëri dhe mund të dënohen me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë, që mund të zgjasë deri në pesë vjet, nëse ata nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre por kthehen forcërisht në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Tiranë.

    Qeveria e Berlinit ka vendosur t’u japë një mundësi tjetër mijëra shqiptarëve, të cilët kanë marrë rrugët e Evropës dhe nuk kanë arritur të përfundojnë me sukses procedurat e azilit. Sipas “Dojçe Vele”-s, deri më 28 shkurt azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në Gjermani, mund të kërkojnë një ndihmë për t’u riintegruar në vendin e tyre të origjinës. Familjet mund të marrin deri në 3000 euro, kurse individët deri në 1000 euro. Këto para mund të përdoren për të paguar qiranë, për të riparuar banesën, për pajisjen e tyre e kështu me radhë. Programi “Vendi yt, e ardhmja jote” plotëson programin “Starthilfe plus”. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, u bëri thirrje azilkërkuesve të refuzuar që ta shfrytëzojnë këtë ofertë. “Nëse ju vendosni deri në fund të muajit shkurt që të ktheheni vullnetarisht në vendlindje, mund të përfitoni edhe këtë ndihmë shtesë për shpenzimet për strehim në vendin tuaj. Ne ju ndihmojmë me ndihma konkrete për riintegrimin”, tha ministri gjerman.
    Sigal