Kuvendi i Kosovës voton pro mocionit kundër qeverisë së Albin Kurtit

413
Sigal

Kuvendi i Kosovës ka votuar pro mocionit kundër qeverisë së Albin Kurtit.

Me 81 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim në natën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës është votuar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë “Kurti”.

Albin Kurti drejtoi ekzekutivin e vendit për vetëm 51 ditë, duke qenë kjo Qeveria më jetëshkurtër ndonjëherë në Kosovë.

Mocionin për rrëzimin e Kurtit e nisi Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës, LDK’ja e prishi koalicionin pasi Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Në një fjalim të ashpër para votimit, Albin Kurti tha se beteja politike dhe sulmi ndaj tij nuk po bëhet për ministrat e LDK dhe as për situatën me koronavirusin.

Kurti tha në mënyrë të qartë se po kërkohet largimi i tij për t’i hapur rrugën shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaroi se është i bindur se ka një marrëveshje mes Thaçit dhe Serbisë, e cila do të vihet në zbatim me ikjen e qeverisë së Vetëvendosjes.

“Le të mos jemi të verbër dhe të mos bëjmë sikur nuk e dimë se kush është synimi. E takova Thaçin, dy orë dhe nuk ram dakord. Ideja nuk ishte të heqim vetëm tarifën, por kuptova se ka pazare për marrëveshje me Serbinë”,– tha Albin Kurti.

Ai shtoi se “motori i këtij nxitimi nuk ka të bëjë fare as me ministrin as me tërheqjen e trupave, por ka të bëjë asgjë më pak me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territoresh. Ky Pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë, pazari me këtë qeveri ku jam unë nuk bëhet, provoi ta bëjë gjendjen e jashtëzakonshme nuk e bëri, shko në shtëpi të bardhë me bo marrëveshje pse se bëri. Nuk ka marrëveshje as në shtëpi të bardhë as të gjelbër as të kuqe. Motori është si të largohet kjo. Unë jam i bindur e marrëveshje të gatshme këtë, praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe ia, e takova presidentin ai ma përsëri tri herë, heqë kryeministrin taksën shkojmë bashkë në Uashington e bëjmë marrëveshjen bashkë”.