Inceneratorët, Kryemadhi: Çështja ka dalë jashtë Shqipërisë, institucione ndërkombëtare po investigojnë

304
Sigal

Çështja e inceneratorëve ka ngjallur dhe interesin e institucioneve ndërkombëtare për të hetuar mbi këtë aferë. Kështu deklaron në emisionin ‘Cim Peka Live’, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila thotë se skema e inceneratorëve dhe transferimi i parave në kompani offshore ka zgjuar interesin jo vetëm të SPAK por dhe të institucioneve të tjera të huaja dhe ndërkombëtare për të zbuluar se ku dhe si kanë lëvizur miliona euro.

E gjithë skema e transferimit të parave në offshore është e bazuar në inceneratorin e Tiranës, tha Kryemadhi.

‘Çështja e inceneratorëve tashmë nuk është më thjesht në dijeninë time, nuk është më thjesht çështje e Shqipërisë ajo ka dalë jashtë kufijve të Shqipërisë. Shumë institucione të huaja dhe ndërkombëtare po fillojnë të investigojnë për shkak se çështja e inceneratorëve nuk është më një çështje burokratike grabitja e një fondi të caktuar të buxhetit të shtetit. Por ndërtimi i gjithë skemës së inceneratorëve sidomos inceneratori i Tiranës funksionon si një offshore. Pra, çdo të thotë? Do të thotë fshehje e drejtëpërdrejtë e parave të këtij institucioni.

Prandaj sot, mendimi im është që SPAK është në provë më shumë se kushdo tjetër, është sepse ne vërtetë kemi bllokuar paratë e Klodian Zotos, por Klodian Zoto nga i ka marrë paratë e tjera që ka paguar kompanitë fiktive të cilat kanë bërë transferimin e parave në kompanitë e tjera. Kanë ardhur nga inceneratori i Tiranës i cili është furnizuesi kryesor me para të llogarive të Klodian Zotos të Albtech e të tjera me radhë’.