Kushtet e vendosura nga Gjermania, ish-Ministri i drejtësisë: E pamundur të kemi Gjykatë Kushtetuse para Janarit

292
Sigal

Dy nga 9 kushtet e vendosura për Shqipërinë nga Bundestagu gjerman për të votuar pro hapjes së negociatave me BE, janë edhe vënia në funksionim e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Por kjo gjë shihet e pamunduar sipas ish-ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi.

Halimi shprehet se është e pamundur që këto dy gjykata të vihen në funksionim brenda janarit.

“Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë nuk kanë asnjë shans të vihen në funksionim në janar me ritmet që po ecën perzgjedhja e kandidatëve. Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale duhet të ketë minimalisht 6 anëtarë. Në situatën ku jemi të vetmit që mund të zgjedhin janë Presidenti dhe Parlamenti. Këta 6 anëtarë që do të zgjidhen, duhet të ketë secili tre kandidatë. Çdo vend në Gjykatën Kushtetuese që do të zgjedhë Presidenti duhet të ketë tre kandidatë. I bie të jenë 18 kandidatë të cilët sipas Kushtetutës duhet doemos të kenë kaluar të dy fazat e vettingut.”

Halimi jep si shkak vonesat e Vettingut dhe për këtë i rekomandon qeverisë dhe parlamentit dyfishimin e numrit të komisionerëve në mënyrë që të përshpejtohet puna për filtrimin e kandidatëve.

Duke rritur numrin e komisionerëve të vettingut apo dhe personelit ndihmës në mënyrë që të përshpejtohet procesi i shqyrtimit të kandidaturave. Pra të hapen njëherë kandidaturat, të kemi një “pishinë” më të madhe të njerëzve nga e cila do të përzgjedhë KED, Presidenti dhe Parlamenti dhe pastaj këta kandidatë të shqyrtohen sa më shpejt nga KPK dhe KPA.”

Një tjetër rekomandim i ish-ministrit të Drejtësisë është edhe shtimi i numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, pasi me 19 gjyqtarë do të jetë e pamundur shqyrtimi i numrit të lartë të dosjeve që janë në pritje.

Ish-ministri i Drejtësisë thotë se vonesa në ngritjen e institucioneve të reja BKH dhe SPAK dhe Gjykatave Antikorrupsion rrezikon të djegë edhe shume fode të dhëna nga Bashkimi Europian për ngritjen e tyre.