Kush janë bizneset dhe zyrtarët që morën 85 milion euro nga “Bankers Petroleum”

Mbretëria e faturave fiktive / “Bankers Petroleum” i ka shkaktuar shtetit  shqiptar mbi 20 miliardë euro vjedhe dhe miljona të tjera shkatërrime mjedisore. Ja historiku si hetimi  ndaj kompanisë së regjistruar në zonën off-shore të ishujve Cayman u bllokua nga ish-ambasadori, Donald Lu deri te batërdia në 2026 ku bizneset dhe individët morën 85 mln euro nga “Bankers ”. Pse SPAK, nuk e hap dotë kapakun e ndotur të puetës së naftës !?

Mbretëria e faturave fiktive, kush janë bizneset dhe individët që morën 85 mln euro nga “Bankers Petroleum”

NOA

“Bankers Petroleum” i ka shkaktuar shtetit  “miliona euro” dëme. Ja historiku  si hetimi  ndaj kompanisë së regjistruar në zonën off-shore të ishujve Cayman u bllokua fuqishëm nga ambasadori amerikan i kohës, Donald Lu deri te batwrdia deri në 2026 ku  bizneset dhe individët  morën 85 mln euro nga “Bankers ”

Dosja e aferës ‘Bankers’/ Në listën e prokurorëve ishin renditur krimet e “Fshehjes së të ardhurave”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.Rezultatet financiare të “Bankers Petroleum” janë të rreme dhe se ajo ka mbuluar fitimet me shpenzime fiktive, abuzive dhe mbi bazën e bilanceve të rreme.

Në foto: Selia e kompanisë “Bankers Petroleum Albania”

Bankers Petroleum është një emër i rëndë në ekonominë e brishtë shqiptare. Ndaj, edhe hetimi penal kundër kompanisë koncesionare që operon prej 20 vitesh në operimin dhe nxjerrjen e hidrokarbureve në zonën e pasur të Patoz-Marinzës, pranë Fierit, përbër një interes të shtuar publik.

Fillimisht Prokuroria e Fierit e më tej Prokuroria e Posaçme, po kryejnë prej muajsh një hetim për një skemë të dyshuar masive të pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave në rendin e miliona eurove.

Në dosjen hetimore, të lexuar nga “Boldnews.al” përmenden shumë emra, një pjesë e të cilëve ish-politikanë të rëndësishëm ose biznesmenë të fuqishëm. Natyrisht, të gjithë personazhet e përfshirë në këtë shkrim prezumohen të pafajshëm, derisa drejtësia të thotë fjalën e saj.

Një kompani me seli në Bullgari, “GreenHouse Smart Technology LTD”, e cila, siç cilësohet nga prokurorët, “nuk ka asnjë lidhje me tregun e hidrokarbureve”, ka faturuar në favor të studios së Leonidha Çobos rreth 1.8 milionë lekë. Gjithashtu, me subjektin e ri, Leonidha Çobo faturon shërbime konsulence në shumën totale prej 78 milionë lekë për “Tetra” shpk, edhe për kompaninë “Bolv OIL”, në pronësi të Behar Çukaj, për të cilën prokurorët kanë theksuar në dosje se “është një subjekt nënkontraktor i Bankers Petroleum”.

Gjithësesi, ata kanë një të përbashkët-janë emrat e dukshëm të dosjes “Bankers Petroleum”.

***

Në fund të qershorit 2025, dy prokurorët e Fierit, Elion Mustafaj dhe Jonida Allushi, i drejtuan gjykatës një kërkesë jo shumë të zakontë. Ata kërkonin caktimin e masave të sigurisë për thuajse të gjithë zinxhirin komandues të kompanisë koncesionare “Bankers Petroleum”.

Pas një hetimi disa-mujor, të mbështetur nga ekspertët e Drejtorisë së Tatimeve, ishin krijuar dyshime të forta se administratori në detyrë, disa ish-administratorë dhe drejtues të financave të shoqërisë që kontrollon fushën naftë-mbajtëse të Patoz-Marinzës, ishin përfshirë në disa vepra penale.

Në listën e prokurorëve ishin renditur krimet e “Fshehjes së të ardhurave”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Gjyqtarja e çështjes, Gladiola Bregu, mori më shumë se një javë kohë për të shqyrtuar,kërkesën e Prokurorisë, para se ta pranonte atë, në 2 korrik 2025.

Zinxhiri komandues i Bankers “nën akuzë”

Administratori aktual i “Bankeres Petroleum”, Hongping Xiao dhe ish-administratori në vitet 2010-2015, Leonidha Çobo, u vendosën në “arrest me burg”. Në “arrest në shtëpi” u vendosën Drejtori i Financës, Lianyi Ëang, Menaxheri Financiar, Ardit Kero, Drejtorja e Kontrollit Financiar, Flavia Capo, Audituesi Financiar, Kledi Xhani, dhe Doina Doga, Drejtore e Zinxhirit të Furnizimit pranë “Bankers Petroleum”.

Masa më të lehta sigurimi u aplikuan për Drejtoren tjetër të Kontrollit Financiar, Majlinda Thana, Menaxheren Financiare, Matilda Ibraliu dhe juristin Erton Ademaj.

Krahas tyre, u shpallën në kërkim Suneel Krishan Gupta, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2016-2018), Xingyun Sun, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2018-2020), Qing Fang, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2020-2022), dhe Huangqin Xiao, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” (2022-2024).

Në vijim, dosja i kaloi për kompetencë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), nën argumentin se e gjithë skema e dyshuar mashtruese është kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.

Nëntë muaj pas caktimit të masave paraprake të sigurimit nga Gjykata e Fierit, thuajse të gjithë personat e dyshuar janë të lirë, në përfundim të afateve paraprake. Ndërkohë, dy prokuroret e SPAK-ut që po shqyrtojnë dosjen, Anita Jella dhe Enkeleda Millonai kanë përfunduar hetimet dhe, duke nisur nga fundi i Marsit 2026, kanë nisur fazën e komunikimit të akuzave për personat e pandehur.

Për momentin, është e paqartë se sa është vlera reale e dëmit financiar që dyshohet se “Bankers Petroleum” i ka shkaktuar Shtetit. Në njoftimin fillestar, në korrik 2025, Prokuroria e Fierit citonte vlera të përgjithshme “miliona euro”. Shifra e saktë pritet të sqarohet në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Bankers, një “patate e nxehtë”

Në foto: Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ndërhyri për pushimin e hetimeve ndaj “Bankers”, në vitin 2015

Rasti nuk ishte aspak i lehtë. Një hetim i ngjashëm ishte zhvilluar edhe në vitin 2015. Por, një dekadë më parë ishte një kohë tërësisht tjetër.

Hetimi i nisur nga Prokuroria e Fierit ndaj kompanisë së regjistruar në zonën off-shore të ishujve Cayman u bllokua fuqishëm nga ambasadori amerikan i kohës, Donald Lu, i cili, për shkak të kësaj çështjeje u përfshi në një kurs përplasjeje me ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Një dekadë më pas, diplomati Lu ka dalë në pension dhe prokuroria e Fierit iu rikthye sërish hetimit të “Bankers”. Hetimet kanë krijuar dyshimet e arsyeshme tek prokurorët se kompania koncesionare është përfshirë në një skemë gjigante mashtrimi financiar përgjatë të gjithë kohës që ka ushtruar aktivitet tregtar në Shqipëri.

Dyshimi kryesor është fakti se “Bankers Petroleum”, në asnjë vit ushtrimor, nuk ka paguar taksa në arkën e Shtetin Shqiptar, nën argumentin se ka dalë me humbje.

Për prokurorët, rezultatet financiare të “Bankers Petroleum” janë të rreme dhe se ajo ka mbuluar fitimet me shpenzime fiktive, abuzive dhe mbi bazën e bilanceve të rreme.

“Mbretëria e faturave fiktive”

Në vitin 2004, kompania publike e naftës, “Albpetrol” nënshkroi marrëveshjen koncesionare me shoqërinë private “Bankers Petroleum” për nxjerrjen dhe përpunimin e hidrokarbureve në fushën e Patoz-Marinzës.

“Bankers Petroleum” u regjistrua në Shqipëri si degë e huaj e kompanisë “Saxon International Energy Ltd”, me seli në ishujt Cayman.

Të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se “Bankers Petroleum”, përgjatë viteve 2004-2024, ka eksportuar naftë brutor në shumën 598.581.754.111 lekë të reja (rreth 6 miliardë dollarë).

Ndërkohë, të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshm e Tatimeve tregojnë se, për të njëjtën periudhë, “Bankers Petroleum” ka deklaruar se ka dalë me humbje, “pavarësisht se janë nxjerrë sasi të konsiderueshme hidrokarburesh nga zona Patoz-Marinzës”, citohet në dosjen e Prokurorisë, të lexuar nga “Boldneës.al”.

Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Fierit ngriti dyshimin fillestar se “Bankers” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim shmangien e pagimit të taksave për Shtetin Shqiptar.

“Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria dhe punonjësit e saj ka dyshime se janë kryer operacione financiare fiktive, me individë si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, thuhet në dosjen hetimore.

Brenda dokumenteve, prokurorët kanë renditur një sërë emra personash dhe kompanish, të cilat dyshohet se janë vënë në shërbim të “Bankers-it”. Bazë fillestare e hetimit ka qenë veprimtaria e dyshimtë e disa kompanive, të lidhura me ish-administratorin Leonidha Çobo. Veprimet e mëtejshme krijuan dyshime edhe për një seri kompanish e studiosh, të cilat kanë përfituar miliona euro nga “Bankers”.

“Tea Co”

Kompania “Tea Co” është në pronësi të Artur Çobo, vëllait të Leonadhi Çobos, administrator i “Bankers” nga viti 2010 deri në vitin 2015, ndërkohë që ka ushtruar funksioneve të tjera brenda shoqërisë deri në 2019.

Të dhënat hetimore tregojnë se “Tea Co” ka faturuar rreth 45 milionë euro për shërbimet në favor të “Bankers Petroleum”. Prokuroria ka konstuar se “Tea Co” e Artur Çobos ka përfituar shumat më të mëdha gjatë periudhës që vëllai i tij, Leonidha Çobo ishte drejtues i “Bankers”.

“Vihet re se të ardhurat e kompanisë “Tea Co” bien në mënyrë drastike në vitin 2020, menjherë sapo Leonidha Çobo largohet nga pozicionet drejtuese në “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Në vijim, “Tea Co” ka deklaruar vetëm humbje dhe në vitin 2025 ka pezulluar aktivitetin tregtar.

“Mab Oil

“Mab Oil” Ltd është një shoqëri me kapital italian, e regjistruar në Britaninë e Madhe. Prokuroria dyshon se Leonidha Çobo ka krijuar një skemë pastrim parash me këtë kompani, të specializuar në procese reklamuese. Prokurorët i mbështesin këtë dyshime edhe në një informacion zyrtar që kanë marrë nga pasardhësit e Çobos në “Bankers”.

“Bankers Petroleum, nën drejtimin e Çobo, ka lidhur një marrëveshje me kompaninë italiane të marketingut, MAB OIL Ltd. Kjo kompani u përzgjodh nga Çobo si konsulent për shitjen e naftës bruto në tregun europian. Por për të përfituar këtë kontratë, kompania italiane duhet t’i kthente mbrapsht Loni Çobos, në formë komisioni, vlera të konsiderueshme parash”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Prokurori.

“LC Consulting Albania”

Në foto: Pikë karburanti e “Europetrol Group”, në pronësi të familjes Kuqi

Në vitin 2019, gjatë kohës që Çobo ishte ende pjesë e “Bankers”, regjistron zyrën e konsulencës “Leonidha Çobo-Person Fizik”, me emrin tregtar “LC Consulting”. Prokuroria dyshon se ai e ka përdorur studion për të “shkarkuar” paratë që kompania e vëllait të tij merrte tek “Bankers Petroleum”.

“Për vitin 2019-2020, Leonidha Çobo faturon “Tea Co” për një shumë totale prej 21 milionë lekë të reja. Këto faturime ndërpriten menjëherë pas dhjetorit 2020, kur përfundon kontrata ndërmjet “Tea Co” dhe “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Krahas faturave për “Tea Co”, subjekti Leonidha Çobo ka deklaruar të ardhurave nga konsulenca edhe për disa subjekte të tjera private, në një total prej 155 milionë lekë të reja (rreth 1.5 milionë euro) veprime që prokurorët dyshojnë se janë fiktive.

“LC Consulting” e Çobos ka ofruar shërbime në shumën 31 milionë lekë të reja për kompaninë e naftës, “Al. Global Oil”, kjo e fundit në pronësi të “Europetrol Group”, e njohur për pikat e karburantit “Eida” me aksionerë fundorë Asllan, Skënder, Gerian dhe Eno Kuqi.

Gjithashtu, klient i rëndësishëm i Leonidha Çobos është “H2015” shpk, një studio konsulence e lobimi në pronësi të ish-ministrit demokrat, Besnik Mustafaj dhe djalit të tij, Dardanit. Sipas dosjes së Prokurorisë, “H2015” shpk ka paguar për Çobon fatura në vlerë totale 29.5 milionë lekë të reja.

Një kompani me seli në Bullgari, “GreenHouse Smart Technology LTD”, e cila, siç cilësohet nga prokurorët, “nuk ka asnjë lidhje me tregun e hidrokarbureve”, ka faturuar në favor të studios së Leonidha Çobos rreth 1.8 milionë lekë.

Subjekti “LC Consulting” ka faturuar rreth 10 milionë lekë të reja për kompaninë greke “AS Geotechnology” shërbime, të cilat, sipas dosjes hetimore, “nuk lidhen aspak me ekspertizën e Çobos”.

Në vijim, “Leonidha Çobo-Person Fizik” rezulton se ka faturuar rreth 15 milionë lekë të reja subjektin “C.C.S” shpk, me objekt në fushën e pajisjeve teknologjike dhe me pronarë Genc Likoskëndaj, Arjan Bare dhe Blerind Mehmeti.

Prokurorët dyshojnë se këto faturime janë fiktive, pasi Çobo nuk ka ekspertizë në fushën e teknologjisë së informacionit. Nga ana tjetër, dyshimet e tyre forcohen edhe nga fakti se Leonidha Çobo dhe një nga aksionerët e “CCS” shpk, Genc Likoskëndaj, janë ortakë në një subjekt tjetër, “TETRA” shpk.

Edhe nga subjekti “Tetra” shpk, ku Çobo rezulton të jetë aksioner me 20 përqind, rezulton se ai ka faturuar 18 milionë lekë të reja për ekspertizë.

Në vitin 2024, Leonidha Çobo regjistron si subjekt më vete tregtar “LC Consulting”. Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë se “Leonidha Çobo-Person Fizik” ka faturuar shërbime konsulence për subjektin “LC Consulting”, po në pronësi të tij, shumën 12.5 milionë lekë të reja.

Gjithashtu, me subjektin e ri, “LC Consulting”, Leonidha Çobo faturon shërbime konsulence në shumën totale prej 78 milionë lekë për “Tetra” shpk, ku është vetë aksioner me Genc Likoskëndaj, për ‘CCS” shpk, por edhe për kompaninë “Bolv OIL”, në pronësi të Behar Çukaj, për të cilën prokurorët kanë theksuar në dosje se “është një subjekt nënkontraktor i Bankers Petroleum”.

Leonidha Çobo ka qenë themelues i “C-Proprieties” shpk. Në Prill të vitit 2024, ai ia shet aksionet e kësaj kompanie shtetasve Emirjon Marku, Aristir Stefa dhe Nertila Demiri, të cilët “rezultojnë përfitues nga qiraja e tokës që i kanë dhënë Bankers Petroleum gjatë kohës që Çobi ishte administrator i saj”.

Një prej blerërsve të rinj, Aristir Stefa rezulton se autorizonte Artur Çobon, vëllain e Leonidha Çobos, që të tërhiqte nga banka paratë që përfitonte nga toka që i kishte dhënë me qira kompanisë “Bankers Petroleum”.

Prokurorët kanë identifikuar edhe një situatë të dyshimtë me kompaninë “C-Proprieties”, gjatë kohës që aksioner ka qenë Leonidha Çobo. Të ardhurat e saj kanë qenë rreth 25 milionë lekë të reja, ndërkohë që shpenzimet për “parapagime të ndryshme”, arrinin në shifra shumë herë më të larta, në rreth 200 milionë lekë të reja.

Të dhënat hetimore tregojnë se “C-Proprieties”, gjatë asaj kohe, ka kryer parapagime për pasuri të paluajtshme në shumën 190 milionë lekë. Gjithashtu, “C-Proprieties” rezulton që ka kryer pagesa edhe për “Tea Co” të vëllait të Çobos, Arturit.

Pas largimit të Çobos nga “C-Proprieties” ajo kontrollohet nga Emirjon Marku, të dy bashkëpunëtorë të ngushtë në disa subjekte tregtare. “C-Proprieties” shpk rezulton se ka faturuar prej vitit 2023 në shumën rreth 13 milionë lekë të reja subjektin “IR” shpk. Kjo e fundit është në pronësi të “Alb-Star” shpk, me aksioner Idajet dhe Sadik Ismailaj. “Shoqëria Alb-Star është një nga nënkontraktorët më të mëdhenj të Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Nga analiza e detajuar e aktivitetit të Leonidha Çobo, prokurorët thonë se ai ka aktivizuar “një model të përsëritur të transaksioneve me dyshim për mungesë thelbi ekonomik dhe vetë-faturime nëpërmjet entiteteve të kontrolluara prej tij apo të afërmëve…Ato krijojnë dyshime të bazuara për transaksione të stimuluara, shmangie tatimore, pastrim parash dhe justifikim të burimeve të pajustifikuara”.

Skema e zgjeruar

Hetimet penale nuk janë fokusuar vetëm tek Leonidha Çobo. Ato përfshijnë edhe drejtues të tjerë të “Bankers Petroleum”, ku konstatohet e njëjta skëmë e dyshuar e mashtrimit financiar.