Kur do të marrë fund protesta? Ja çfarë thotë Basha

448
Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka qëndruar edhe njëherë stoik vendimit për t’i shkuar deri në fund protestës së opozitës para kryeministrisë. Kur do të marrë fund protesta? “Kur të kemi qeverinë teknike dhe të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.”, tha Basha për Top Story, në një lidhje nga çadra e ngritur përballë kryeministrisë. Edhe pse jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, Basha dha një përgjigje në lidhje me kërkesën e BE për rikthimin e opozitës në Parlament. Ai tha se PD nuk kthehet në Parlament pa u plotësuar kërkesat e opozitës kur tha se “ai është parlament fasadë, i deligjitimuar”. “Është në kauzë që nuk është vetëm e PD. Kundër kriminelëve në pushtet është kauzë e të gjithëve. Kjo mazhroancë dështoi t’i japë vendit reformë zgjedhore. Zvarritën reformën”, deklaroi Basha. Por a do të futet në zgjedhje Partia Demokratike nëse kërkesat e opozitës nuk pranohen? Basha deklaroi se “nuk mund të shkohet në zgjedhje pa garantuar votën e lirë, dhe pa opozitën nuk mund të ketë zgjidhje”. “Është rruga e përballjes deri sa njëra palë të tërhiqet. Garancia e vetem është që vota e qytetarëve të numërohet drejt. Zgjedhje pa opozitën mbajnë vetëm vendet diktatoriale. Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Zgjedhje fasadë, zgjedhje me shit-blerje votash nuk do të ketë”, deklaoi Basha.
Sigal