Kulisat e politikës për pazarin e Kryeprokurorit

572
Kryeministri Rama ka ftuar opozitën në diskutime për Kryeprokurorin e ri, por nga opozita ka ardhur një refuzim i qartë. Megjithatë politika nuk është vetëm paraqitje dhe deklarata publike. Në korridoret e politikës tashmë prej ditësh zien çështja e Kryeprokurorit dhe nuk mungojnë kulisat apo ofertat e nëndheshme. Burime politike bëjnë të ditur për “Telegraf” se janë ndërtuar edhe formula të mundshme për të bindur palët në arritjen e një marrëveshjeje. Një ndër këto formula parashikon zgjedhjen si Kryeprokuror të një kandidature të preferuar nga opozita, në një listë emrash të përzgjedhur nga shumica parlamentare. Kjo do të ndodhte, sipas burimeve, me kushtin që të kishte një zgjidhje të njëkohshme për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku shumica parlamentare mund të kishte në dominancë të preferuarit e saj. Për rrjedhojë, në “duart” e mazhorancës do të përfundonte prokuroria speciale apo siç njihet ndryshe SPAK, një strukturë që do të zëvendësojë Prokurorinë aktuale të Krimeve të Rënda. Drejtuesi i saj zgjidhet nga KLP-ja, pa pasur nevojë për një ratifikim të kualifikuar nga Kuvendi. Parlamenti po avancon ndërkohë me procedurën e zgjedhjes së një kryeprokurori të përkohshëm, ku duket se nuk mungojnë edhe kandidatura që mund të marrin pëlqimin e opozitës. Nuk dihet ende nëse mes palëve politike ka ose jo një negociatë të mirëfilltë mbi formulën e hartuar, që do të zgjidhte edhe debatin aktual për prokurorin e përkohshëm. Sidoqoftë, kërkesa për një kompromis mazhorancë-opozitë synon edhe shuarjen e debatit apo mundësinë që njëra nga partitë politike t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të “hedhur në erë” punën e Komisionit parlamentar të Ligjeve, që po kryen në këtë proces funksionet e KLP-së. 
Sigal