KSHH ngre alarmin për keqpërdoimin e të dhënave personale

206
Sigal

Komiteti Shqiptar i Helsinkit edhe më parë është prononcuar për mbrojtjen e të dhënave personale, si një aspekt i rëndësishëm i së drejtës për jetë private dhe familjare, i sanksionuar në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në legjislacionin tonë të brendshëm. Është detyrë e institucioneve përgjegjëse për të bërë verifikimet e duhura se si janë mbledhur këto të dhëna, si dhe nëse mbledhja dhe përpunimi i tyre shkel legjislacionin në fuqi. Nëse zgjedhësit pyeten nga partitë politike apo çdo person tjetër, për bindjet politike dhe se për cilin subjekt zgjedhor do votojnë dhe këto të dhëna përpunohen dhe ruhen, sipas identitetit të zgjedhësit dhe/ose pa pëlqimin e tij/saj, kjo përbën premisë për cenimin e fshehtësisë së votimit. Problematik është fakti i krijimi të profilit të zgjedhësit për bindjet politike, pa marrë pëlqimin e tij/saj. KSHH e sheh të arsyeshme t’i bëjë thirrje të gjitha subjekteve zgjedhore, të zbatojnë legjislacionin në fuqi, por duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe transparencë karshi publikut, në respekt të privatësisë së çdo zgjedhësi, por edhe lirisë, barazisë dhe fshehtësisë së votës.