Kryetarja e LSI Durrës, Kuçi: Fitorja e madhe e 25 prillit do të nisë në Durrës e do festohet në të gjithë Shqipërinë

270
Sigal

Kryetarja e LSI në Durrës, Kontjana Kuçi deklaron se LSI Durrës do jetë surpriza më e madhe e fitores së 25 prillit.

Në një intervistë ajo shprehet se Fitorja e madhe do të nisë në Durrës e do festohet në të gjithë Shqipërinë.

Intervista e plotë:

Zonja Kuçi, Durrësi është qyteti i dytë në vend jo vetëm nga popullsia por edhe nga rëndësia, cila është platforma politike dhe elektorale e LSI për këtë qytet?

LSI Durrës e bazon platformën e saj politike bazuar së pari mbi qëllimin për t’ia kthyer Durrësin banorëve. Prej vitesh Durrësi është marrë peng nga mafia e lidhur me pushtetin e që më pas u shndërrua në mafia e ulur në pushtet. Më 25 prill ne do ia kthejmë Durrësin tonë banorëve dhe familjeve të thjeshta sepse vetëm atyre u përket drejtimi i qytetit.
Durrësi është i shkatërruar si nga ekonomia, urbanistika, turizmi por mbi të gjitha nga mungesa e shpresës. Qyteti ynë është shndërruar tragjikisht në simbol kombëtar të betonizimit, ilustrim se si një qytet me vlera historike, arkeologjike dhe kulturore mund të vritet.
Dikur taverna e Adriatikut tashmë është një bllok betoni, pa as edhe një park, pa asnjë projekt zhvillimor, me të ardhura për qytetarët vetëm nga fasoneria dhe callcenters. Aq brutale ka qenë mafia e ndërtimit saqë edhe gjetjet arkeologjike, ato me vlera mijëvjeçare janë mbuluar qëllimisht me beton.
Rinia e Durrësit është e papunë. Shtresa e mesme gjendet në kushtet e mbijetesës. Bizneset e vogla në faliment dhe sektori i turizmit gati në mbyllje.
Kjo situatë duhet të mbarojë dhe më 25 prill banorët e Durrësit do i japin ndëshkimin më të madh sektit të betonit dhe korrupsionit që e shkatërroi Durrësin dhe mbarë Shqipërinë.
Platforma jonë politike është punësim, mbështetje për biznesin dhe sektorin e turizmin, krijimin e mundësive për startup-e sidomos nga të rinjtë, paketa fiskale të favorshme për biznesin e madh dhe të vogël, dhe mbi të gjitha pjesmarrje e qytetarëve në vendimmarrje. Durrësi i qytetarisë dhe jo i babëzisë. Durrësi i vlerave dhe jo mafias së betonit dhe plehrave. Durrësi i banorëve të thjeshtë.

Ju jeni shprehur dhe e keni denoncuar faktin se në Durrës faturat mujore të ujit janë më të lartat në vend. Çfarë problemesh të tjera ka Durrësi?

Banorët e Durrësit paguajnë faturat e ujit më të larta në vend.
Faturat mujore të ujit për familjet e Durrësit shkojnë deri mbi 5,000 lekë të reja dhe madje gjatë periudhës së karantinës arritën deri në 7,000 lekë të reja për klientët familjarë.
Nê Durrës abuzohet me faturat e ujit por edhe me të energjisë elektrike.

Pavarësisht se Durrësi u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe efektet e pandemisë mbi familjet dhe biznesin e Durrësit ishin të rënda qeveria dhe bashkia nuk bënë asgjë për familjet e thjeshta dhe bizneset.
Trefishimi i faturave të ujit është zhvatje dhe rëndesë edhe më e madhe për banorët.
Në pikun e pandemisë qeveria miratoi strategjinë kombëtare për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve 2020-2030 duke e rritur me 75% tarifën e ujit deri në vitin 2030 me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive Ujësjellës Kanalizimeve.
Të papunët, pensionistët, nuk mund ta përballojnë një faturim të tillë. E gjithë paga apo pensioni i tyre shkon vetëm për faturën e ujit dhe dritave. Pjesa më e madhe e banorëve jetojnë në varfëri dhe kushte mbijetese.

Durrësi ka probleme në të gjithë sektorët e jetës. Largimi i rinisë është problem madhor. Abuzimet me fondet e rindërtimit, familjet që jetojnë ende në çadra pas një viti që nga tërmeti i vitit të kaluar, kanalizimet dhe përmbytja e qytetit sa herë që bie shi, janë problemet më madhore dhe imediate.
Duhet politikë e re. Qeverisje e re. Filozofi e re drejtimi. Për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo për ti zhvatur e shtypur ata.
Banorët e Durrësit nuk e meritojnë këtë shtypje e varfëri ndaj edhe më 25 prill do i japin shuplakën më të rëndë mafias që është ulur në qeveri dhe bashki.

Kush e menaxhon fushatën elektorale të LSI në Durrës?

Fushatën e LSI në Durrës e menaxhojnë vetë banorët e Durrësit. Janë shqetësimet e tyre ato që na udhëheqin në politikat tona. Ne jemi vetëm zëri i tyre dhe punojmë që t’i shërbejmë sa më mirë.
LSI Durrës po përjeton një revolucion. Elita e qytetit është bashkuar me ne. Intelektualë, mjekë, ekonomistë, juristë, inxhinierë, pedagogë, artistë dhe sportistë janë bërë e ekipit tonë ndaj ne kemi ekspertizën e duhur për t’i shërbyer Durrësit sa më mirë. Kjo qytetari dhe profesionalizëm është çelësi i fitores sonë të madhe.

Çfarë rezultati zgjedhor prisni në Durrës më 25 prill?

LSI Durrës do jetë surpriza më e madhe e fitores së 25 prillit. Fitorja e madhe do nisë në Durrës dhe do festohet në të gjithë Shqipërinë.