Kryemadhi takim me të rinjtë: Rininë shqiptare s’ka virus që e ndal

86

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me gjimnazistët e LRI Tiranë (Pjesa 1)

Në fakt dua të falënderoj gjithë grupin e gjimnazistëve, urime për këtë aktivitet të jashtëzakonshëm me gjimnazistët e Tiranës, të cilët janë shpirti, zemra dhe drita e syve e prindërve, e familjeve tona, por mbi të gjitha e kombit tonë, i cili vetëm duke parë një rini kaq të mrekullueshme ka një të ardhme të garantuar. Dëgjojmë me vëmendje, me pjesën më të madhe tuajën jemi takuar dhe në fakt kemi biseduar. Dhe pyetja që bëjmë herë pas here, jo vetëm ju, por kudo, sa nga ju duan të ikin jashtë shtetit sepse nuk ndihen të sigurt në Shqipëri? Mos kini siklet, ngrijeni dorën, sepse nuk ka asgjë të keqe, që të themi atë që ndiejmë, kjo na bën vetvetja. E pra, shumë të rinj dhe të reja jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, ashtu siç kanë boshatisur fshatra të tëra dhe qytete të tëra, kanë dëshirë për t’u larguar jo me dëshirë të madhe, por me dhimbje. Sepse nuk shikojnë mundësinë e krijimit dhe të realizimit të ëndrrave të tyre në Shqipëri.
Mungesa e arsimimit cilësor, mungesa e perspektivës së punës për nesër, por jo vetëm, por edhe të një page të mirë paguar, mungesa e shumë gjërave të tjera që sot ka nevojë një i ri, jo vetëm shkollën e mesme, që sot ju jeni në Tiranë dhe e zhvilloni mësimin me 4 turne. Jo vetëm universitetin, i cili në shumicën e rasteve është konflikt interesi i drejtpërdrejtë me vetë ju, me familjet tuaja, sepse jeni ju ata që abuzoheni me mënyrën dhe metodologjinë që ndjek Ministria e Arsimit. Mungesa e hapësirës dhe krijimit të mundësive për tregun e punës, mungesa e shkollimit, kur ndërkohë jo vetëm nuk i krijon mundësinë për të pasur një arsim cilësor, por nga ana tjetër bllokohen rrugët që ju të keni mundësinë që të bëni dhe arsim dhe punësim, në mënyrë të tillë që të jeni të gatshëm nesër për tregun e punës. Cilësia e diplomave tuaja, e cila asnjëherë nuk është e barabartë dhe e unifikuar me bashkëmoshatarët tuaj në Europë apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E pra në këtë mënyrë, ajo e cila na ofrohet sot nga qeverisja, nuk është Shqipëria shtëpia juaj, nuk është Shqipëri shtëpia e shqiptarëve me mënyrën sesi qeveriset sot. Përkundrazi, Shqipëria çdo ditë e më shumë shkretohet e duke u shkretuar, nuk krijon më gjë tjetër, por veçse varfërohet, jo vetëm nga ana intelektuale dhe profesionale, por mbi të gjitha varfërohet për sa i përket asaj pjese që është shumë e rëndësishme, rinisë shqiptare. A ka zgjidhje kjo situatë? Sigurisht që ka zgjidhje. Ka një zgjidhje që është shumë e thjeshtë. Ka një zgjidhje që në radhë të parë kërkon dëshirë dhe botëkuptim të hapur të politikanëve dhe sidomos të kryetarëve të partive.
LSI-ja është partia e të rinjve. LSI-ja i ka dhënë prioritet të rinjve. LSI-ja ka krijuar hapësira dhe infrastrukturë për djem dhe vajza, të cilët janë vërtetë krenaria e LSI-së, janë shpirti dhe zemra, por mbi të gjitha janë fuqia e LSI-së. Prandaj dhe detyra jonë nuk është që t’i përdorim të rinjtë si dekor, kur i duhen për të mbuluar zullumet e incerenatorëve, të vjedhjes së pagave të naftëtarëve, të grabitjes së pronave, të rrënimit të shtëpive të tyre, që edhe pse i ka dëmtuar tërmeti, qeveria dhe Bashkia e Tiranës vazhdon t’u grabisë pronat. Të rinjtë, përkundrazi, duhet të reagojnë dhe mënyrën për të reaguar e kanë shumë të thjeshtë. Të marrin në dorë fatet e tyre. Të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe që të bëhesh sot pjesë e vendimmarrjes, nuk do të thotë të përkrahësh një kryetar partie, por që të bëhesh pjesë e vendimmarrjes do të thotë që të kesh vizion, të kesh ide dhe t’i realizosh ato. Prandaj sot këtu, nga Korpusi i Universitetit të Tiranës, sot këtu nga Sheshi Nënë Tereza, ku me bekimin e saj të bekojë këtë rini të mrekullueshme, të bekojë familjet tuaja, por edhe shokët e miqtë tuaj, që t’iu ndriçojë mendjen dhe zemrën, për të vazhduar për të luftuar që të realizoni jo vetëm ëndrrat tuaja, por të krijoni familjet tuaja në Shqipëri. Ta bëni Shqipërinë shtëpinë tuaj. LSI-ja do të jetë foltorja juaj, jo vetëm për folur dhe për të ngritur zërin, por do të jetë foltorja juaj për të marrë vendimet tuaja, për t’u përfshirë në vendimmarrje, për t’u përfshirë në hartimin e politikave, për të ndryshuar këtë realitet të hidhur dhe për të ecur përpara.
Sepse vetëm me djem dhe vajza si ju, të cilët ëndërrojnë të jenë evropianë, jo evropianë thjesht në një hartë gjeografike por evropian në vlera, në meritokraci, në standard jetese, në cilësi shkollimi, në cilësi të shëndetësisë, për të cilën ka shumë fjalë për të thënë, në cilësinë e mënyrës së jetesës, në përkrahjen që duhet ti japim prindërve tanë, familjarëve tanë, për të krijuar më shumë jo vetëm mundësi punësimi, por mundësitë e integrimit në shoqërinë shqiptare për të qenë evropianë të vërtetë.