Kryetari i PD Lulzim Basha; Do të hapim negociatat me BE në 100 ditët e para të mandatit. Qeveria e re do të ketë fytyrën e të rinjve

180
Sigal

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha premtoi dje se brenda 100 ditëve të para të mandatit qeverisës do të hapen negociatat me Bashkimin Europian. Basha kujtoi edhe kohën kur premtoi heqjen e vizave, pas plotësimit në kohë rekord të 150 kushteve.

A do jemi pjesë e Bashkimit Europian brenda mandatit të parë?

Basha: Unë ju garantoj që brenda 100 ditëve të para ne do të hapim negociatat. Ne do të hapim negociatat dhe më vjen mirë që si kudo tjetër edhe këtu ju e prisni këtë me optimizëm dhe me besim. Kur kemi qenë prap bashkë në një takim në Kavajë dhe ju thash që do të heqim vizat nuk ka qenë ky reagim. Ra heshtja. Disa ulën kokat dhe jam i sigurtë që menduan ‘kjo nuk ka për të ndodhur’, ‘ça po na thotë zoti Basha, do heqim vizat, ëndërr e pamundur’ dhe ja ku jemi. Për këtë merita është e çdo shqiptari dhe në veçanti e atyre që i bëjnë realitet fjalët e dhëna. 150 kushte për të hequr vizat dhe i plotësuam në një kohë rekord se ne e ndjenim se çfarë peshe e rëndë ishte kjo për çdo familje shqiptare.

Nuk do të ketë më ndasi politike!

Kreu demokrat, Lulzim Basha, në një takim në fshatin Vil Bashtovë, në Kavajë, theksoi se qeveria e re do të ketë fytyrën e të rinjve dhe më e rëndësishmja sipas tij, është se nuk do të ketë më ndasi politike. Lulzim Basha: Kam disa dokumente që më qëndrojnë gjithmonë në tavolinë, një është Kushtetuta dhe një tjetër është një dokument ajo listë, e të rinjve dhe të rejave, që u shoqëruan, arrestuan, barbarizuan, sepse protestuan për liri, demokraci dhe zgjedhjeve të lira. U kam thënë që kur të vijë dita, për secilin prej tyre, me emër dhe mbiemër, sepse ju i dhatë Shqipërisë shpresë, me zërin tuaj, qëndresën tuaj. Nuk do të jetë larg, fshati i atij djali, që e detyruan të vriste veten se e kishin kapur me një cigare hashash. Sot ka një mesazh, më 25 prill, duke votuar PD, ndryshimin, më jepni mundësinë mua dhe qeverisë të ardhshme për të vendosur drejtësinë për çdo qytetar e qytetare që i është mohuar këto 8 vite. BE dhe ekonomia janë prioritete absolute të programit tonë. Shtyllat e planit tonë, mbi të cilën kam shkruar dhe një libër, janë integrimi në BE, rritja e pagave, punësimi. Nuk integrohesh në BE me 200 euro rrogë dhe një person që ka të gjitha pushtetet. Të gjithë shqiptarët e dinë se e vetmja mënyrë për të arritur paga dhe arsimim është anëtarësimi në BE. Misioni im tjetër në politikën është t’i hap rrugën të rinjve, ata që sot nga ambiciet janë njësoj si rinia Evropiane. Nëse ka një rrugë që Shqipëria ka hyrë në Evropë është rinia shqiptare, ndaj misioni im është të hap rrugën rinisë të marrë fatet dhe drejtimin e vendit. 25 prilli do të jetë dita e ndryshimit dhe fitorja e shqiptarëve.