Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Ambasadorin e ri të Brazilit në Shqipëri z. Jorge José Frantz Ramos

399
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Ambasadorin e ri të Republikës Federative të Brazilit, z. Jorge José Frantz Ramos, të cilit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ndërparlamentare. “E çmojmë miqësinë që kemi me Brazilin dhe dëshirojmë që marrëdhëniet tona të avancojnë drejt një faze më dinamike, ndaj mbështetja jonë do të jetë e pakursyer për të konkretizuar potencialin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Brazilit”, theksoi z. Meta.

 Ambasadori i Brazilit z. Jorge José Frantz Ramos shprehu kënaqësinë e marrjes së detyrës në Shqipëri duke e siguruar Kryetarin e Kuvendit se puna e Ambasadës do të fokusohet jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në promovimin e Shqipërisë në Brazil.

 Duke i uruar Ambasadorit Ramos suksese në detyrën e re, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta ndau bindjen se bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Brazilit duhet t’i afrohet nivelit të marrëdhënieve politike dhe miqësisë që ekziston mes dy popujve.