Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, priti Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt

394
Sigal

Dje, kryeparlamentari Gramoz Ruçi priti kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Në takim u bisedua mbi zgjerimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Prezencës së OSBE-së. Bashkëpunimi i deritanishëm përfshin kontributin e Prezencës për fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve të Kuvendit, përmirësimin e infrastrukturës për shërbimin e deputetëve ndaj qytetarëve në territor, përmirësimin e Rregullores dhe të procedurave të Kuvendit etj. Kryetari i Kuvendit, Ruçi kërkoi që “Në kuadër të zgjerimit të këtij bashkëpunimi, t’i jepet përparësi trajnimit dhe kualifikimit të deputetëve të rinj, për njohjen sa më të shpejtë e të thelluar prej tyre të procedurave parlamentare dhe rritjen e kontributit në komisionet e Kuvendit, në funksionin ligjvënës dhe kontrollin parlamentar, përmirësimit të transmetimeve televizive të punimeve dhe veprimtarive të Kuvendit, mbështetjen e funksionimit të TV Kuvendi, zgjerimin e aksesit informativ nga personat me nevoja të veçanta etj.” Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se po punohet që përmirësimi i Rregullores së Kuvendit të pasqyrojë më mirë standardet e reja të Kodit të Sjelljes së Deputetëve. Kuvendi po bën të gjitha përpjekjet që hartimi dhe miratimi i ndryshimeve në Rregullore të pasqyrojë një spektër sa më të gjerë mendimesh e kontributesh, në radhë të parë kontributin e deputetëve të opozitës.