Lirimi i Kajmakut, PD: Skenar mafioz i qeverisë

275
Sigal

Vetëm 24 orë qëndroi në pranga ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, pasi Gjykata e Apelit vendosi masën e sigurisë ”detyrim paraqitje”. Vendimi është cilësuar nga PD si një skenar mafioz i qeverisë për të lënë atë të lirë dhe mos vuajtur asnjë ditë burg. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi shprehet se gjithçka ishte e llogaritur ku policia bëri sikur e arrestoi pas muajsh arratisje dhe më pas me urdhër të qeverisë u lirua brenda 24 orëve me argumentin se është sëmurë.

Postimi i plotë

Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës. Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg. Agim Kajmaku, një falsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumente se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit. Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti e Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tenderë publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë.