Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj takon Ambasadorin e ri të Polonisë

459
Sigal

Gazeta Telegraf/ Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj
takoi sot më datë 07 tetor 2016 Ambasadorin e ri të Polonisë në Shqipëri, z.
Karol Bachura.

Ambasadori Bachura vlerësoi kontributin e KLSH në zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve
mes Polonisë dhe Shqipërisë, nëpërmjet një partneriteti dhe bashkëpunimi të
frytshëm me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Polonisë (NIK) gjatë viteve
2012-2016. Ai sugjeroi që kjo eksperiencë e suksesshme të shtrihej dhe në
vendet e tjera të rajonit, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe
Bosnje-Hercegovinë, në marrëdhëniet e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve
supreme të auditimit(SAI-ve) dhe NIK.

Kryetari i KLSH cilësoi se audituesit shqiptarë kanë mësuar për teknikat e
auditimit dhe qasjen e duhur në auditim nga eksperienca e bashkëpunimit me
NIK-un polak dhe besojnë në të ardhmen e këtij bashkëpunimi.

Ambasadori polak theksoi ndjenjat e simpatisë dhe të miqësisë që populli polak
ushqen ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar dhe tha se do të punojë që prania
e Polonisë të ndihet më shumë në ekonominë shqiptare dhe në investimet e huaja në
vend. Ai u shpreh se sot përparësitë kryesore në reformën në drejtësi janë
lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit. Në këto dy përparësi,
ai sheh një rol kryesor të institucionit suprem të auditimit.

Kryetari i KLSH nënvizoi se Polonia është një partner i rëndësishëm për
Shqipërinë në BE. “Vendi juaj është një vend i madh dhe me autoritet në
vendim-marrjen evropiane. Po ashtu e zhvilluar është edhe Zyra Shtetërore e
Auditimit, NIK-u polak. Ajo drejton projektin e binjakëzimit IPA 2013 për
KLSH-në”.

Ambasadori Bochura paraqiti idenë e tij të një dhënjeje eksperience
horizontale për institucionet kryesore publike në Shqipëri, lidhur me hapat e
anëtarësimit në BE, duke ndjekur një shembull të suksesshëm e konkret si anëtarësimi
polak.  

Z. Leskaj vlerësoi idetë e bashkëpunimit të
Ambasadorit Bochura dhe u shpreh i gatshëm për të ndihmuar si KLSH në
realizimin e tyre.