Kryesia e re e PD-së harton kalendarin e protestave popullore mbarë kombëtare

570
Sigal

Petraq Barjami

Që nga dita e djeshme, opozita është parti joparlamentare. Dje kryetari i PD-së Lulzim Basha mblodhi në mënyrë urgjente Kryesinë e re të PD-së, për të përpiluar strategjinë e re të PD-së, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve.

Basha:Kalendari i protestave mbarëkombëtare

PD-ja po mobilizohet dhe përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, edhe pse kryeministri Rama i mohoi kategorikisht. Të gjithë e kanë të qartë, që nuk mund të ketë jetëgjatësi një parlament monist, vetëm me PS-së, ndërkohë që PD-ja dhe partitë e tjera parlamentare të Opozitës janë jashtë parlamentit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, zbardhi edhe strategjinë e re të Opozitës. Basha: Vendimi i parë i Kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash popullore të shtrira në të gjithë vendin dhe natyrisht protestave kombëtare në Tiranë për të cilat në ditët në vijim Kolegji i Kryetarëve dhe Këshilli Kombëtar i PD do të marrin vendimet përkatëse të organizimit të kalendarit të datave të mobilizimit mbarëqytetar për të vazhduar protestat mbarëpopullore për largimin e Maduros së Ballkanit.

Shtabe politike dhe bashkëpunim me partitë e tjera të koalicionit

Kryesia e PD-së mori edhe ë një vendim me rëndësi për ngritjen e shtabeve politike dhe organizative në nivel qendror dhe lokal të cilat në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së bashkuar do bëjnë të mundur përparimin në këtë kalendar pune dhe organizimin e protestave të fuqishme mbarëpopullore në të gjithë vendin.

Njëkohësisht Kryesia ka vendosur për vazhdimin e asaj që kemi nisur, shpalosjen e alternativës dhe vizionit të programit të PD. Do ti japim Shqipërisë vizionin tonë me besimin dhe bindjen e plotë se Shqipëria do të ketë një të ardhme evropiane, do të ketë një të ardhme e cila t’i takojë qytetarëve shqiptarë. Bashkë me qytetarët shqiptarë do të diskutojmë dhe marrim vendime mbi mënyrën sesi do të duhet kjo e ardhme sa i përket aspekteve të rëndësishme siç është arsimi, koncesionet korruptive në shëndetësi, politikat tona për pensionet, biznesin, punësimin dhe zhvillimin e ekonomisë. Një ndërthurje e këtij turi protestash me një tur shprese, vizioni dhe programi për Shqipërinë e së nesërmes. Basha shtoi se janë marrë edhe vendime të tjera që kanë të bëjnë me fuqizimin e PD.