Kryepolici Gledis Nano/ Njësi e re për të goditur në kohë aktivitetet kriminale. Bashkpunim me partnerët kundër krimit dhe terrorizmit

114
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano zhvilloi një takim me përfaqësuesit e vendeve partnere, të atashuar në Shqipëri, për rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Gjatë takimit, Nano prezantoi strukturën e re të Njësisë së Informacionit të Pasagjerit, si një kapacitet më shumë në luftën e përbashkët kundër krimit dhe në rritjen e sigurisë në përgjithësi e të asaj kombëtare në veçanti.

“Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e fokusuar në bashkëpunimin me partnerët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të luftuar bashkërisht në një front kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Në këtë kuadër jam shumë i vendosur dhe i motivuar që të përkrah e jetëzoj çdo iniciativë që i shërben këtij qëllimi. Rritja teknologjike me hapin e kohës do të bëjë të mundur që strukturat e Policisë së Shtetit të jenë më të afta dhe t’i godasin në kohë aktivitetet kriminale. Forcimi i bashkëpunimit me oficerët ndërlidhës dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese ndërkombëtare, shkëmbimi në kohë i informacioneve dhe zhvillimi i hetimeve të përbashkëta janë format e duhura për të bërë të mundur rritjen akoma më shumë të forcës goditëse ndaj krimit të organizuar, brenda dhe jashtë vendit. Besoj fort se Njësia e Informacionit të Pasagjerit e Policisë së Shtetit do të veprojë dhe do të arrijë suksese bashkë me partnerët, duke u siguruar atyre të njëjtat standarde”,- ka përfunduar Nano.

Në këtë takim morën pjesë të gjithë përfaqësuesit diplomatikë të organizatave policore homologe në Shqipëri, organizatat ndërkombëtare partnere, si edhe autoritetet kompetente që janë pjesë e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit. Njësia e Informacionit të Pasagjerit në Departamentin e Policisë Kriminale është një njësi inteligjente dhe do të jetë e përqendruar në parandalimin e veprave terroriste, krimeve të rënda dhe trafiqeve të paligjshme, duke u ofruar më shumë siguri qytetarëve dhe vendeve tona.