Besnik Mustafaj: Protestat janë e vetmja rrugë kundër qeverisë shurdhe. Pa reformë zgjedhore, numërimi i votave nuk ka garanci

498
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryetari i PD-së Basha: Qeveria ka rënë, protestat popullore i japin fund krizës politike

Pardje në Kuvend opozitës nuk iu dha e drejta e fjalës që të diskutonte për emërimet e reja të ministrave në qeveri, për të cilën u mblodh sesioni i jashtëzakonshëm i Kuvendit. Është kjo në dëftues, që edhe sesioni parlamentar i 2019-s filloi me konfliktualitet, ca më keq, kur dihet, që në qershor 2019 Shqipëria është në provimin e integrimit, në pritje të vendimmarrjes nga BE-ja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ndërkohë, që ky fakt duhet të ndërgjegjësojë palët politike në Shqipëri, që të gjejnë konsensusin dhe të rritin bashkëpunimin midis tyre, për realizimin e 14 kushteve të BE-së ndaj Shqipërisë, mazhoranca dhe opozita, përkundrazi, e rritin edhe më shumë tensionin politik ndërmjet tyre. Opozita e braktisi Kuvendin, duke thënë se nuk do të kthehet më në këtë Kuvend ku mbizotëron krimi.

Basha: Fillon sezoni i protestave

Dje, kryetari i PD-së Lulzim Basha, pas takimit zyrtar me ministrin Bushati, ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Holandës, Stef Blok u shpreh se tani do të fillojë sezoni i protestave. Ministri i Jashtëm i Holandës, natyrisht u informua nga kreu i Opozitës shqiptare për situatën politike dhe ndoshta kryetari i PD-së e informoi ministrin e Jashtëm të Holandës për krizën e thellë politike në Shqipëri dhe dalja nga kjo krizë është vetëm fillimi i protestave në Shqipëri. Basha: PD ka vendosur që të udhëheq protestat qytetare dhe do të parashtrojë një zgjidhje politike që do ta kemi në Këshillin Kombëtar të PD dhe do kemi një mobilizim të opozitës së bashkuar. Kjo qeveri ka rënë para qytetarëve, para syve të Evropës dhe gjithë botës.

Mustafaj: Problemi është numërimi i votës

Rruga e vetme ndaj qeverisë është protesta në rrugë. Opozita mat forcat e veta, sepse nuk ka rrugë tjetër. Denoncimet dhe skandalet e publikuara bien në vesh të shurdhër të kryeministrit. Fakti është se e kemi pasur një periudhë ku pakënaqësia është shprehur përmes protestave, siç janë studentët apo banorët e Astirit. Opozita në një situatë të tillë ka për detyrë morale dhe kushtetuese që të strukturojë këtë pakënaqësi dhe t’i japë në lloj programi. Nëse opozita është e aftë apo jo për të t’i dhënë asaj një perspektivë kjo mbetet të shihet. Sistemin nuk mund ta ndryshojë njëra palë. Unë nuk besoj se sistemi është gjithë problemi. Problemi është numërimi i votës.

Endrit Braimllari: Alternativa e Edi Ramës është oligarkia dhe krimi i organizuar

Edi Rama dhe gjithë Rilindja e tij kanë frikë të përballen me deputetët e opozitës. Kanë frikë të përballen sepse janë të mbytur në skandale. Janë të mbytur në korrupsion dhe i ka dalë sheshit mashtrimi i tij përballë qytetarëve të këtij vendi. E mbani mend shumë mirë se çfarë thoshte Edi Rama: që do pastrojmë administratën publike, që do emërojmë njerëz të aftë në administratën publike, që do vendosim njerëz që do t’i shërbejnë qytetarëve, që nuk do ketë më punësime partiake. Por çfarë u vërtetua? Nga përgjimet e dosjes së famshme 339, përveç shitblerjes së votës, manipulimit të votuesve, deformimit të vullnetit me krimin e organizuar, u vërtetua qartazi që Edi Rama dhe deputetët e tij ndërhynë për të bërë emërime politike në administratë publike.