Kryeministri Rama/ Takim me Mbretin Filip VI i Spanjës dhe investitorë: Shqipëria në vëmendjen e të gjithëve për turizmin

26
Sigal

Kryeministri Edi Rama gjatë një vizitë në Spanjë ku mori pjesë në panairin global të turizmit “FITUR Madrid” të mërkurën ndau edhe një imazh nga takimi që ai ka patur me Mbretin e Spanjës Felipe VI. Rama tha përmes një reagimi: “Madrid, Spanjë – Me Mbretin Felipe VI dhe më pas me investitorë e operatorë turistikë, në panairin global të turizmit “FITUR Madrid”, ku Shqipëria gëzon një vëmendje të veçantë si supriza befasuese e sezonit të kaluar”. Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë pas çeljes së këtij panairi ku tha se tashmë Shqipëria është në një tjetër nivel dhe se duhet të prezantohet duke bërë më të mirën. “Sigurisht që tanimë Shqipëria është në një nivel tjetër dhe na takon që në këtë nivel të prezantohemi me shije, të prezantohemi duke bërë më të mirën brenda hapësirës që na lejojnë mundësitë tona, sepse nuk jemi as Italia dhe nuk jemi as vetë Spanja, por jemi sidoqoftë një vend që sot është në vëmendjen e të gjithëve. Dhe ndërkohë ky panair i pararend Panairit të madh të Berlinit, ku ne do të marrim stafetën e vendit pritës të vitit të ardhshëm, në Berlin, diçka e paimagjinueshme disa vite më parë dhe prandaj është e rëndësishme që jemi këtu sot dhe prandaj është e rëndësishme t’i japim kësaj përpjekje të gjithë mbështetjen institucionale sepse është edhe një tregues i seriozitetit me të cilin ne e kemi sfidën e Shqipërisë turistike 2030. Kështu që, në këtë kontekst edhe takimet që po bëjmë janë të rëndësishme, ashtu sikundër është shumë inkurajuese që të gjithë ata që sot kërkojnë të takohen me ne, deri jo shumë në kohë, as që nuk kishin asnjë interes për Shqipërinë, kështu që na bën mirë”,- tha Rama.