Kryeministri Rama: Shqipëria është sot pikë ekuilibri në rajon që dëgjohet dhe konsultohet edhe nga liderët e fuqive të mëdha

14
Sigal

Kryeministri Edi Rama tha gjatë një interviste televizive se Shqipëria aktualisht ndodhet në një pozicionim tjetër parë kjo edhe në një raport komplet tjetër ndërveprimi dhe komunikimi me ndërkombëtarët. Në intervistën e realizuar, në Paris pas ceremonialit të pritjes së nderit që iu bë kryeministrit nga presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri Edi Rama u shpreh se pas transformimeve që kanë ndodhur në vendin tonë dhe rolin që ka marrë Shqipëria në arenën ndërkombëtare, Shqipëria dëgjohet dhe konsultohet nga liderët e fuqive të mëdha. “Nuk dua të flas fare për veten, dhe dua ta bëj të qartë që këtu nuk është çështja tek unë, sigurisht unë bëj detyrën time dhe kam pjesën time, por është e gjitha ajo që ka ndryshuar me Shqipërinë, që nga reforma në drejtësi, transformimi i turizmit, te shkalla shumë e lartë e sigurisë, te roli ynë në arenën ndërkombëtare, në KS, në krye të OSBE, në Këshillin e të Drejtave të njeriut në OKB dhe ne dëgjohemi, ne konsultohemi. Fuqitë e mëdha na pyesin, liderët e fuqive të mëdha na konsultojnë, na kërkojnë mendim rregullisht se si i shohim ne gjërat në rajon, kjo sigurisht që është një plus për ne, por edhe për ata, sepse kanë në rajon një zë të cilin e besojnë, e dëgjojnë, një zë që është zëri i një shteti që e ka bërë shumë të qartë qasjen e vet ndaj rajonit. Një zë që ka marrë përsipër të jetë në rajon, forca e shembullit jo shembulli i forcës, që ushqen me të gjitha mënyrat afrimin, bashkëpunimin, paqen dhe që patjetër përbën edhe një pikë ekuilibri”, tha Rama