Kryeministri Edi Rama: Kamp refugjatësh në Shqipëri? Një fantazi

1113
Sigal

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “ Anadolu Agency” ka sqaruar për herë të parë zërat se në Shqipëri do të ndërtohet një kamp refugjatësh për të pritur ish-luftëtarët e ISIS. Duke folur për pretendimet e fundit për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh apo qendre për trajtimin e luftëtarëve të huaj, Rama tha se këto pretendime nuk reflektojnë të vërtetën dhe tha se Shqipëria ka ngritur një qendër e cila është një qendër studimore, programesh, analizash, ndërveprimesh kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe që është propozuar që të zgjerohet në një qendër rajonale, qendër ekselence që ka të bëjë me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe që trajton në rrugë të ndryshme këtë fenomen. Sipas tij kjo nuk ka të bëjë asgjëkund me ndonjë koncept të një qendre në kuptimin e një qendre grumbullimi njerëzish dhe aq më pak pastaj me “konceptin krejtësisht të pavend dhe madje qesharak të mbledhjes së gjithë ish-ushtarëve të ISIS-it (DEASH) në këtë qendër”. “Pra është thjeshtë një fantazi. Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Evropian nuk mund të ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Evropa ndaj njerëzve, që ikin nga vendet e tyre, për shkak të kërcënimit të jetës. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne”, – tha Rama.