EKSKLUZIVE ME KREUN E DHOMËS AMERIKANE TË TREGËTISË

610
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i TELEGRAF

Mark Krauford, Kryetar Dhomës Amerikane të Tregëtisë

Zgjidhni problemin e pronësisë së tokës, nëse doni vërtet investime të huaja

Mark Krauford, Kryetar Dhomës Amerikane të Tregëtisë në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” kundërshton politikën e burgut të qeverisë shqiptare, ndaj qytetarëve, për t’i bindur ata që të zbatojnë ligjin. Zoti Krauford, shprehet kundër ndryshimit të paketës fiskale çdo vit, sepse kjo e vështirëson bërjen e biznesit, paketa fiskale të përshtatet edhe me kulturën e popullit dhe jo të kopjohet, dhe propozon që, sidomos, bizneset e vogla të kenë taksë 0, por të paguajnë një kuotë vjetore. Problemi kryesor, sipas zotit Krauford është se koncensionet vidhen, prandaj shumë biznese kanë shkuar në arbitrazh, por edhe sepse njerëz që abuzojnë dhe janë pranë qeverisë bëjnë konkurencë jo të ndershme. Zoti Krauford pohon se diaspora shqiptare në Amerikë është e interesuar për investime në Shqipëri, por askush nuk vjen sepse ende nuk është zgjidhur problemi i pronësisë së tokës. Pa këtë zgjidhje, thotë zoti Krauford, nuk ka investime të huaja në Shqipëri.

– Mister President Krauford, para dy vjetësh ju keni qenë i pari që thatë,  se në  SHBA nuk burgosesh, nëse nuk merr kuponin, duke reaguar ndaj qeverisë shqiptare, e cila donte të burgoste qytetarin edhe për një mosmarrje kuponi. Sot, çfarë mund të thoni?

– Në fakt, ne në Amerikë nuk kemi TVSH, kemi diçka që ngjan me TVSH, taksë shitje. Ne këtu kemi në 5 vjet sisteme të ndryshme tatimi, qoftë tatim për të ardhurat personale, qoftë tatim për korporata, përfshirë edhe taksë për shitje. Në disa shtete nuk ka taksë fare, kështu, që nuk ka sens në Amerikë, që dikush të thotë, që të shkosh në burg për një kuponë (dhe qesh nga absurditeti).

– Kjo mendësi politike e qeverisë shqiptare, që të kultivojë zbatimin e ligjit me burgim, qoftë edhe për një shkelje të vogë, si ju duket?

– Mbase kjo vjen nga komunizmi, ose nga historia e Shqipërisë, që gjithmonë ka zbatim ligji me shkop, domethënë me forcë, që dikush që nuk e zbaton ligjin, ta godas shkopi i shtetit, jo vetëm atë, por edhe familjen e tij. Unë e kuptoj, që është shumë vështirë të mbash një biznes të vogël, edhe në Amerikë, sepse ka shumë faktorë të ndryshëm. Këtu në Shqipëri ende ka shumë probleme, taksat nuk janë shumë të qarta, ka shumë kontrolle, është shumë vështirë të mbijetojë biznesi i vogël, dhe e rëndon, kur, jo vetëm nuk i shton taksa, por i kërkon të mbajë raporte, gjithë këto burokracira. Kjo është edhe një taksë kohore. Unë jam shumë i shqetësuar, që një berber, i cili ka 3 karrike, ta çojnë në burg, pse nuk preu një faturë (dhe sërish absurdja e ligjit shqiptar, që nuk do ta konceptojë bismenmeni amerikan,  i shkakton të qeshurën folësit). Sa mund të fitojë berberi, që të rrezikohet shteti për një kupon? Në Amerikë shkon në burg, nëse shmang taksat me qëllim, nëse zbaton një sistem mashtrimi, por nuk çojnë në burg njerëz normalë, nuk duhet t’i vrasë frika e shtetit.

– A mendoni që në Shqipëri, ata, biznese dhe bizmenmenë të mëdhenj, që zbatojnë sisteme mashtrimi ndaj mospagimit të taksave, shkojnë në burg?

– Në Amerikë në shtete të ndryshme, kemi sisteme të ndryshme fiskale dhe kjo varet edhe nga kultura. Psh, në Nju Jork është Huauku, në Las Vegas është shumë ndryshe nga Vomanti. Në Vomant ata janë shumë të kënaqur, që paguajnë shumë taksa dhe të kenë shumë ndihmë sociale, ose në  Teksas, ata janë më shumë kauboj, domethënë, kërkojnë më shumë të drejta individuale. Unë për në Shqipëri, do të thosha, që të gjejnë një sistem fiskal, që mund të jetë shumë ndryshe nga ai i Francës, nga Greqia, që përputhet me kulturën e shqiptarëve. Të ketë sa më pak dhunë, të ketë sa më pak shkop për ta zbatuar ligjin. Për mua, sa më thjesht është për të paguar një kuotë vjetore. Mund të thotë: 300 dollarë vjetore, nuk ka asnjë raport tjetër, nëse janë duke bërë biznes të thjeshtë. Nëse je biznes i vogël e paguan një kuotë të vogël 1 herë në vit, jo shumë të rëndë. Por, nëse qeveria e detyron biznesin e vogël të paguajë një herë në javë, një herë në muaj, pastaj bëhet shumë e vështirë për të menaxhuar biznesin. Tek biznesi i madh, aty problemi është më i madh. Ata paguajnë taksë më të madhe, por kanë edhe burime financiare për ta menaxhuar këtë, kanë juristë, kontabilistë, ndërsa biznesi i vogël nuk i ka këto mundësi. Nuk mundet biznesi i vogël të bëjë edhe punën, edhe të përballojë burokracinë. Biznesi i vogël mezi mban familjen, për këtë arsye unë u shqetësova. Ne, si Dhomë Amerikane, nuk kemi biznes të vogël, por biznesi i madh nuk ekziston pa biznesin e vogël.

– A mund të pohoni, që biznesin në Shqipëri e ndihmojnë politikat fiskale të qeverive?

– Unë jam pro idesë që të ketë 0 taksë, të gjithë të paguajnë. Nëse ka 100 % taksë, ose nuk paguajnë, sepse nuk punojnë se nuk kanë leverdi, ose duhet të kesh komunizëm dhe dhunë shteti, që të thotë: Ne do t’ju marrim të gjithë taksë, ose do t’ju çojmë në burg. Tani në demokraci duhet të kemi një përqindje takse, që përputhet me kulturën. Mund të jetë 10 %, mund të jetë 70 %, mund të jetë 50 %, siç e kemi tani, por, kur e kalon përqindjen e përputhjes e kulturës shqiptare me realitetin, njerëzit fillojnë të mbyllin biznesin, siç bënë në Shkodër dhe Gjirokastër, ku para disa muajsh ata bënë protestë dhe mbyllën dyqanet, për shkak të taksave. Nëse janë taksa shumë të larta dhe ata nuk kanë asnjë mundësi dhe nuk kanë se çfarë të bëjnë, përshembull, kur u vunë taksën e Kuksit, njerëzit dogjën. Unë nuk jam pro atyre veprimeve të dhunshme, por kuptohet, që kur njerëzit e kuptojnë se nuk kanë mundësi tjetër reagimi, do të detyrohen të përdorin dhunë, prandaj qeveria duhet të jetë më e matur, përpara se të vendosë taksa. Më përpara duhet të propozojnë ligje, të flasin me qytetarët dhe me grupet e tjera të interesit, me bizneset, të marrin parasysh edhe realitetin, kulturën e njerëzve.

– Konkretisht, si ndikojnë taksat në Shqipëri, në bërjen e biznesit?

– Nuk mund të them pozitivisht, apo negativisht, por, konkretisht, nëse në Shqipëri kemi firmë, që merret me shërbim, dhe nuk je i përkufizuar gjerografikisht, është më mirë të shkojë në Shkup, ose në Kosovë, apo në Tiranë, për të ekzistuar si biznes, sepse njerëzit lëvizin. Unë do të thoja, që në Shqipëri jemi më pak konkurencë, përsa i përket taksave, nga Shkupi.

– Sipas jush, pse ndodh që jemi më pak konkurentë në Shqipëri, në krahasim me vendet fqinjë?

– Nuk e di. Nuk është vetëm taksat. Kush do të vijë këtu, mund të dojë të investojë në turizëm, në burimet natyrore, ose në fushën financiare.Ata që vijnë për turizmin, kuptohet që do vijnë për Bregdetin, kështu që Shqipëria ka avantazh nga të tjerët, muk ka konkurencë më Shkupin e Prishtinën, por e ka konkurencën me Greqinë dhe Malin e Zi. Për fushën financiare më shumë është problemi është brenda për brenda në Shqipëri. Bizneset e vogla, nuk është se do lëvizin, problemi i tyre është nëse do punojnë më shumë, ose më pak. Unë e shikoj, si mentalitet ballkanas, që ata do punojnë pak, deri sa të kenë para në xhep për ditën, dhe pastaj pushim, shkojnë në plash. Duhet që me politika fiskale qeveria të mos pengojë njerëzit që kanë iniciativë dhe dëshirë për të bërë biznes.

– Ligji a e favorizon bznesin e huaj, të vijë dhe të investojë në Shqipëri?

– Në përgjithësi, ne nuk jemi më mirë, apo më keq se shqiptarët. Dhe kjo është pozitive për të huajt. Prapëseprapë, edhe ne vuajnë si shqiptarët. Unë kam parë të huajt këtu, që vijnë të investojnë në burimet natyrore dhe takuan qeveritarë dhe kishin përshtypje të mirë, takuan punëtorë  në miniera, dhe kishin përshtypje të mirë. Pastaj, takuan ca njerëz që janë në treg dhe dëgjuan nga ata që: “Ne nuk dimë se çfarë mund të ndodhë. Mund të ketë ndryshim në paketat fiskale, vitin tjetër. Këto ndryshime fiskale, tek ne në Amerikë, ndodh që të ndryshojnë njëherë në 30 vite. Tani i ndryshoi presidenti Trump, por kujtoj që ndryshimet e fundit të paketës fiskale kaq të madhe, ishin bërë, që kur unë isha në shkollën e mesme.

– Doni të thoni, që në Shqipëri, ndryshimet fiskale janë të shpeshta dhe të thella?

– Mund të ndodhin çdo vit (dhe folësi qesh me këtë absurditet shqiptar).

– Kjo e vështirëson investitorin e huaj të vijë në Shqipëri?

– Si mund të planifikojë një biznes investimin dhjetëra vjeçarë, që mund të bëjë në Shqipëri, kur paketa fiskale ndryshon çdo vit, pa njoftim. Ai nuk e di se çfarë ndodh nesër, mund t’i shkojë një inpsektor për punëtorët, i shkon tjetri për shëndetësinë, tjetri për ambjentin,  dhe ndodh, që vetëm një nga këta ta pengojë biznesin dhe kështu, njerëzit i këshilluan që është shumë e vështirë në Shqipëri të parashikosh se çfarë mund të ndodhë me biznesin tënd. Edhe sikur në Shqipëri të ketë taksa të këqia (domethënë të mëdha për biznesin), por që nuk ndryshojnë, ne e dimë, që është OKEJ, kjo është situata, do vijmë të investojmë dhe do ta përballojmë situatën, siç është. Nëse paketa fiskale ndryshon kaq herë, për mirë ose për keq, që ka edhe shumë faktorë të tjerë, është shumë vështirë për të tërhequr njerëz të vijnë e të investojnë në Shqipëri. Prandaj, qeveria duhet të ketë një paketë fiskale sa më të thjeshtë, të qëndrueshëm, që të nxitë interesimin e investitorëve të huaj.

– Këtë shqetësim, a e keni andresuar te zyrtarët përkatës të qeverisë?

– Unë i kam shprehur shpehsherë këto shqetësime sivjet në televizionet tuaja, edhe ballë për ballë me qeverinë. Në përgjithësi, ata pranojnë e thonë: Ne jemi OKEJ me FMN dhe me Bankën Botërore, kështu që ne ju dëgjojmë, por do vazhdojmë siç duam ne.  E kuptoj, që  kur FMN-ja u thotë diçka e ata vazhdojnë. Ka disa biznese të mëdha, që ikën nga Shqipëria, me sa di unë, jo për shkak të Shqipërisë, por për shkak të tyre, sikurse bankat greke, apo edhe Sheratoni, ku kishte investitorë arabë. Sa më thjesht të bëhet politika fiskale, aq më mirë edhe për investitorët e huaj, sepse njerëzit nga jashtë nuk kanë kohë për të mësuar shqip, nuk kanë kohë për të investuar në një vend të vogël, si Shqipëria, nëse nuk është shumë thjesht dhe nëse shqiptarët nuk janë gati për të ndihmuar ata. Ndodh që investitorët e huaj vijnë, dëgjojnë nga qeveria “OKEJ, jemi gati për ju” por të nesërmen, ka bllokim për disa arësye të tjera. E them, që disa investitorë të huaj të mëdhenj kanë shkuar në arbitrazh kundër Shqipërisë.

– Pse ikin bizneset e mëdha nga Shqipëria?

– Normalisht është shumë vështirë për të ikur për bizneset e mëdha, nëse ke investuar shumë dhe nuk ështe e lehtë për të pezulluar investimin që ke bërë. Psh, nëse ke një bankë të madhe, si të ikësh prej këtu? Ke klientët, ke përgjegjësi. Punëtorët kanë imazhin e biznesit. Bankat greke ikin, jo për shkak të Shqipërisë, por për punët e tyre në Greqi. Ka patur biznese të tjera dhe shumica e tyre edhe sot janë në arbitrazh, sidomos në sektorin e burimeve natyrore, qoftë në naftë, qoftë në fusha të tjera, sepse atje, është diçka që është shumë e ndërlikuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Edhe kur kompanitë amerikane vijnë të investojnë në Shqipëri, vijnë nëpërmjet Kanadasë për burimet natyrore, ata këtu kanë patur problemet me koncensionet e tyre, me investimet e tyre, është një sektor që është i ndërlikuar, sidomos nafta, sepse leku vjen nga toka. Por ai shikon që dikush që ka një liçencë të vogël, shkon me një bidon dhe nxjerr lekë të madh, kur një që ka liçencë të madhe, bie me investimet e tij. Prandaj, ky sektor është shumë tërheqës për njerëzit që abuzojnë,  sidomos ata njerëz të qeverisë, por jo për investitorë të mëdhenj dhe seriozë, biznes të mëdhenj, që kanë qenë këtu, që kanë patur probleme të mëdha, kanë shkuar në arbitrazh, duke filluar me General Eletrik, me CEZ, pastaj me bizneset më të vogla. Besoj që amerikanët mund të vijnë të bëjnë biznes, të bashkëpunojnë me shqiptarët, kur shqiptarët janë pronarë të tokës.

– Cila është pengesa me e madhe për investitorët e huaj, që të vijnë të investojnë në Shqipëri?

–  E di që një pengesë shumë e madhë për investitorët e huaj është mungesa e kadastrës së tokës.

– Është shumë problem moszgjidhja akoma çështja e pronësisë në Shqipëri?

– Shumë problem. Si mund të ndërtojmë ne, psh, një hotel në Shqipëri, nëqoftëse nuk dimë e kujt është pronari? Duke marrë shembull investitorin libanez, që më thanë, se kishte edhe pashaportë amerikane, të cilin e rrahën për çështjen e pronës. Unë di disa kompani të tjera, që ishin në atë zonë, që kanë patur probleme me komshitë e tyre për pronësinë e tokës. Duke e krahasuar këtë problem me Maqedoninë, që aty e kanë pronësinë të përcaktuar të gjithë pronën në kadastër. Unë ia kam thënë edhe Bankës Botërore, edhe ambasadës amerikane, nëse do të bëhet diçka, vetëm një gjë, unë do them: Fillo me një hartë. Edhe po të jetë një hartë me mungesë, që ka vetëm disa informacione, të paktën fillo me ata që ke, që ne ta dimë, që këta janë pronarë të kësaj toke. Okej, fillojmë me këta dhe këtu që dimë. Deri sot është shumë vështirë për të investuar në Shqipëri. Këtë e kam dëgjuar nga Diaspora shqiptare në Amerikë. Unë, si skocez me origjinë e amerikan, nuk do kisha shumë lidhje me Shqipërinë, po të mos kisha gruan shqiptare. Diaspora shqiptare ka lidhje me Shqipërinë dhe ka interes që të investojë në Shqipëri. Por, më thanë, që këtu nuk ka pronësi të tokës, nuk dinin ku të shkojnë. Ata janë vetë shqiptarë, e dinë kulturën, e dinë gjuhën dhe kishin mundësi për të investuar, kanë dëshirë për të investuar dhe kanë akoma dëshirë, por ata thanë që e kanë shumë vështirë të investojnë, por ne kemi eksperiencën e investimeve, që ato fillojnë me pronësinë e tokës. Pronësia e tokës është baza për çdo kredi në banka, ndaj ky problem duhet të zgjidhet përfundimisht në Shqipëri, nëse duan vërtet investime të huaja.

– A ka presion politika mbi bizneset në Shqipëri?

– Po. Besoj se ka. Kjo ka qënë gjatë gjithë kohës që unë kam qënë në Shqipëri. E kupton, kur  e shikon kur ndryshon qeveria dhe vjen partia, e cila ndryshon edhe shoferët dhe pastrueset e institucioneve shtetërore (folësi qesh me këtë absurditet shqiptar). Ndodh një ndryshim total te shteti juaj, sa vjen partia tjetër në qeverisje. Kuptohet, që shqiptarët nuk harrojnë dhe marrin hak tani që erdhën në fuqi (pushtet).

– Kjo mendësi dëmton edhe bërjen e shtetit, por edhe ekonominë….

– Po. Edhe ne në Amerikë kemi një shtresë që ngjan pak, që kur qeveria ndryshon, njerëzit janë njerëz dhe marrin hak kundër njëri-tjetrit, sidomos ata që janë militantë politikanë, por 90 % të administratës amerikane janë nëpunës profesionistë. Edhe nëpunësit e ambasadës tonë këtu në Tiranë nuk janë partiakë, nuk janë emëruar nga Presidenti Obama, ose presidenti Trump pse janë demokratë, apo republikanë. Janë këtu, sepse janë të aftë.

– Zoti President, nëse e keni dëgjuar deklaratën e kryemininistrit Rama para disa ditësh, që edhe bizneset do të kalojnë në veting, si e kuptoni?

– Unë besoj se bizneset janë në veting. Normalisht, vetingu fillon me drejtësinë, me gjykatat. Bizneset janë në veting me gjykatat, por ne kemi thënë, që gjykatat janë të korruptuara, ose ka dyshime që nuk shkon. Biznesi gjithnjë ka qënë në gjykata. Nuk e di se çfarë do të thotë (Rama) për bizneset në veting. Nëse bizneset dhe biznesmenët kanë korruptuar gjykatësit, që ndodh dhe mund të ndodhë, përfshihet në vetingun që ndodh tani, sepse, nëse dëshmohet që një gjykatës ka shumë pasuri, ka një shtëpi afër TEG-ut, ose një vilë në Spanjë, që nuk përputhet me rrogën e tij, bakshishin nuk nuk e mori nga qielli, e mori nga një biznses. Në këtë aspekt, okej, biznesi  përfshihet në veting, por nuk e di se çfarë më shumë do të thotë kryeministri juaj.

– Ju pohuat, që gjyqtarët duhet të kalojnë në veting, sepse janë pasuruar me bakshishet që i kërkojnë biznesit nëpër gjyqe. Mendoni që edhe politika të kalojë në veting?

– Ne duhet të shikojmë kryetarin e bashkisë të Tiranës, kur ka qënë, kur ka dhënë leje ndërtimi, apo çdo kryetar bashkie që jep leje ndërtimi, a janë pasuruar vetë? Janë pasuruar nga rrogat e veta, apo nga bakshishet që kanë marrë për të dhënë lejet e ndërtimit? Duhet që në veting të kalojnë të gjithë, që nga maja e pushtetit e deri tek i fundit. Kuptohet që biznesi dhe sektori privat ka një lidhje me sektorin publik dhe këto lidhje janë pjesë e vetingut.

Nesër do të lexoni:

(Reforma në Drejtësi dhe biznesi. Politikan, apo bizmenmen. Taksë e sheshtë, apo progresive. Koncensionet dhe arbitrazhi ndërkombëtar. Raportet e qeverisë shqiptare me FMN-në. Ku pastrohen paratë e pista)