Kryemadhi: Shqipëria jo vetëm në krizë politike

509
Sigal

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi deklaron se Shqipëria ndodhet jo vetëm në krizë ekonomike dhe politike, por dhe institucionale.

“Mesa duket se 9 pikat e Bundestagut Gjerman, mund të jenë ato që mund të zgjidhin ngërçin politik në Shqipëri…

Kushtet e Bundestagut janë shumë të qarta. Kushtet e Bundestagut janë një ‘RoadMap’ i të gjithë hapave që duhet të ndjekë politika shqiptare për të nxjerrë vendin nga kriza. Dhe një nga kushtet është reforma zgjedhore që ne e trumbetojmë aq shumë.

Por nuk është vetëm ajo, janë dhe shumë procese të tjera që e bëjnë të domosdoshme futjen e vendit në ullijtë e Kushtetutës. Ne në fakt artikulojmë me narrativat tona politike, pavarësisht nga kjo në fund të ditës ne duhet të na ngërthejë përgjegjësia politike dhe përgjegjshmëria ndaj qytetarëve për t’i dhënë shqiptarëve një shans dhe një mundësi për të tejkaluar këtë krizë që është një nga krizat më të rënda që po kalon Shqipëria sot.

Nuk është vetëm krizë ekonomike, nuk është vetëm krizë shoqërore është dhe një krizë institucionale, ku ka rënë i gjithë sistemi. Në qoftë se në 1997 ra sistemi i godinave, pra u dogjën, sot ne kemi godinat dhe fasada shumë të bukura por nuk kemi thelbin dhe brumin brenda të institucioneve shtetërore.

Ky një nga problemet kryesore që ka sot Shqipëria dhe Bundestagu na e ka bërë shumë të qartë. Kjo është një pjesë sepse procesi do të mbyllet në 17-18, duhet të shprehet Franca që nuk është shprehur akoma, Holanda që kishte një reagim shumë radikal.

Por ajo që mendoj që është shumë e rëndësishme është që Bundestagu e la sërish derën hapur për Shqipërinë dhe shqiptarët duke vendosur para përgjegjësisë klasën politike”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi theksoi po ashtu se LSI-ja nuk i trembet asnjë lloj marrëveshjeje, që institucionalizon dialogun

Ju si LSI, a i trembeni një marrëveshje të fshehtë Basha-Rama?

Kryemadhi: Unë mendoj që ky koncept ekziston vetëm në pyetjet e gazetarëve. Nuk është çështje marrëveshjeje PD-PS, PS-LSI, PD-LSI nuk është më çështje marrëveshjeje këtu. Është çështja e hapave që do të ndiqen nga politikbërësit, kur them politikbërësit të gjitha forcat politike, si ato parlamentare dhe jo parlamentare. Kur vjen reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj. Vërtet miratohet një reformë zgjedhore por ajo duhet zbatuar, por si zbatohet një reformë zgjedhore?

Me zgjedhje. Që të shkosh në një proces zgjedhor. Nuk është çështje marrëveshje këtu është çështje dialogu. Institucionalizimi i dialogut. Ne akoma e mendojmë dialogun politik gjë që e ke kusht nga Bashkimi Europian që në propozimin e parë për hapjen e negociatave është dialogu politik. Dialogu politik është institucion. Ne duhet ta institucionalizojmë. Ne nuk kemi dialog politik. Vazhdojmë 30 vjet tranzicion. Pse kemi 30 vjet tranzicion?

Sepse nuk kemi dialog politik. Ditën që politika shqiptare do ta institucionalizojë dialogun, ju do ta shikoni që nuk do të ketë më krizë politike dhe Shqipëria do të vazhdojë e sigurt drejt gjithë proceseve të saj për integrimin europian. LSI-ja nuk i trembet asnjë lloj marrëveshjeje, jo vetëm LSI dhe PD-ja dhe të gjitha partitë e tjera. Jemi shumë të qarta në axhendën tonë dhe në objektivin tonë. Objektivi ynë është shumë i thjeshtë, t’ju japim njerëzve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mbi të gjitha të krijojmë hapësirën e hapjes se negociatave për Shqipërinë.

Kryemadhi: Opozita po ngre grupet e punës, për platformën anti-krizë

Pak ditë më parë keni pasur një takim kokë më kokë me zotin Basha, mund të na thoni për çfarë folët?

Kryemadhi: Jemi në një proces për përgatitjen e strukturave të partisë në terren. E dyta, në ngritjen e grupeve të punës të cilat kanë filluar të ngrihen që po punojnë për platformën dhe paketën anti-krizë. Sepse paketa anti-krizë nuk është vetëm zgjidhja e uljes në tavolinë të opozitës me maxhorancën. Paketa anti-krizë ka dhe situatën ekonomike. Sepse në fund të ditës shqiptarët nuk duan t’ia dinë foli Luli me Monën me Ramën apo nuk folën. Njerëzit duan a kanë punë nesër, a do kenë ujë në çezmat e tyre, a do kenë mundësi të paguajnë për shkollën e fëmijëve, për librat. Ekonomia shqiptare sot jo vetëm është e rrënuar por është në një krizë, por çfarë do të shikojmë dhe do ta ndjejmë në ditët në vazhdim është që dhe vetë administrate dhe vetë institucionet shtetërore do të ngelen në nivelin zero për marrjen e pagave të tyre. Një informacion që kam, disa struktura të Policisë së Shtetit nuk kanë arritur të marrin pagat që duhet t’i merrnin në datën 1 tetor.