Prapaskena, 20 kandidatë për kryebashkiakë do “digjen” në KQZ

452
Ndoshta po mendohet se punët e zgjedhjeve vendore janë mbyllur vetëm me shpallje emrash për kandidatët e përcaktuar deri tani, por në fakt listat e emrave të shpallur nga koalicionet, subjektet politike që do futen të vetëm në zgjedhje dhe kandidatët e pavarur, duket se do të kalojë edhe në një “filtër” tjetër “sekret” seleksionues, që do të nxjerrë nga gara shumë emra kandidatësh, të cilët deri tani mendojnë se e kanë të siguruar garën për kryebashkiakë dhe po krekosën publikisht nëpër zona, si “të privilegjuar e të përzgjedhur” të shefave të partive, por edhe si “të mbështetur nga populli”. Paçka se ata janë futur në regjistrat e KQZ si të shpallur nga partitë, ose me listë emërore votuesish nga populli që i ka propozuar si të pavarur, disa prej tyre ose më saktë gjysma e listave, nuk do të mund të jenë pjesë e garës për 61 bashkitë. Çfarë po ndodh në prapaskenë dhe do të ndodhë realisht pas 2 majit 2015, që është afati i fundit të vulosjes së emrave të kandidatëve? Pra, a do të jenë kandidatë, këta që janë shpallur dhe ata që do të shpallen nga partitë, apo që do të vetë-shpallen në KQZ deri në 2 maj 2015? 
Skenari i partive me KQZ: Eleminim atyre që u kanë “zënë derën” kryetarëve
Flitet për një skenar, të zbuluar dje nga gazeta “Telegraf”, lidhur me eliminimin e atyre emrave që nuk i do as zona ku kandidojnë, as ligji, as kriteret e vendosura nga ndërkombëtarët dhe as kryetarët e partive kryesore PS-PD-LSI, por që vetë kryetarët duke bërë sikur “i duan”, i kanë shpallur si kandidatë në emër të partive që drejtojnë. Emrat e kandidatëve që kanë dalë deri tani nga partitë politike majtas e djathtas, kanë kaluar nëpër një betejë të ashpër deri individuale me deputetët, drejtuesit e partive në bazë e në qendër e madje edhe mes tyre. Por emrat e atyre që janë shpallur deri tani, sipas skenarit që është gati për zbatim pas 2 majit 2015 kur të mbyllen zyrtarisht kandidimet, nuk do të quhen “listë përfundimtare’, mbasi partitë politike kanë menduar të fusin në veprim “planin Nr. 2”, për të bërë seleksionimet e atyre që “nuk u duhen”, por që i kanë shpallur e prezantuar nga “halli” si kandidatë të tyre, ose të koalicioneve, duke i prezantuar e duke u rrahur edhe shpatullat si… “fitues”. Burimet e gazetës “Telegraf” nga brenda dy krahëve politikë dhe nga brenda KQZ, kanë informuar se do të ketë një seleksionim dhe nxjerrje nga listat e kandidimit të PD-PS e LSI, të disa emrave, të cilët partitë i kanë shpallur si kandidatë, mbasi kanë pasur detyrime. Sipas “planit nr. 2”, tashmë PS i ka përcaktuar “kurbanët” që do të “skartojë” dhe emrat e atyre që do t’i zëvendësoj. E njëjta skemë do ndodh edhe në listën e kandidatëve të PD, ku po punohet për të finalizuar listën me emrat e rinj të disa kandidatëve. Sipas “planit nr. 2”, do të veprohet kështu: Emrat që kanë shpallur partitë quhen të “figura të pastra” prej tyre, por sipas skenarit, ata do të “digjen” nga KQZ me “damka” të ndryshme, duke mos u certifikuar si kandidatë. Partitë që kanë bërë skenarin e eliminimit të tyre, do të protestojnë formalisht e fiktivisht ndaj KQZ, duke iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor i cili është parashikuar të lërë në fuqi vendimin e KQZ. Kështu do të veprohet edhe me kandidatët e pavarur konkurrentë potencial ndaj kandidatëve të partive, duke i eleminuar edhe këtë nëpërmjet KQZ, shoqëruar me “damka” antiligjore. 
Partitë po gërmojnë në biografitë e të piketuarve për t’i eliminuar
Si PS edhe PD, dje në Komisionin e Parlamentar të Dekrimanilizimit, kërkuan mos kandidimin e individëve me “damkë”, por në fakt ata nuk po e hedhin hapin ligjor të pastrimit të kandidaturave me probleme ligjore, duke pritur 2 majin 2015, për të realizuar këtë qëllim jo me ligj, por me skenarin që i kanë ngarkuar KQZ. Partitë kanë ngritur ekipe hetimore speciale, për të gërmuar mbi biografitë e kandidatëve që kanë ftuar në listë për t’i eliminuar nga listat që kanë shpallur. Ky “hetim” i biografive do të shkoj deri në adoleshencën e kandidatëve, më troç deri sa të gjenden “njolla të zeza”, që të përdoren prej KQZ si shkak eliminimi. Si pikë referimi rreth këtij eleminimi do të shërbejnë edhe burimet hetimore të ardhura nga shërbime inteligjente ndërkombëtare. Puna për të zbatuar të dhënat e “viktimave” ka nisur prej kohësh dhe në datën 2 maj 2015, “pretenca” ndaj tyre do të do të jetë gati për t’u lexuar nga KQZ. Sipas informacioneve tona, deri tani në garën për 61 bashkitë janë shpallur shumë kandidatë nga partitë politike PS, PD, PR, PDIU, PSD, PBDNJ. Po kështu janë vetëshpallur edhe kandidatë të pavarur. Natyrisht që do të jenë vetëm 61 fitues edhe pse mund të jenë më tepër garues për kolltukët e 61 bashkive. Ata që janë shpallur nga partitë dhe që janë vetëshpallur si kandidatë të pavarur nuk e dinë se janë futur në “rreth të kuq”, për t’u nxjerr nga kandidimi. Sipas skenarit të partive politike, “plani nr. 2” parashikon eliminimin e disa kandidatëve, të cilët politika i shikon si rrezik për marrje votash. Ky skenar është bërë gati prej kohësh dhe do të konkretizohet nga KQZ pas datës 2 maj 2015, duke shpallur emrat e eleminuar për “njolla në biografi”, që bien ndesh me ligjin dhe kriteret e vendosura prej ndërkombëtareve. Sa për kujtesë, asnjë nuk do të eleminohet nga lista si spiunë, por si individë me precedentë penalë, aktualë e të mëprashëm, qofshin këto edhe në adoleshencën e tyre, mjafton që t’u gjendet një “kleçkë” sa për “damkosje”.
Ja numri i kandidatëve sipas qarqeve, që janë planifikuar të eliminohen sipas skenarit
Kandidatët që do të eliminohen 
1. Tirana: 2 kandidatë
2. Berati: 2 kandidatë
3. Durrësi: 2 kandidatë 
4. Fieri: 2 kandidatë
5. Elbasani: 3 kandidatë
6. Korça: 2 kandidatë
7. Vlora: 2 kandidatë
8. Shkodra: 1 kandidat 
9. Gjirokastra: 2 kandidatë
10. Lezha: 1 kandidat
11. Kukësi: …
12. Dibra: 1 kandidat
Sigal