Hipotekat “përplasin” kryeministrin me Ministrin e djathtë Teknik të Drejtësisë

584
Një betejë në distancë ka nisur mes kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Drejtësisë Gazmend Bardhi, lidhur me drejtorët e hipotekave
Pak ditë më parë kryeministri dha urdhër të prerë. U kërkoi 11 drejtuesve të hipotekave në vend që brenda 24 orëve duhej të jepnin dorëheqjen, pasi sipas tij nuk kanë kryer me përpikëri detyrën dhe se kjo kërkesë kishte lindur si domosdoshmëri, në çdo dëgjesë të kryer me njerëzit e zakonshëm. Numri një i qeverisë ishte i prerë. Madje ai nuk denjoi as të pyeste drejtorët se ku çalonte problemi. Të ndodhur përballë një fakti të pakthyeshëm, drejtuesit e hipotekave njëri pas tjetrit dorëzuan dorëheqjet, për t’i hapur rrugë emërimeve të reja, të cilat u thanë se do të bëhen përmes të ashtuquajturave konkurse. Megjithatë ditë e djeshme solli një tjetër fakt. Përballë urdhrit të kryeministrit, me një tjetër urdhër doli ministri teknik i drejtësisë Gazmend Bardhi. Ky i fundit, një nga njohësit e mirë të ligjit në vend, i kujtoi kryeministrit se nuk mund të kërkojë dorëheqjen e 11 drejtorëve pa u bërë më parë hetimi administrativ. Duket se Ministri Teknik i Drejtësisë, i caktuar pas marrëveshjes Rama-Basha, i kujton kryeministrit ligjet e një shteti. Ai shprehet se mënyra se si mund të largohet një drejtor nuk është kërkesa për të dhënë dorëheqje, por më parë duhet të kryhet hetim administrativ për të kuptuar se ku ata kanë gabuar. Nga ana tjetër është shefi i qeverisë ai që këmbëngul se do të pastrojë administratën dhe të gjithë të paaftët nga zyrat e shtetit. Mënyra që ka zgjedhur kryeministri për të reformuar administratën kalon përmes qytetarit të thjeshtë. Ishte fillimisht Rama ai që foli për një sistem të gabuar që sillte për pasojë mungesën e përgjegjshmërisë në zyrat e shtetit, ndërsa sot kemi të kundërtën. Kryeministri pretendon se janë drejtuesit e institucioneve ata që nuk kanë bërë sa mundet për qytetarin. Ramës iu desh pak më shumë se një muaj kohë për të grumbulluar një material të detajuar nga qytetarët përmes dëgjesave publike. Jo vetëm deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, por edhe ai vet ka qenë i pranishëm në pjesën më të madhe të dëgjesave. Dhe prej tyre nxori një platformë. Fillimisht solli 100 emrat e të korruptuarve sipas perceptimit të publikut. Më pas nxori platformën e dorëheqjes. Kërkoi largimin e drejtuesve të hipotekave në të gjithë vendin. I akuzoi ata se nuk qenë në shërbim të publikut dhe si të korruptuar. 
Sigal