Kryemadhi: Ne sot kemi nevojë për përkujdesje ndaj njerëzve dhe kërkojmë që e gjithë politika shqiptare të jetë në shërbim të njerëzve dhe të kujdeset për ta.

173
Sigal

Në vijim të takimit me gratë në Ersekë, Kryemadhi u shpreh se e gjithë politika shqiptare duhet të jetë në shërbim të njerëzve dhe të kujdeset për ta.

Pjesë nga takimi: 

Teksa po vinim rrugës për këtu në Ersekë, e ndërsa kishim problemin sa të kalonim këto pjesët e vështira të rrugës, sepse kishte stuhi dëbore, po diskutonim dhe lindi pyetja se si është e mundur që ky Kryeministri ynë në ikje, ditët që janë me diell, e kemi nga 7 orë ne televizion si një show-man, sikur të jetë ‘Domenica In’, që shikonim në kohët tona, e që dilnin në orën 10 të paradites dhe mbaronin në orën 7 të pasdites, ndërsa kur ka përmbytje, kur ka stuhi dëbore, kur ka rrugë të bllokuara, kur ka pandemi, ky njeri nuk del, ky njeri nuk flet. Përkundrazi, zhduket.
Kur po vinim për këtu, ne kaluam me Endritin në Floq dhe një nga vajzat tona me të cilat ne ishim në Korçë na thanë që ka njerëz që akoma jetojnë në çadra, që nga koha e tërmetit. E pra, ne nuk e dëgjojmë këtë njeri të dalë e të flasë për problemet e njerëzve, përkundrazi ky njeri mundohet që të ngrejë pushtetin e tij mbi fatkeqësinë e njerëzve tanë. Ndaj unë mendoj që kësaj gjëje ne duhet ti japim fund.
Në qoftë se ne nuk kemi një qeveri që iu gjendet pranë njerëzve, nëse ne nuk kemi një kryeministër, një drejtues që u gjendet pranë njerëzve, mban fjalën dhe premtimet, atëherë për çfarë na duhet më? Ky duhet ti japë fund teatrit të tij, që për mua tashmë është bërë de mode. Ne na duhet të komunikojmë dhe të jemi në kontakt me të gjithë njerëzit tanë, pasi një nga problemet tona kryesore është shkëputja. Shkëputja e politikës nga njerëzit, shkëputja e politikës nga gratë dhe vajzat, nga të rinjtë dhe të rejat. Prandaj, edhe shpërngulja e fëmijëve tanë është çdo ditë e më shumë edhe më prezentë.
Në ishim në Korçë me të rinjtë kafen e mëngjesit dhe pamë një energji dhe një entuziazëm shumë të madh. Edhe kur erdhëm rrugës, takuam njerëz, takuam miq të vjetër, që unë i kam pasur edhe në FRESSH. Pasi besoj e mbani mend që unë dhe ish-kryetari i ndjerë i Bashkisë, Arben Malo, kemi qenë themelues të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar dhe kemi memorie të mrekullueshme, jo vetëm në politikë, por janë memorie të cilat kanë pasur të bëjnë me përkushtimin e një lideri, një drejtuesi partie ndaj komunitetit, ndaj qytetarëve dhe njerëzve të tij.
Unë mendoj që ne duhet ta kthejmë atë model. Kolonja ka nevojë për modelin e Ben Malos, por ka nevojë edhe për modele të tjera akoma më të mira, edhe si doktor Ergini, i cili kujdeset për njerëzit, edhe pse sot ja kanë nevojën pak më shumë, sepse është pneumolog. Ne sot kemi nevojë për përkujdesje ndaj njerëzve dhe kërkojmë që e gjithë politika shqiptare të ndryshojë sjelljen e saj, që të jetë në shërbim të njerëzve dhe të kujdeset për ta.