Nisën kacafytjet për kreun e PS në Elbasan

605
Nisja e fushatës për zgjedhjet brënda PS ka qenë edhe zanafilla e kacafytjeve mes klaneve partiake edhe në degën e kësaj partie në Elbasan. Sharje, debate dhe akuza për “korrupsion, nepotizëm, paaftësi”, apo edhe lidhje të tjera të dyshimta, janë disa prej refreneve që dëgjohen nga grupimet rivale, të cilat duket se nuk po mundet t’i qetësojë as koordinatori i caktuar nga Rama për qarkun, deputeti Tauland Balla. 
Klanet partiake kanë paralizuar PS në Elbasan
Dega e PS në Elbasan prej 2 vitesh mbetet e thërrmuar, e ndarë në klane dhe inekzistente. Kryesia dhe organizatat e kësaj partie në degën lokale kanë kohë që nuk mblidhen, kurse baza e militantëve mbetet e pakënaqur nga drejtuesit e emëruar, nga krerët e deritanishëm, nga punësimet klienteliste, duke akuzuar drejtuesit e si “njerëz të lidhur me afera korruptive” të mbrojtur nga deputetët e mandatuar me votën e tyre. Prej 2 vitesh dega e PS në Elbasan në qytet dhe fshatra, pothuajse nuk ekziston, duke sjellë largime masive nga kjo parti drejt LSI. 
Socialistët shpresojnë te LSI
Të mbetur pa punë, pa përkrahje dhe pa shpresë, shumë anëtarë dhe militantë socialistë, u janë drejtuar dyerve të LSI Elbasan, e cila i ka mirëpritur, por edhe sajdisur ata. Pavarësisht letrave dhe ankesave të nisura drejt kryesisë qëndrore, apo edhe drejt Ramës, si kryetar PS, duket se gjithçka ka qenë e kotë. Asnjë përgjigje, asnjë lëvizje për të sqaruar situatën dhe bazën socialiste në Elbasan. 
Përgjegjës të shuarjes së PS, Astrit Halili dhe Luljeta Arapi
Militantët bëjnë fajtorë për situatën dy drejtuesit e deritanishëm Astrit Halili dhe Luljeta Arapin, e cila prej afro 1 viti ka marrë mandatin e deputetit nga Gjiknuri. Por afrimi zgjedhjeve lokale, përfundimi me sukses i tyre, duket se u ka hapur oreksin klaneve, që prej kohësh e synonin vendin e kreut të PS në Elbasan. Dhe fakti që në garë janë dy drejtoresha, dhe dy drejtorë, dhe që favoritja për ta fituar postin e kryetarit duket se është bashkëshortja e një drejtuesi të lartë njëherësh dhe aktiviste e vjetër dhe njohur e PS. Sipas statutit të PS, “personat që zgjidhen kryetarë të degëve në rrethe, nuk kanë të drejtën të marrin poste në administratën shtetëtore, deri në fund të mandatit”, kështu që ata që do të futen në këtë garë e kanë llogaritur edhe këtë “humbje”. Gara e nisur qysh ditët e para të saj, detajohet si një “fushatë e egër brënda socialistëve lokalë” të Elbasan, dhe natyrisht fitues do të jetë kandidati me klanin më të pushtetshëm. Prej 2 vitesh, nga ardhja e PS në pushtet, dhe që duhet thënë se, edhe Elbasani në shkallë qarku votoi me shumicë për koalicionin e majtë, duket se situata nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, ajo është thelluar për keq, duke patur parasysh rritjen e problemeve ekonomike dhe pazgjidhshmërinë e tyre për qindra e mijëra familje në Elbasan. Ndryshimi evidentohet qartazi edhe në gjendjen në të cilën ndodhet dega lokale e PS, e cila në 25 vitet e krijimit të kësaj partie, nuk ka qenë më e dobët, më e braktisur, dhe më e akuzuar se sot. Analiza dhe fushata zgjedhore brënda gjirit të socialistëve, pritet të nxjerrë edhe personat përgjegjës, pritet të shoqërohet me akuza dhe kundërakuza, denoncime publike dhe penale, ndaj atyre që fituan poste pas fitores së 23 qershorit 2013 dhe që pas saj, i kthyen kurrizin parties, e cila i shpërbleu, madje shpesh edhe pa të drejtë. Situata në të cilën ndodhet PS në disa rrethe dhe veçanarisht në Elbasan, do të duhet të nxisë Ramën të sjellë jo një, por tre koordinatorë nga kryesia qëndrore, pasi gjithçka duhet të nisë nga e para. PS në Elbasan pothuajse nuk ekziston, thjesht atë mund ta gjesh ndoshta vetëm në Bashki. 
Sigal