Vokshi i kërkon Beqajt të dorëhiqet: Sa skandale të tjera duhet të rrënojnë shëndetësinë?

441
Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj duke e akuzuar për dhjetëra tenderë korruptivë si dhe për mungesën e ujit në spitale një ditë më parë që paralizoi punën në QSUT.
“Nuk arrij të kuptoj e aq më pak të bindem se dhe sa skandale të tjera duhet të rrënojnë sistemin e Shëndetësisë që Beqja të japë dorëheqjen si ministër. Në një shtet të lirë dhe ligjor, prej kohësh ky individ do ishte nën hetim dhe shefi i tij ekzekutiv, larguar me turp e pa kthim në politikë. Pas dhjetëra tenderëve, superafera korruptivë dhe monopol, tashmë kriza e mbylljes së furnizimit me ujë dhe vërshimit po të ujit nga ana tjetër në spitalet e kryeqytetit”, shkruan Vokshi në facebook.
Ajo thotë se “edhe nëpër rrethe ndërprerjet e energjisë për shkak të mosmenaxhimit të situatës e kanë bërë jo pak të rëndë realitetin mjekësor.”
“Çdo ditë e më tepër jo si politikane e opozitës, por si qytetare dhe si nënë trishtohem se, shqiptarët po i nënshtrohen së keqes, pa kushte…pa asnjë reagim civil. Ndaj rrokullisjes në greminë e sektorëve më thelbësorë të shtetit, shëndetësia dhe arsimi, askush nuk duhet të heshtë. Është e tashmja e fëmijëve dhe familjeve tona në rrezik dhe e ardhmja e shoqërisë në pikëpyetje të madhe”, deklaron Vokshi.
Sigal