Kryemadhi: Në 8 vite shqiptarët u lodhën me tepsi dhe me timon, ka ardhur koha për ndryshim, ekonomi më të mirë

144
Sigal

Ju e dini që keni përballë një PS që prej 8 vitesh është në pushtet dhe për të cilën thuhet se mund të ketë mungesë të shumëçkaje, por jo të lekëve. A besoni se këto zgjedhje do të jenë të ndershme dhe se nuk do të ketë keqpërdorime nga partia në udhëheqje?

Derisa të jetë Edi Rama në krye të këtij procesi, normal që tentativat për çedim gjatë rrugës do të jenë të pashmangshme, por normalisht që struktura e opozitës së bashkuar, fronti opozitar e krijon klimën dhe frymën që ai ta ketë të pamundur. Deri diku do tentojë duke përdorur institucionet e drejtësisë, siç po përdor faktikisht Prokurorinë, policinë, apo administratën publike, për të kërcënuar njerëzit. Aty ku njerëzit nuk pyesin më për kërcënime, tenton që t’i blejë. Edhe kur nuk i blen pastaj tenton të fusë bandat e të tjera me radhë.

Deri vonë ishte paralizuar edhe Gjykata Kushtetuese si institucion, pra gjithçka mund të pritet. A mendoni se këto rrethana do e bëjnë të mundur?

Nuk besoj se e ka të mundshme. Frustrimi dhe nervozizmi i njerëzve me qeverisjen është shumë i madh. Një nga batutat që ne bëjmë, është që themi ju ka gënjyer 8 vite Edi Rama, merrjani paratë, filloni punë në administratë publike nëse ai ju propozon, por më 25 prill votën mos ia jepni. Ju ka gënjyer 8 vjet, se e gënjeni 1 herë nuk u bë qameti dhe mos u turpëroni me gënjeshtarin dhe votoni për veten tuaj më 25 prill.

Pra për ju Edi Rama është thjesht gënjeshtar?

Për mua është një njeri që i eci, duke qenë se njerëzit ishin mësuar ta shikonin politikën serioze. U pëlqeu batuta, por tashmë njerëzit kanë kuptuar se shtëpia nuk mbahet as me batuta, as me kazanë e as me tepsi. Shtëpia mbahet me punë, mbahet me taksa të ulëta, mbahet me çmim energjie më të ulët, mbahet me një kosto jetese që duhet të kushtojë pak për xhepin e shqiptarëve, por duhet të ketë standard të lartë për të jetuar. Kështu që shqiptarët u lodhën me tepsinë e me timonin, tashmë ka ardhur koha që duan ndryshim, duan ekonomi, duan që fëmijët e tyre t’i kenë në shtëpi, duan të shikojnë sesi fëmijët e tyre bëhen me fëmijë.

Pra ju thoni që shqiptarët nuk duan një kryeministër që do ta shohim shumë shpesh në studio televizive…

Shqiptarët kanë emisione pafund humori, që tashmë i kanë të gjitha televizionet.

Po e quani zotin Rama humorist?

Humorist demode do ta quaja, i dalë jashtë mode. Një humorist që fillon dhe bëhet i pasuportueshëm. Mbaj mend në kohën e komunizmit, ishte e shtuna variete, ku herë pas herë ishin këto humoret me propagandë e demagogji brenda. Ai ishte momenti kur laheshin enët e darkës, sepse nuk donim ta dëgjonim.

A kishte bullizëm asaj kohe, sepse zoti Rama nuk e kursen?

Ka pasur bullizëm për të përndjekurit politik. Nuk ekzistonte bullizmi si term. Në atë kohë ka qenë shumë e patolerueshme. Unë kam qenë fëmijë dhe më ka kapur sistemi i demokracisë në vit të 3 në gjimnaz dhe nuk lejohej gjë e tillë. Por zoti Rama e ka të tepruar bullizmin, por nuk është se nuk ia kanë kthyer mbrapsht ata që ai i ka bullizuar. Ia kanë kthyer mbrapsht më shumë seç e ka bërë.