Kryemadhi: Në 25 prill jo për t’i thënë Ramës ik, por për të kthyer të rinjtë dhe të rejat që kanë ikur

216
Sigal

Ditën e sotme, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim në Lezhë, nga ku tha se, në 25 prill nuk shkojmë vetëm, për t’i thënë Ramës ik, por për të kthyer të rinjtë dhe të rejat që kanë ikur.

“Ditë më të bukur se mund të ishte kjo e sotmja, edhe me skenarist ta kishim bërë, do të ishte e pamundur. Por megjithatë, bukuria e gjithë ditëve tona që do të vijnë, do të jetë pas 25 prillit, kur të gjithë ne së bashku do t’i drejtohemi kutive të votimit, jo për t’i thënë Ramës ik, por për të kthyer djemtë dhe vajzat tona që kanë ikur nga Shqipëria”,- u shpreh Kryemadhi gjatë takimit.

Pjesë nga fjalët e Kryemadhit: 

Faleminderit Viktor. Si një besimtare e pagëzuar ditëlindja ime është më 13 prill, ditën që jam pagëzuar, ditën e Shën Martinit. Kështu që sot është dita e lindjes si qenie njerëzore, por dita e lindjes si besimtare dhe shërbëtore e Zotit është 13 prilli. Kështu që prapë jemi brenda javës.

Dua të falenderoj në radhë të parë mikpritjen fantastike që më bëri Tila, mikja ime bashkë me Sabaheten, me djemtë dhe vajzat e Laçit, që me Ded Ndrecën, me çunat e Mamurrasit, që dolën dhe na krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Për të vazhduar pastaj kur u takuam me doktor Gjovalinin që vinte nga Mirdita jonë e jashtëzakonshme, që asnjëherë nuk e ka lënë vetëm LSI-në në të gjithë historinë e saj. E për t’u bashkuar me djemtë dhe vajzat e Shën Kollit, e për të ardhur për të marrë surprizën e mrekullueshme, urimin e të rinjve dhe të rejave të qytetit të Lezhës.

Ditë më të bukur se mund të ishte kjo e sotmja, edhe me skenarist ta kishim bërë, do të ishte e pamundur. Por megjithatë, bukuria e gjithë ditëve tona që do të vijnë, do të jetë pas 25 prillit, kur të gjithë ne së bashku do t’i drejtohemi kutive të votimit, jo për t’i thënë Ramës ik, por për të kthyer djemtë dhe vajzat tona që kanë ikur nga Shqipëria. Sepse duam që të jetojnë të lumtur në qytetet e tyre, në vendin e tyre, për të kthyer djemtë dhe vajzat e shqiptarëve, sepse u është hequr e drejta e punësimit. Sepse bizneset mbyllen, taksat rriten, çmimi i energjisë elektrike rritet çdo ditë e më shumë, taksat për bizneset shqiptare rriten çdo ditë e më shumë. Kërcënohen familjet më rindërtimin dhe seleksionohen sipas bindjeve politike.

 

Prandaj 25 prilli nuk do t’i thotë Ramës ik, por do t’i thotë fenomenit të diskriminimit të shqiptarëve ik dhe të largohet njëherë e përgjithmonë. Dhe për t’i dhënë më 25 prill tranzicionit fund gjithmonë në historinë dhe jetën e shqiptarëve. Sepse më 25 prill vota juaj për numrin 6, vota për LSI-në, do të jetë votë për fëmijët, për të rinjtë, për të rejat, për të ardhmen e Shqipërisë. Sepse duke votuar LSI-në ne kemi votuar për të ardhmen europiane të të rinjve dhe të rejave shqiptarë.